Ramazani më i miri i muajve te Allahu

nga Sejjid Hasan Nasrallah | Publikuar në Maj 13, 2019, 2:53 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit

 

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë të Dërguarit e Allahut të Madhëruar!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu! 

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

 

Allahu i Madhëruar në Kur'anin e Shenjtë thotë: “O ju që keni besuar! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Sure “Bekare”, ajeti 183)

Pikë së pari ju uroj ardhjen e këtij muaj të begatë dhe madhështor. E lus Allahun që të na mbarësojë në kryerjen e veprave që na shpëtojnë nga dënimi, na afrojnë te Allahu i Madhëruar dhe janë të dobishme për ne në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër!

 

Gjëja më e mrekullueshme me të cilën njeriu njihet me muajin e Ramazanit që të përgatitet për pritjen e tij, është leximi i fjalimit të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në pritje të muajit të begatë të Ramazanit.

Çdo përshkrim madhështor dhe çdo mirësi të muajit të Ramazanit, i gjejmë në këtë fjalim të profetit Muhamed. Sigurisht, ky është një fjalim gjithpërfshirës në përmbajtje e në botëkuptim. Ky fjalim gjendet edhe në transmetime të ndryshme i ndarë në paragrafe e në tekste të ndryshme, te librat e shiave dhe të sunive. Karakteristika e veçantë e këtij fjalimi se përmban mësime, këshilla dhe porosi, me të cilat na udhëzon profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Unë do të lexoj për ju fjalimin që gjendet në librin “Mefatihul Xhinan”. Këtë fjalim e ka përcjellë prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) nga profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O ju njerëz! Për ju po afrohet muaji i Allahut me begati, me mëshirë e me falje mëkatesh, muaji që tek Allahu është më i miri i muajve. Ditët e këtij muaji janë ditët më të mira; netët e këtij muaji janë netët më të mira; orët e këtij muaji janë orët më të mira. Është muaji kur ju jeni mysafirë të Allahut. Në këtë muaj jeni bërë prej të nderuarve të Allahut….”

Të gjithë ne, pa dallim,  të mëdhenj, të vegjël, të rinj e të reja, femra dhe meshkuj, të moshuar dhe të moshuara, jemi miq të Allahut në këtë muaj të begatë.

Në këtë muaj  jemi prej të nderuarve të Allahut. Në këtë muaj Allahu na bujaron me të mirat e Tij të pafundme. A ka gjë më madhështore se kjo!

Më pas Profeti thotë: Frymëmarja juaj në këtë muaj është madhështim i Allahut.” Frymëmarrja jonë në këtë muaj është lartësim. Kjo është karakteristikë vetëm për këtë muaj. Pra, çdo frymarrje në këtë muaj të begatë konsiderohet dhe shpërblehet si lartësim i Allahut. A ka bujari më madhështore se kjo?!

“Gjumi juaj në këtë muaj është adhurim”- na thotë Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të!) nga profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).  Sigurisht, që kuptimi nuk është që të rrish gjithë kohën në gjumë, sepse gjumi të çon në dembelizëm e në dështim dhe Allahu nuk i do këto lloj njerëzish. Fjala është për gjumin normal për të cilin ka nevojë njeriu, gjashtë, apo shtatë apo tetë orë. Ky gjumë te Allahu i Madhëruar në muajin e Ramazanit llogaritet adhurim. Ne e konsiderojmë kohën e gjumit periudhë pushimi e çplodhjeje, ndërsa Allahu i Madhëruar me bujarinë e Tij na e llogarit këtë gjumë adhurim.

Më tej Profeti (Paqja qoftë mbi të!) nga profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: “Veprat tuaja në këtë muaj janë të pranuara.” Dihet që pranimi i veprave ka kushte. Ka mundësi që dikush të bëjë një vepër jo në muajin e Ramazanit dhe për shkaqe të ndryshme ajo nuk pranohet. Ndërsa në muajin e Ramazanit veprat tona janë të pranuara.  

