Katari do të investojë 15 miliard dollar në Turqi

Publikuar në Gus. 15, 2018, 10:17 p.m.

Katari të mërkurën paralajmëroi 15 miliard dollar investime direkte në Turqi. Paralajmërimin e këtillë, gjatë bisedimeve me presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdoganin në Turqi, e dha emiri i Katarit, Tamim bin Hamad al Thani.

Sipas fjalëve të tij, Katari shumë shpejtë do të realizojë “pakon investuese” në vlerë prej 15 miliard dollar. Gjatë takimit, të dy krerët kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe temat rajonale, dhe është shprehur përkushtimi zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në mes Turqisë dhe Katarit.

Informatën, nëpërmjet Twitterit e konfirmoi zëdhënësi i presidentit turk Ibrahim Kalin, i cili shkroi se fjala është për investimet direkte.”Marrëdhëniet në mes dy vendeve janë të bazuara në baza të fuqishme të miqësisë dhe solidaritetit”.

Më herët ambasada e Katarit në Ankara në prag të vizitës së al Thanit ka shprehur mbështetje Turqisë lidhur me veprimet të cilat i ndërmerr apo do t’i ndërmerr me qëllim të fuqizimit të valutës kombëtare.

“Katari sikurse gjatë vitit 2016 kur Turqia ishte në shënjestër të përpjekjes së grusht shtetit ushtarak, u rreshtua në krah të vëllezërve turk. Çdo herë do të jemi të parët të cilët do të ndihmojmë popullin turk”, shkruan në deklaratën e ambasadës.

Kjo vizitë vie në kohën kur valuta turke po shënon rënien e vlerës së saj, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve të saja me SHBA-të. Turqia dhe Katari tradicionalisht kanë marrëdhënie të mira bilaterale, ndërsa Ankara e përkrah Dohën në konfliktin e saj me Arabinë Saudite dhe shtetet tjera të Gjirit Persik.

Turqia ka paralajmëruar më parë se do të dyfishojë tarifat në prodhimet e  caktuara amerikane, sikurse automobila udhëtarësh, alkool, cigare, si përgjigje ndaj sulmeve amerikane kundër ekonomisë turke.

Urdhrin për ngritjen e tarifave doganore i ka nënshkruar presidenti turk, e ato nënkuptojnë që tarifat doganore do të dyfishohen për prodhimet e importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu që për veturat e udhëtimit do të jenë 120%, për pijet alkoolike 140 % dhe për fletët e duhanit 60%, ndërsa janë paraparë edhe për produktet tjera, sikurse janë prodhimet kozmetike, oriz dhe thëngjill.



Burimi : Al Jazeera