Në Prishtinë mbahet Panairi i 18-të i Librit

  • None
Publikuar në Qershor 8, 2016, mesnatë

Shoqata e Botuesve të Kosovës është ka përgatitur të gjitha aktivitetet dhe tani është duke zhvilluar Panairin e 18-të të Librit në Prishtinë, që do të mbahet mes datave 7 dhe 12 qershor në Pallatin e Rinisë.

Panairi do të mbledhë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora.

Besian Zeneli, nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, tregon për KosovaLive se në këtë panair po planifikohet të prezantohen rreth 1.200 tituj të rinj dhe rreth 4.500 tituj të viteve të fundit.

Përveç prurjes së titujve, Panairi i Librit sivjet me aktivitete të ndryshme do të shënojë disa jubile që lidhen me shkrimtarë të njohur.

Si zakonisht, Shoqata e Botuesve të Kosovës do të organizojë edhe darkën solemne të Panairit të Librit ku do të jepen çmimet sipas vlerësimit të jurisë speciale për librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar dhe do të shpallen“Shkrimtari i vitit” nga letërsia shqipe dhe “Shkrimtari i vitit” nga letërsia e huaj, si dhe “Stenda më e vizituar e panairit”.

Kjo ceremoni do të mbahet më 9 qershor, në hotel “Prishtina”.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Panairi i parë është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët organizohen gjatë muajve maj-qershor.