Më pas Profeti thotë: “Lutja juaj në këtë muaj merr përgjigje.” Për këtë, muaji i Ramazanit është muaji i lutjes dhe Allahu i Madhëruar u përgjigjet lutjeve tona. Ndoshta dikush prej vëllezërve dhe motrave mumd të thotë se ne i kërkuam Allahut në muajin e Ramazanit disa gjëra por Ai nuk na i dha. Duhet të dimë se Allahu na jep bazuar në interesin dhe dobinë e kësaj jete dhe të Jetës Tjetër. Këtë na e sqaron më së miri imam Zejnul Abidijn (Paqja qoftë mbi të!) në një lutje të tij ku thotë: “Ndoshta vonesa e përgjigjes së lutjes time nga Ai është në të mirën time për arsye të dijes së Tij për fundin e çështjeve.”

Bazuar në ato që përmendëm më lart nga profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kuptojmë se ne duhet të përpiqemi e të punojmë në këto ditë e në këto orë të këtij muaji të begatë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se po përjetojmë orët më madhështore të jetës tonë në këtë muaj.

 Më pas Profeti ynë, në këtë fjalim të bekuar, na flet për rezultatet e veprave që bëjmë në muajin e Ramazanit. Na lajmëron për shpërblimin e tyre, për madhështinë e tyre dhe për pozitën e tyre te Allahu i Madhëruar.  Njohja e vlerave të këtij muaji dhe njohja e ndikimeve të veprave të mira, duhet të jenë nxitëse dhe shtyse të fuqishme për të bërë sa më shumë vepra në këtë muaj të begatë.

Profeti thotë: Prandaj lutjuni Allahut, Zotit tuaj, me qëllim të sinqertë e me zemër të pastër, që t’jua bëjë mbarë agjërimin e këtij muaji dhe leximin e Librit të Tij!” Para çdo vepre ne duhet të kërkojmë mbrojtjen e Allahut. T’i kërkojmë Atij  mbrojtje nga egoja jonë që na nxit për të bërë vepra të këqija. T’i kërkojmë ndihmë Allahut prej djallit të mallkuar. T’i kërkojmë Atij që të na mbarësojë, të na mirësojë dhe të na lumturojë. Duhet që qëllimet tona të jenë të sinqerta dhe zemrat tona duhet të jenë të pastra, siç thotë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Prandaj lutjuni Allahut, Zotit tuaj, me qëllim të sinqertë e me zemër të pastër.” Në këtë fjali Profeti Muhamed përmend dy gjëra të mëdhaja: agjërimi dhe leximi i Kur’anit. Pra, agjërimin që është obligim dhe leximin e Kur’ani që është prej veprave më madhështore në muajin e Ramazanit.

Më pas Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: Me të vërtetë, i keq është ai njeri, të cilit në këtë muaj të madh i është ndaluar falja e mëkateve prej Allahut.” Në këtë muaj të begatë, që është muaji i faljes, i mëshirës, i mikpritjes së Allahut dhe i bujarisë së Tij, nëse në fund të tij nuk përfshihemi në mëshirën dhe faljen e Allahut, kjo është e keqja më e madhe.

Duhet që uria jonë dhe etja jonë në këtë muaj të jenë përkujtuese për atë uri dhe etje që na prêt në Ditën e Kijametit. Për këtë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: O ju njerëz! Me urinë e me etjen tuaj në këtë muaj, kujtoni urinë dhe etjen e Ditës së Kiametit.” Pra, për ditën kur do të tubohen njerëzit në shkretëtirën e Kijametit, ku llogaridhënia do të jetë e gjatë dhe uria e etja do të jenë të pranishme. Uria dhe etja jonë në këtë muaj duhet të na kujtojë urinë dhe etjen në Ditën e Kijametit e të llogaridhënies.

