Mali i Zi, arrestohet kryetari i Komunës së Ulqinit dhe katër bashkëpunëtorët e tij

Publikuar në Jan. 21, 2021, 4:44 a.m.

Policia në Mal të Zi, të hënën arrestoi kryetarin e Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, dhe katër bashkëpunëtorët e tij, zyrtarë të qeverisjes vendore.

Policia nuk ka njoftuar zyrtarisht për këtë rast, por ZëvendësKryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në llogarinë e tij në Twitter, vuri në dukje, se arrestimi u bë për shkak të punësimeve partiake.

“Kryetari i Ulqinit dhe i degës lokale të Partisë Demokratike të Socialistëve është arrestuar, së bashku me disa zyrtarë të tjerë. Arsyeja: punësimi partiak”, tha Abazoviq.

Abazoviq poashtu tha se qeveria “është e vendosur për t'iu dhënë fund të gjitha abuzimeve”.

Për arrestimin në fjalë reagoi Partia Demokratike Socialiste e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, e cila përmes një reagimi kërkoi nga Gjykata të zbatojë Ligjin dhe Kushtetutën e Malit të Zi.

“Presim nga Gjykata një qasje të balancuar sipas Ligjit dhe Kushtetutës dhe të mos bije nën ndikimin e trysnive dhe urdhrave të strukturave të caktuara politike”, thuhet në reagim.

Nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2018, pushtetin në Ulqin e mban koalicioni i gjerë, i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, e cila ishte në pushtetin e Malit të Zi dhe nga koalicionet e forcave politike shqiptare.



Burimi : Voice of America