Papa: Zoti nuk e duron “ateizmin” e atyre, që luten, por nuk i duan të tjerët

Publikuar në Tet. 24, 2020, 11:12 p.m.

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa Françesku përfundoi reflektimin mbi Psalmet, në kuadrin e ciklit kushtuar lutjes, duke theksuar se Psalteri na mëson t’i drejtohemi Zotit për veten, por edhe për vëllezërit e për botën. E shpjegoi masat e marra, për shkak të pandemisë, të cilat nuk e lejojnë të përshëndesë nga afër besimtarët.

Psalmet na mësojnë të lutemi për veten tonë, por edhe për shpëtimin e vëllezërve, të motrave e të botës, duke na ndihmuar ta kapërcejmë tundimin për të jetuar e, ndoshta, edhe për t’u lutur sikur Zoti dhe të varfërit të mos ekzistonin. Kështu tha Papa Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sallën Pali VI në Vatikan, ndërsa përfundoi katekizmin mbi Psalmet.

“Nuk mund t’ju përshëndes nga afër” 

Në hyrje Papa shpjegoi se nuk mund të zbriste për t’i përshëndetur shtegtarët, për shkak të masave kundër koronavirusit, por “dijeni se unë jam pranë jush me zemër”, u tha. Pastaj duke dëgjuar një fëmijë, që qante gjatë leximeve liturgjike, kërkoi të mos ndalet ai ankim i vogël, as në Kishë, “sepse është zë, që tërheq butësinë e Zotit” mbi ne.

Lutja: shpëtimi i njeriut

“I pabesi”, figurë negatine në Psalme, komentoi më tej Papa, “është njeri pa asnjë pikë referimi trashendentale, pa asnjë frenim për arrogancën e tij, njeri që nuk ka frikë nga gjykimet për çka mendon e bën”. Kjo figurë përdoret si shembull, për të treguar si nuk duhet të jetë lutja:

“Pika e referimit në absoluten dhe trashendetalen - të cilën mësuesit e asketikës e quajnë “frika e shenjtë e Tënzot” - është ajo, që na bën të jemi plotësisht njerëzorë, është kufiri që na shpëton nga vetja, duke na penguar t’i hidhemi jetës si grabitqarë dhe të pangopur. Lutja është shpëtimi i qenies njerëzore”.

Lutja e rreme, që të na admirojnë të tjerët

Ndërsa, lutja e rreme, sqaroi Françesku, bëhet “për t’u admiruar nga të tjerët”. Jezu Krishti e ka kritikuar vazhdimisht. Është lutja e atyre, që e thonë “si me lodhje, si zakon, si papagall”. Por kur “fryma e vërtetë e lutjes ndihet sinqërisht dhe zbret në zemër, atëherë na bën ta kundrojmë realitetin me vetë sytë e Zotit”.

“Lutja është qendra e jetës. Nëse lutemi, edhe vëllai e motra bëhen të rëndësishëm. Një thënie e lashtë e murgjërve të parë të krishterë pohon: ‘Lum ai murg që, pas Zotit, i konsideron të gjithë njerëzit si Zotin’. Kush adhuron Zotin, i do bijtë e tij. Kush respekton Zotin, respekton njerëzit”.

Nuk është qetësues, lutja e vërtetë përgjegjëson

Për këtë arsye, vijon Papa, “lutja nuk është qetësues për të lehtësuar ankthet e jetës; e, gjithsesi, një lutje e këtij lloji sigurisht nuk është e krishterë”. Përkundrazi, “lutja të përgjegjëson. E shohim qartë këtë në “Atynën”, që Jezusi ua mësoi dishepujve”. Lutjet e Psalmeve, shpesh përdorin fjaë të ashpra, por janë menduar gjithnjë për t’iu drejtuar Zotit, fillimisht në Tempull e, pastaj në sinagoga. Lutja personale frymëzohet nga kjo lutje e popullit të Izraelit e pastaj, edhe nga ajo e popullit të Kishës. Prandaj, Psalmet janë trashëgimi kolektive:

“Lutja e të krishterëve e ka këtë ‘frymëmarrje’, këtë ‘prirje’ shpirtërore, që bashkon tempullin me botën. Lutja mund të fillojë në dritëhijen e një navate të kishës, por më pas e përfundon shtegtimin nëpër rrugët e qytetit. Anasjelltas, ajo mund të lulëzojë gjatë punës së përditshme dhe të përmbushet në liturgji. Dyert e kishave nuk janë pengesa, por “membrana” të depërtueshme, të gatshme për të dëgjuar britmën e të gjithëve”.

Nuk mund t’i lutemi Zotit e të mos i duam të tjerët

Në Psalme, komentoi më tej Papa Françesku, bota është gjithnjë e pranishme, përmes më të brishtëve, më të dëshpëruarve, atyre, që lihen mënjanë, por janë të çmuar në sytë e Zotit, i cili vepron edhe në histori, ndoshta, duke i ndryshuar planet e popujve, por duke vijuar zbatimin e planit të Tij për gjithë brezat. E Ati i Shenjtë theksoi mendimin, që e ka përsëritur shpesh: kush lutet dhe e do Zotin, nuk mund të mos i dojë vëllezërit:

“Zoti nuk e duron ‘ateizmin’ e atyre, që e mohojnë imazhin hyjnor të thadruar në çdo qenie njerëzore. Mosnjohja e tij është sakrilegj, është e neveritshme, është fyerja më e madhe, që mund t’i bëhet tempullit e altarit”.

Nuk duhet jetuar sikur Zoti e të varfërit të mos ekzistonin

Lutja me Pslamet na ndihmoftë, uroi së fundi Papa Françesku, “të mos biem në tundimin e ‘pabesisë’, duke jetuar e, madje, edhe duke u lutur sikur Zoti të mos ekzistonte dhe sikur të varfërit të mos ekzistonin”.



Burimi : Radio Vatikan