Një prej karakteristikave të muajit të Ramazanit është se ky muaj është muaji i të varfërve dhe i nevojtarëve. Prej mëshirës së Allahut është edhe thirrja e njerëzve që të ndihmojnë nevojtarët, sepse kjo vepër ka shpërblim të madh te Allahu i Madhëruar. Për këtë Profeti Muhamed thotë: “Jepuni sadaka të varfërve e nevojtarëve tuaj…”

Më pas Profeti thotë: “…nderoni të moshuarit tuaj, mëshironi të vegjëlit tuaj…” Ramazani është muaji i etikës dhe i moralit. Sigurisht që të gjitha këto duhet të veprohen edhe pas muajit të Ramazanit. Por në këtë muaj kanë një veçanti ndryshe. Ramazani është shkolla më e mirë edukative, pastruese dhe forcuese e shpirtit e zemrës  e vullnetit dhe e vendosmërisë së njeriut me qëllim që njeriu të punojë për të mirën e dynjasë dhe të Ahiretit të tij. Respektojini, vlerësojini të mëdhenjtë tuaj. Mëshirojini të vegjëlit ruaj. Të vegjëlit duhet të respektojnë të mëdhenjtë dhe të mëdhenjtë duhet të mëshirojnë të vegjëlit. E kjo veçanërisht kur të mëdhenjtë janë të agjërueshëm dhe shqetësohen nga të vegjëlit. Këtu duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj të vegjëlve.

 Më tej Profeti Muhamed na thotë: “…mbani lidhje me njerëzit e gjakut tuaj…” Muaji i Ramazanit është muaji i mbajtjes së lidhjeve farefisnore dhe i afrimitetit mes familjeve e të afërmëve. Pasataj na thotë: “…ruani gjuhët tuaja…” Pra, ruani gjuhët tuaja nga ofendimi, nga sharja, nga mallkimi, nga fjalët e këqija e të ndyta, nga gënjeshtra, nga përgojimi, nga çdo thënie haram, nga dëshmia e rreme, nga thëniet e kota, nga shpifjet dhe nga çdo gjë që është e keqe dhe e ndaluar te Allahu i Madhëruar.

“…ulini sytë tuaj që ato të mos shikojnë në atë që është e ndaluar të shihet dhe mbyllini veshët tuaj që ato të mos dëgjojnë atë që është e ndaluar të dëgjohet… Pra, çdo gjë që është e ndaluar të shihet ulini shkimet ndaj tyre. Dhe çdo gjë që është e ndaluar të dëgjohet mos e dëgjoni. Sytë tuaj shmangini nga harami po ashtu edhe veshët tuaj.

Pastaj Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na thotë e na porosity: “…O ju njerëz! Tregoni dashuri zemre për jetimët e të tjerëve që edhe të tjerët të kenë dashuri për jetimët tuaj…” Pasi Profeti përmendi të mjerët dhe të varfërit, flet në veçanti për jetimët. Prandaj, ky muaj është muaji i jetimëve. Është muaji i përkujdesjes së veçantë ndaj jetimëve. Kjo vepër ka shpërblim të madh te Allahu i Madhëruar. Jetimi sipas sheriatit është ai që i vdes babai dhe nuk e ka plotësuar moshën legjislative. Dashuria dhe dhembshuria ndaj jetimit ka ndikime të mëdhaja si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër.

Më tej Profeti na thotë: “…pendohuni para Allahut për fajet tuaja…” Të dashur vëllezër dhe motra. Muaji i Ramazanit është muaji i pendimit. Ne jemi miqtë e Allahut në këtë muaj të mëshirës e të faljes. Kur shkojmë për mik te dikush dhe i kërkojmë diçka, ai do të na e japë me plot dëshirë e bujari. Si do të jetë gjendja kur ne jemi miq të Allahut, më Bujari i bujarëve, në këtë muaj?

