Hapi historik për shqiptarët, gjuha shqipe tashmë zyrtare në Maqedoni

Publikuar në Mars 16, 2018, 12:45 a.m.

Sot më 14.03.2018 Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për Gjuhët, duke e bërë shqipen gjuhë zyrtare.Ky është një hap madhor për realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

Ramush Haradinaj uroi bashkëkombësit tanë në Maqedoni, duke shkruar ne Facebook- “Uroj të gjithë bashkëkombësit tanë në Maqedoni për këtë akt kaq të madh legjitim që hapë perspektiven e tyre, si dhe shtetin maqedonas për këtë hap të rëndësishëm për tërë rajonin.”

Ai gjithashtu tha – “Miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është hap madhor i realizimit të të drejtave të shqiptarëve dhe njëkohësisht i respektimit të vlerës qytetare në një shtet me synime demokratike.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe është përmbushje e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë avancon marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë shtet, nxitë zhvillimin demokratik të tij dhe i hapë perspektiven e vendit drejt integrimeve euro-atlantike. Me këtë vendim fillon një epokë e re në marrëdhëniet e brendshme të Maqedonisë dhe njëkohësisht edhe në rrugëtimin e gjithë rajonit drejt BE-së.”