Papa: Kujton Ditën Botërore Misionare e kёrkon paqe për Libinë

Publikuar në Tet. 22, 2020, 12:41 a.m.

Pas lutjes mariane tё Engjёllit Tёnzot, Papa kujtoi Ditën Botërore Misionare, ftoi çdo të krishterë të jetë një "ndërtues i vëllazërimit" dhe inkurajoi procesin e paqes dhe lirimin e 18 peshkatarëve tё ndaluar në Libi.

Në përfundim të lutjes mariana tё Engjëllit Tёnzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku kujtoi kremtimin e Ditës Botërore Misionare, duke nënvizuar punën e çmuar të ungjillëzimit që zhvillohet nga laikët dhe rregulltarët nё viset e ndryshme tё botёs. Një prani e cila, përmes punës që kryen në të katër anët e botës, ushqen “shpirtin e misionit universal" në përkim me temën e zgjedhur për Ditën Misionare Botërore 2020, shkëputur nga Libri Isaisë Profet:

 Sot kremtojmë Ditën Botërore Misionare e cila ka si temë:“Ja ku jam, o Zot, më dërgo mua! Kultivues tё vёllazimit (Is 6: 8). Është e bukur fjala "kultivues". Çdo i krishterë ёshtё i thirrur të jetë kultivues i vëllazërimit. Në një mënyrë të veçantë janë misionarët - priftërinj, besimtarët laikë, tё përkushtuarit, rregulltarёt - të cilët mbjellin Ungjillin në arën e madhe të botës. Të lutemi për ta dhe t'u japim mbështetjen tonë konkrete.

Lirimi At Pierluigi Macalli

Nё vazhdim Papa falënderoi Zotin për lirimin e At Pierluigi Macalli, misionarin nga Cremasco, rrëmbyer në Nigeri më 17 shtator 2018 e liruar më 8 tetorin e kaluar, pas dy vjet burgosjeje në duart e militantëve xhihadistë së bashku me të rrëmbyer tё tjerë:

Dëshiroj të falënderoj Zotin për lirimin e të At Pierluigi Macalli - ta përshëndesim me njё duartrokitje - i cili u rrëmbye dy vjet më parë në Niger. Gëzohemi qё me të janё liruar edhe tre të rrëmbyer tjerë. Tё vazhdojmë të lutemi për misionarët e katekistёt e edhe për ata që persekutohen ose rrëmbehen në pjesë të ndryshme të botës.

Kriza dramatike nё Libi

Papa Françesku kujtoi, në vazhdim, krizën dramatike nё Libi, u lut për rezultate tё mira të bisedimeve ndërkombëtare të paqes dhe inkurajoi peshkatarët italianë që mbahen peng në vendin e Afrikës Veriore:

Dëshiroj t'u drejtoj një fjalë inkurajimi dhe mbështetjeje peshkatarëve, që janë arrestuar e bllokuar më shumë se një muaj në Libi, e për familjet e tyre. Ja besojmë Marisë, yllit të detit, qё tё mund ta mbajnë gjallë shpresën e së shpejti të jenë në gjendje t’i përqafojnë të dashurit e tyre. Lutem edhe për bisedimet e ndryshme që zhvillohen në nivelin ndërkombëtar, që të jenë të rëndësishme për të ardhmen e Libisë. Vëllezër dhe motra, ka ardhur koha për t’i ndaluar të gjitha format e armiqësisë duke promovuar e mbështetur dialogun që çon në paqe, stabilitet dhe unitet të vendit. Të lutemi së bashku për peshkatarët.



Burimi : Radio Vatikan