Sigurisht, ky fjalim madhështor është shkollë edukuese. Profeti na thotë: “…dhe i ngrini duart lart në drejtim të Tij me lutje kur të falni namazet tuaja, sepse ato janë orët më të pëlqyera kur Allahu i Lartësuar i shikon robtë e Vet me mëshirë dhe u përgjigjet atyre kur ata i përgjërohen Atij! Ai u plotëson atyre kërkesat, kur ata e thërrasin Atë dhe i përgjigjet lutjes së tyre, kur ata i luten Atij…” Kur i përgjërohemi Atij dhe i lutemi me gjithë qënien tonë, Allahu i përgjigjet lutjes tonë dhe na i plotëson kërkesat dhe dëshirat. Ai na përgjigjet neve kur i lutemi Atij.

Në këtë paragraph kuptojmë se gjatë gjithë vitit ka orë që janë më të mira dhe ato janë orët e namazit. Pra, kohët e namazeve ditore koha e natës, në të cilën ka namaze farze dhe të pëlqyeshme, këto janë orët dhe kohët më të mira për t;ju drejtuar Allahut dhe për ta adhuruar Atë.

Më tej Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: O ju njerëz! Shpirtrat tuaj janë peng i punëve tuaja. Prandaj ua hiqni pengun shpirtrave me kërkesën për faljen e mëkateve…” Ka shumë njerëz që thonë unë jami i biri i filanit, gjyshi im ishte filani, unë jam pauses i këtij medhhebi apo i këtij grupi, mua më mjafton besimi në zemër. Të gjitha thënie e mëndime këto nuk kanë vend në Mesazhin e Islamit dhe të profetit të Islamit. Në Islam ka besim dhe vepër të mirë, siç përmendet edhe në Kur’an: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira” Vetat tona janë peng i veprave tona. Nëse veprat tona janë të mira, fundi ynë do të jetë shpëtimi. E nëse janë veprat tona të këqija, fundi ynë, (Zoti na ruajtë!) dihet, dënimi dhe vuajtja. Përderisa vetat tona janë peng i veprave tona, duhet t’i çlirojmë ato me kërkimin e faljes. Muaji i Ramazanit është muaji i faljes. Prandaj, është mirë që në këtë muaj të thuhet sa më shumë: I kërkoj falje Allahut dhe pendohem te Ai, qoftë duke ndejtur, apo duke ecur, apo në makinë, apo në punë, apo…

Më poshtë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) vazhdon e na thotë: “…shpinat tuaja janë të rënduara nga pesha e mëkateve tuaja…” pra, janë rënduar nga gabimet nga gjynnahet që ne bëjmë, me dashje apo padashje. Cili është rrugëzgjidhja për këtë? Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na thotë:  “…prandaj lehtësojini ato prej kësaj barre me sexhdet tuaja të zgjatura…” Qëndrimi gjatë në sexhde në muajin e Ramazanit është prej veprave më të mira. Më pas Profeti na thotë: dhe dijeni se Allahu i Lartësuar është betuar në Madhërinë e Vet, që të mos i dënojë ata që falin namaz, ata që bëjnë sexhde dhe të mos i dridhmërojë ata me Zjarrin në atë ditë kur njerëzit do të qëndrojnë më këmbë para Zotit të botëve…” Ky është premtim i Allahut. Por përveçse është premtim, Profeti na thotë se Allahu betohet në madhështinë e Tij se namazfalësit, ata që qëndrojnë gjatë në sexhde dhe ata që e kujtojnë shumë Atë në sexhde, Ai nuk do t’i dënojë ata.

