Familjet drejt perëndimit, shkolla fillore vetëm me një nxënës

Publikuar në Prill 22, 2018, 1:30 a.m.

Viti i ardhshëm shkollor rrezikon mbylljen e shumë shkollave fillore në Maqedoni për shkak të mungesës së nxënësve. Fshati Dikavec i komunës së Zelenikovës në Shkup më nuk ka asnjë nxënës. Rijad Tahiri është i fundit nga ky fshat që përfundon arsimin fillor, por me këtë përfundon së funksionuari edhe shkolla në këtë fshat.

Zini Jusufi, përgjegjës i shkollës fillore “Ekrem Jakupi” të fshatit Koroshishtë tha se shkollat do të mbeten pa asnjë nxënës nëse nuk ndërmerren masa urgjente për krijimin e kushteve për të rinjtë që të mos e braktisin vendin.

Të dhënat e Entit shtetëror të statistikës tregojnë se në 8 vitet e fundit numri i nxënësve në shkollat fillore është ulur për rreth 15 mijë nxënës. Më kritik paraqitet viti shkollor 2014-15 dhe 2016-17 ku numri i nxënësve është zvogëluar për më shumë se 3.804 dhe 2.490 filloristë.