Thaçi insiston se Mitrovica nuk do të preket, ndërsa Serbia paralajmëron se ne do të humbim sa më pak e do të marrim sa më shumë

Publikuar në Gus. 8, 2018, 12:22 a.m.

Presidenti Hashim Thaçi, as që dëshiron të dëgjojë për kundërshtimet që vijnë nga spektri politik kosovarë rreth idesë për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Presidenti Thaçi ka thënë se mbështetja për idenë e tij nga populli është masive, madje siç tha kjo do të vërtetohet edhe përmes referendumit kur të organizohet për këtë çështje.

“Vullneti masiv i qytetarëve të Kosovës është në favor të kësaj ideje, gjithashtu vullneti masivë është edhe i atyre që jetojnë në Luginë të Preshevës që t’i bashkëngjitën Kosovës. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe e pranueshme. Në rast se ka pajtim mes dy palëve për këtë kërkesë askush nuk do të jetë kundër, as SHBA-të e as BE-ja”, tha Thaçi.

Sipas presidentit as që bëhet fjalë se në rast të bashkimit të Luginës, Kosova mund të humb një pjesë të veriut.

“E ritheksoj, Kosova është një, është vend i pavarur sovran nuk do të ketë ndarje nuk do të ketë shkëmbim, mund të ketë dhe duhet të ndodhë bashkimi i Medvegjes, Bujanovcit dhe Preshevës me Kosovën, të tjera janë lajme të rrejshme”, shtoi me tej Thaçi, transmeton Telegrafi.

Edhe pse Hashim Thaqi fletë në emër të Kosovës nga ana tjetër ryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë sot se Qeveria që ajo udhëheq nuk ka ende pozicion zyrtar në çështjen e Kosovës dhe më pas kumtoi se :

 “Vuçiq është duke bërë më të mirën për të arritur një zgjidhje kompromisi, unë nuk mendoj që ajo është afër për tu arritur, mirëpo ne po e kërkojmë atë në çdo qoshe, në mënyrë që të humbim sa më pak dhe të marrim sa më shumë”, ka thënë Bërnabiq.

Bërnabiq komentoi edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq për ndarje të Kosovës, për të cilat tha se janë qëndrime individuale dhe se nuk përfaqësojnë pozicionimin zyrtar të Qeverisë serbe.

Ndryshe, presidenti serb Aleksander Vuçiq ka thënë sot se zgjidhja me Kosovën, sipas të gjitha gjasave do të jetë e dhimbshme për Serbinë, e megjithatë ai thotë se një e tillë duhet të arrihet sa më shpejtë që të jetë e mundur./