Në vazdhdim Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na thotë: “…O ju njerëz! Cilido prej jush që në këtë muaj ushqen një agjërues besimtar, tek Allahu ka shpërblimin e lirimit të një skllavi dhe faljen e mëkateve të tij të kaluara…” Kjo është vepër e thjeshtë por shpërblimin e ka të madhe te Allahu i Madhëruar. Edhe pse në këto ditë nuk ekziston lirimi I skllavit, por ajo që është më e rëndësishmja, është se kjo vepër ka falje për gjynahet që jnaë bërë më parë. Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i thanë: “Jo të gjithë e kemi këtë mundësi.” Dihet se në kohën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) gjendej varfëri e madhe dhe e ashpër. Kishte njerëz që nuk zotëronin kafshatën e një dite dhe as që bëhej fjalë zotërimi I kafshatës për një muaj, apo për një vit. Pra, nëse hanin drekë nuk kishin çfarë të hanin në darkë, nëse hanin darkë nuk kisin çfarë të hanin në mëngjes. Kur e pyetën, Profeti Muahmed, duke paraqitur bujarinë e madhe të Allahut, tha: Profeti tha: “…shmangiuni Zjarrit, qoftë edhe me një gjysmë kokrre hurme! Shmangiuni Zjarrit qoftë edhe me një gllënkë ujë, sepse Allahu dhuron shpërblim për cilindo që e bën këtë veprim kaq të lehtë, kur ai nuk ka mundësi për më shumë…”

Më poshtë Profeti Muhamed na thotë: “…O ju njerëz! Cilido prej jush që në këtë muaj e përmirëson moralin e vet, ai do ta ketë të lehtë kalimin e urës së Siratit atë Ditë kur këmbët rrëshqasin…” Prej veçantive më të rëdnësishme të Ramazanit është se njeriu në këtë muaj kur është me agjërim, pra i uritur, i etur dhe ai punon apo studion dhe përpiqet, ai ka nevojë për sakrificë më shumë. Për këtë duhet të jetë më zemërgjerë, më i durueshëm, të buzëqeshë, të flasë në mënyrë të bukur dhe të durojë shqetësimet e të tjerëve. Në këtë thënie të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) gjendet porosi për moral të mirë. Ky moral i mirë të jep lejen nesër të kalosh në urën e Siratit në Ditën kur këmbët do të lëkunden  do të rrëshqasin. Mbi Urën e Siratit do të kalojnë të gjithë njerëzit. Atij që i lëkunden këmbët do të bjerë në zjarrin e Xhehenemit. Morali i mirë e shpëton njeriun nga rënia në zjarr. Ju them gjithashtu se në transmetime të sakta thuhet se shpërblimi i njeriut me moral të mirë do të jetë si shpërblimi i atij që agjëron gjatë gjithë vitit dhe që fal shumë namaz natën. Ai njeri që sillet mirë me familjen e tij, me fqinjët e tij dhe me njerëzit që e rrethojnë, shpërblimi i tij do të jetë si shpërblimi i atij që agjëron shumë dhe falet shumë natën.

Profeti Muhamed vazhdon e na thotë: “…Cilido që në këtë muaj lehtëson gjendjen e dikujt me atë çfarë i zë dora e djathtë, Allahu do t’ia bëjë atij të lehtë llogarinë…” Sot nuk kemi robër e skllevër por shumë njerëz kanë shërbyes në shtëpitë e tyre. Gjithashtu, në istitucione, kompani, fabrika, etj ka punëtorë dhe gjithë këta duhen mëshiruar në këtë muaj.

“Cilido që ndalon të keqen, që ka ndërmend të bëjë, Allahu do ta ndalojë për të zemërimin e Tij Ditën e takimit me Të…” Në këtë muaj kërkohet luftë me vetveten më shume, displinë më e madhe dhe durim ndaj zemërimit. Të gjitha këto bëjnë që Allahu të ndalojë zemërimin e Vet.

Më poshtë Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na thotë: “…cilido që në këtë muaj nderon një jetim, Allahu do ta nderojë atë Ditën e takimit me Të…” Këtu, Profeti Muhamed përmend një çështje më shumë se ushqimi apo kujdesja ndaj jetimit. Këtu përmendet çështja e nderimit të tij me çdo lloj vepre. Nëse e vepron këtë ndaj jetimit, Allahu do të të nderojë ty kur të dalësh para Tij.

