Detajet e armëpushimit në Gaza sipas gazetës Haretz

Publikuar në Gus. 20, 2018, 4:57 p.m.

Në një reportazh të dhënë për gazetën Haretz, tre nga zyrtarët e regjimit sionist vlerësuan 6 pikat e armëpushimit të nënshkruar me Hamasin nëpërmjet Egjiptit dhe Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët e lartë të regjimit sionist njoftuan se armëpushimi i bërë me Hamasin përbëhet nga 6 pika dhe se ai ka hyrë në fuqi.

Burimet palestineze ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes, por sipas gazetës saudite al-Hayat, grupet palestineze pritet që këtë marrëveshje t’a njoftojnë në Kajro sot.

Sipas një raporti të bazuar në disa zyrtarë anonim të gazetës Haretz me bazë në Palestinë, faza e parë e kësaj marrëveshjeje, e cila u zbatua së pari të mërkurën, rezultoi me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Kombeve të Bashkuara, dhe pikat e marrëveshjes janë të ngjashme me ato të marrëveshjes së bërë në Gaza në vitin 2014.

Autoritetet e regjimit sionist paraqitën kështu 6 pikat e kësaj marrëveshjeje:

* Armëpushim gjithëpërfshirës

* Hapja e të gjitha kalimeve në Gaza dhe heqja e kufizimeve të peshkimit në këtë rajon (deri në 14.5 km)

* Ndihma humanitare dhe ndërhyrja e mjekëve

* Shkëmbimi i të burgosurve palestinezë me sionistët e varrosur në Rripin e Gazës

* Punime gjithpërfshirëse  infrastrukturore në Gaza me burime të jashtme financiare

* Diskutim për çështjen e ndërtimit të portit dhe aeroportit për Rripin e Gazës

Për të treguar se e mbështesin këtë plan, gjatë javës së kaluar, kabineti i regjimit sionist ka miratuar vazhdimin e negociatave për këtë çështje. Këtë vendim e kundërshtoi vetëm ministri i drejtësisë dhe ai i arsimit.

Fundi i konfliktit, i cili është faza e parë e marrëveshjes, hapja e të gjitha kalimeve në Gaza si dhe heqja e kufizimeve të peshkimit filluan të zbatohen të mërkurën, si rezultat i insistimit të ministrit të luftës së regjimit sionist, Avigdor Liberman.

Një tjetër zyrtar izraelit tha në një deklaratë për gazetarët, se marrëveshja do të anulohej nëse grupet e rezistencës nuk e zbatojnë pikën e katërt të marrëveshjes, pra çështjen e dorëzimit të trupave të sionistëve në varrosur në Rripin e Gazës.

Sipas një lajmi të gazetës Haretz të transmetuar nga al-Meyadeen, kjo marrëveshje, e cila do të jetë e vlefshme për një vit, parasheh krijimin e një rruge tregtare detare ndërmjet Gazës dhe Qipros dhe që Katari të sigurojë furnizimin me naftë, gjë që është e nevojshme në rajon.

Pagesa e pagave të anëtarëve të Hamasit është përgjegjësi e Katarit, ndërsa regjimi sionist kontrollon linjat detare të Gazës dhe Qipros.

Gjatë muajve të fundit, situata në Rripin e Gazës është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të sulmeve në rritje të  regjimit sionist ndaj atyre që morën pjesë në protestat e Marshit të Madh të Kthimit dhe për shkak të balonave fluturuese.

Rreth 2 milionë palestinezë të cilët jetojnë në Rripin e Gazës po përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira për shkak të bllokadës tokësore, detare dhe ajrore të Izraelit që nga viti 2006.

Në muajt e fundit janë publikuar lajme të ndryshme për marrëveshjen e armëpushimit midis grupeve të rezistencës në Rripin e Gazës dhe regjimit sionist, por çdo herë ose palët e mohonin armëpushimin, ose ajo anulohej për shkak të ndonjë sulmi.



Burimi : Tasnim News Agency