Pastaj Profeti na thotë: “…Cilido që në këtë muaj mban lidhje me njerëzit e gjakut të vet, Allahu do të mbajë lidhje me të ditën e takimit me Të…” Më përpara organizoheshin iftare nga fondacione, institucione dhe qendra të ndryshme dhe ne shkonim në këto iftare. Kështu që e shumta e Ramazanit na kalonte jashtë familjes dhe të afërmëve. Unë u kërkova vëllezërve që ta zgjidhim këtë çështje sepse muaji i Ramazanit është muaji i lidhjeve me të afërmit dhe me familjen. Lidhjet me të afërmit duhet të mbahen edhe sikur me një telefonatë.

Pas kësaj Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  na thotë: “…cilido që në këtë muaj i ndërpret lidhjet me njerëzit e gjakut të vet, Allahu i ndalon atij mëshirën e Vet në Ditën e takimit me Të…” I Lartësauar është Allahu! Nëse një njeri falet natën, agjëron ditën, shkon në haxh, jep sadeka e bamirësi dhe nuk mban lidhje me të afërmit, profeti na thotë se Allahu do t’i shkëpusë lidhjet me atë në Ditën e Kijametit.

“…cilido që në këtë muaj fal namaz të vullnetshëm, Allahu shkruan për të faljen prej Zjarrit…” Pra, namazet e pëlqyeshme, ato nafile që i falim ditën dhe natën dhe më i miri i tyre namazi i natës. Të gjithë ata që nuk munden gjatë gjithë vitit, për arsye të ndryshme, që të falin namazin e natës, le të përfitojnë nga ky muaj dhe ta falin namazin e natës.

“…cilido që në këtë muaj kryen një farz (një adhurim të urdhëruar), ka shpërblimin e kryerjes së shtatëdhjetë farzeve (adhurimeve të urdhëruara) gjatë muajve të tjerë, përveç adhurimit që kreu…” Çfarë bujarije! Allahu i Madhëruar në këtë muaj kur i falim ato na jep shpërblim më shumë. Pra, çdo farz shumësohet me shtatëdhjetë fish. Kjo është prej bujarisë së Allahut të Madhëruar.

“…cilido që në këtë muaj e shumon salavatin mbi mua, Allahu do të rëndojë peshoren e (punëve të) tij në atë Ditë kur lehtësohen peshoret. Cilido që në këtë muaj lexon një ajet të Kur’ànit, ai ka shpërblimin e leximit të të gjithë Kur’ànit në muajt e tjerë…” Inshallah nuk jemi prej atyre që e braktisin Kur’anin gjatë vitit sepse Kur’ani do të ankohet për ne në Ditën e Kijametit.

 Në Ramazan ka mirësi të madhe leximi i Kur’anit dhe fitohen shkallë të larta që vetëm Allahu i di. Kur njeriu lexon një ajet ngrihet një shkallë. Mirëpo në muajin e Ramazanit kur lexon një ajet është sikur ke lexuar të gjithë Kur’anin në kohën jashtë Ramazanit. A ka mirësi më të madhe?  “…cilido që në këtë muaj lexon një ajet të Kur’ànit, ai ka shpërblimin e leximit të të gjithë Kur’ànit në muajt e tjerë…” Prandaj, bëni mirë që ta lexoni sa më shumë Kur’anin dhe vendoseni këtë vepër në listën e veprave të shumta të pëlqyera në këtë muaj, sepse ky rast është vetëm në muajin e Ramazanit.  Këtu dua të them se nuk është qëllimi me leximin lexim i shpejtë dhe shqiptim i fjalëve. Jo. Qëllimi është për lexim me persiatje, me arsyetim dhe me zbatim. Të kuptojmë se çfarë lexojmë. Jo të konkurojmë me kohën që të përfundojmë së lexuari Kur’anin. Qëllimi është për leximin që na urdhëron Allahu i Madhëruar: “A nuk përsiatin ata për Kuranin” Të jetë lexim i avashtë i qetë dhe persiatës.

Më pas Profeti Muhamed na thotë: “O  ju njerëz! Në këtë muaj portat e Xheneteve janë të hapura. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i mbyllë ato për ju! Edhe portat e Zjarrit janë të mbyllura në këtë muaj. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i hapë ato për ju. Edhe djajtë janë të lidhur në këtë muaj. Prandaj lutjuni Zotit tuaj që Ai të mos i bëjë ata sundues mbi ju!” Unë bëja shaka me disa vëllezër në mbledhjet e ndryshme dhe u thoja: Po shikojmë dukuri negative në këtë muaj ku shohim njerëz nuk e respektojnë Ramazanin, nuk agjërojnë, nuk e respektojnë mikpritjen hyjnore, ndërkohë që shejtanët janë të lldhur. Si do të ishte gjendja nëse shejtanët do të ishin të zgjidhur? Nëse shejtanët nuk do ishin të lidhuar të gjitha ato që përmendëm në këtë fjalim të Profetit do të ishin të pakta, të rralla ose nuk do të shiheshin. Po të mos ishin të lidhur shejtanët, ata do të ishin të përhapur në maksimun për t’i penguar besimtarët, sepse mesazhi i iblisit që në fillim ka qenë: “Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë.” (Sure “A’raf”,  ajeti 16)  Edhe në këtë muaj, po të ishin shejtanët të zgjidhur, do të pengonin agjëruesit të agjëronin, falësit të falen. Ka njerëz, fatkeqësisht, ata janë vetë shejtani, ka të tjerë që i ka mposhtur egoja e tyre. Prandaj, këtu duhet një xhihad i fortë me egon që nxit për keq.

Të dashur vëllezër dhe motra. Fort të nderuar e të respektuar.

Në fund të fjalimit prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: Unë u ngrita dhe i thashë: “O i dërguari i Allahut: Cila është vepra më e mirë në këtë muaj nga të gjitha këto që përmende, qofshin të detyrueshme si agjërimi, apo të pëlqyeshme?” Profeti më tha: “O Aba Hasan. Vepra më e mirë në këtë muaj ëshrë vigjilenca ndaj atyre që I ka ndaluar Allahu.” Domethënë, të mos bëjmë mëkate e të mos bëjmë gjynahe. Të jemi të kujdesshëm në vepra. Të jemi të vëmendshëm para se të flasim. Para se të veprojmë duhet të jemi të vëmendshëm për atë që do të veprojmë. Pra, të jemi mbikqyrës të vetave tona. Gjëja më e rëndësishme është mbikqyrja e vetave tona. Nëse në veprat tona ka gjynah, mos e bëjmë, nëse ka kënaqësi dhe bindje ndaj Allahut, t’i veprojmë.  Këtu dua t’ju kujtoj thëniet e imamëve të pastër që kanë thënë: Nuk ka mirësi në ato nafile që dëmtojnë farzet. Ka njerëz që shkojnë e rrinë gjithë natë duke bërë adhurime të pëlqyeshme dhe nuk falin sabahun. Apo bën adhurime të pëlqyeshme e më pas grindet me njerëzit, keqtrajton gruan, apo gruaja keqtrajton burrin, apo i bën keq fqinjit, punonjësve, etj. Kështu që vepra më mirë është vigjilenca ndaj atyre që i ka ndaluar Allahu. Braktisja e gjynaheve.

 

Të dashur vëllezër dhe motra.

Në fund të fjalës time dua të them se muaji i Ramazanit nuk është muaji i dëfrimit. Ka njerëz apo institucione që e kanë kthyer muajin e Ramazanit në muaj dëfrimi. Muaji i Ramazanit nuk është muaji i çlodhjes ku disa thonë se ne jemi lodhur njëmbëdhjetë muaj dhe duam të çlodhemi në muajin e Ramazanit. Kemi punuar shumë dhe do të bëjmë pushim në Ramazan. Muaji i Ramazanit është muaji i xhihadit. Është xhihadi më i madh, xhihadi me vetveten.  Muaji i Ramazanit është muaji i sakrificave dhe i lodhjes, muaji i urisë, i etjes, i agjërimit, i namzait, i leximit të Kur’anit, i adhurimit dhe i bërjes i veprave të mira. Është muaji që duhet t’i shfrytëzojmë minutat dhe sekondat e tij. Ne nuk e dimë a do të na vijë ky rast përsëri apo jo? Ne duhet ta falenderojmë Allahun që sot jemi të pranishëm në këtë muaj të begatë të Ramazanit. Që nga Bajrami i kaluar e deri më sot në këto ditë të Ramazanit sa e sa nëna, baballarë, motra e vëllezër, të afërm e të dashur janë që nuk jetojnë? Ne duhet ta falenderojmë Allahun që po përjetojmë këto netë e këto ditë të muajit të begatë të Ramazanit. Ne nuk e dimë a do e plotësojmë muajin e Ramazanit apo jo? Nëse arrijmë në Bajram, valllë a do të jemi të pranishëm në Ramazanin e ardhshëm apo jo? A do të na vijë ky rast hyjnor dhe kjo mikpritje e bujari e madhe për të cilat na foli i Dërguari i Allahut? Ky muaj duhet të shfrytëzohet në formën më të mirë. Telenovelat i ritransmetojnë edhe pas Ramazanit. Ose i gjeni nëpër treg. Asgjë nuk të ikën prej telenovelave. Kurse ajo që të ikën prej Ramazanit ikën dhe nuk kthehet. Ajo ditë që ikën nuk kthehet. Po ashtu edhe ajo natë që ikën nuk kthehet më. Pra, ta shfrytëzojmë në maksimum këtë muaj të begatë. Rëndësinë e këtyre netëve do ta kuptojnë ata që sakrifikuan në këtë muaj dhe arritën në grada të larta në Jetën Tjetër.

Gjëja e fundit që dua të them rreth muajit të begatë të Ramazanit është se ky muaj është muaji i pajtimit. Nëse ka njerëz që nuk flasin me njëri-tjetrin, le të pajtohen në këtë muaj. Tek Allahu më i miri dhe më i nderuari është ai që e nis pajtimin. Është ai që bën lëshime dhe shkon e pajtohet me vëllanë e tij në besim apo me vëllanë e tij në gjak.

Një hadith të transmetuar nga imam Rizai (Paqja qoftë mbi të!) thuhet: “Në natën e parë të Ramazanit lidhen shejtanët. Ço natë prej netëve të Ramazanit falen shtatëdhejtë mijë gjynahqarë. Kur vjen Nata e Kadrit Allahu do të falë në atë natë aq sa ka falur në muajin Rexheb, në muajin Sha’ban dhe në muajin Ramazan deri në atë ditë (Natën e Kadrit), me përjashtim të atij njeriu i cili ka armiqësi e urrejtje mes tij dhe vëllait të tij.” Të gjithë ata që kanë armiqësi e urrejtje me njëri-tjetrin dhe nuk flasin dhe i kanë shkëputur lidhjet, ata nuk janë të shënuar në librin e Natës së Kadrit që t’i përfshijë falja dhe mëshira e Allahut. Pra, në Natën e Kadrit mëshira dhe mirësitë nuk u arrijnë atyre që urejnë njëri-tjetrin derisa të pajtohen.

Uroj që në këtë muaj të begatë vëllezërit dhe motrat të marrin pjesë nëpër xhami. Të falen në xhami, të lexojnë Kur’an në xhami, të luten në xhami, qoftë edhe të ulen e të qëndrojnë në xhami. I duhet kushtuar kujdes pranisë në xhami. Të mendojmë mirë se në këtë muaj jemi miqtë e Allahut. Në netët e këtij muaji të qëndrohet zgjuar njësoj si në Natën e Kadrit.  Ta shfrytëzojmë këtë muaj, sepse në Ditën e Kijametit, apo në shtratin e vdekjes ne do të themi: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” (Sure Mu’minun, ajetet 99-100)

Në këtë muaj lutuni për veten tuaj, për familjen tuaj dhe për besimtarët dhe besimtaret! Mos na harroni në lutjen tuaja! Allahu ju mbarësoftë dhe ju begatoftë!

Paqja mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!