Profesor emeritus Pavli Haxhillazi – një jetë në shërbim të fjalës shqipe

nga Hajri Shehu | Publikuar në Jan. 25, 2017, 1:26 a.m.

Për profesor Pavlin e për punën e tij të frytshme mund të ishte shkruar më parë, madje, disa herë. Ani. Edhe tani. Por tani ai nuk është më midis nesh. Dhembja është e madhe. Jo vetëm për familjen e për të afërmit, por edhe për ne, kolegët e shokët.

Profesor Pavli Haxhillazi është ai që punoi një jetë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Ai lindi në Elbasan më 1941. Pasi mbaroi Shkollën Normale, nisi studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira, më 1962. Fill pas mbarimit të studimeve e emëruan në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë. Ai ishte zgjedhur si student shumë i mirë e me perspektivë për punë shkencore. Rrallë ndodhte që të vihej nga auditori tek tryeza e punës shkencore.

E kisha njohur Pavlin që student: i bëshëm, truplidhur, shumë i shoqërueshëm. Në vitin 1972, kur erdha me transferim në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në Sektorin e Pavlit, njoha Pavlin leksikograf. Leksikografi është ai që merret me hartim fjalorësh. Kishte nisur puna për hartimin e Fjalorit shumëvëllimësh të gjuhës shqipe. Në fillimet e tij, përgjegjësi i Sektorit, njëherësh, edhe drejtori i Institutit, profesor Androkli Kostallari, e kishte organizuar punën hartuese për Fjalorin në grupe  me nga dy veta. Një kolegun tim, Thanas Feka, tani profesor, dhe mua na caktuan në grup me Pavlin. Kuptohet, Pavli ishte drejtuesi i grupit. Ai kishte një formim tjetër, shumë më të madh sesa ne, që sapo kishim ardhur. Kjo shihej në shpjegimin e fjalëve, në formulimin e kuptimeve, në ndarjet e kuptimeve, në dhënien e veçorive stilistikore etj. Leksikografi duhej të kishte edhe formim të përgjithshëm shkollor dhe intelektual. Leksikografi duhej të dinte nga të gjitha fushat e jetës, sepse do t’i takonte të shpjegonte fjalë që kishin të bënin me to. Pavli i kishte të gjitha këto formime. Pavli e njihte bukur mirë leksikun e fushave të ndryshme të veprimtarisë njerëzore. Ai kishte edhe një intuitë të veçantë në punën hartuese dhe një njohje të veçantë të leksikut popullor. Formimi gjuhësor e veçmas, ai leksikologjik e leksikografik shihej edhe në diskutimet shkencore në sektor. Kujtoj, p.sh., diskutimin për foljet vetvetore e pasqyrimin e tyre në Fjalor.

Hartimi i fjalorëve shpjegues është, zakonisht punë kolektive. Por edhe te puna kolektive spikat puna individuale. Dhe puna e Pavlit spikaste. Tregues për këtë ishin fletët që vinin nga kryeredaktori. Ndarja e punës kolektive bëhej me shkronja të veçanta a grup shkronjash për çdo hartues. Pavli  merrte gjithnjë më shumë se ne të tjerët.

Në vitet ’70 të shekullit të kaluar kërkohej fort hartimi dhe botimi i Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe. Drejtuesi i Fjalorit, prof. Androkli Kostallari, hartoi grafik javor e mujor pune për hartuesit e redaktorët, por edhe për veten. Sektori u mobilizua si asnjëherë tjetër. Dhe vepra u hartua, u redaktua dhe u kryeredaktua. Kujdesi, këmbëngulja dhe vullneti i Pavlit spikaste, vërtet. Ai e plotësonte punën në afat e me cilësi. Dhe ishte një punë fort e lodhshme. Mijëra skeda duheshin kaluar nëpër duar e në mendje, për të përcaktuar kuptimet, bashkëlidhjet etj. Çdo fjalë ishte një artikull shkencor më vete.

Puna shkencore kryesore dhe detyra shkencore kryesore e sektorit qe hartimi i Fjalorëve kombëtarë të gjuhës shqipe. Profesor Pavli ka qenë bashkëhartues në të gjithë Fjalorët e botuar deri më tani nga Instituti: “Fjalor shumëvëllimësh i gjuhës shqipe”, vëll. I-III (vepër në dorëshkrim; bashkautor); “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980) (bashkautor); “Fjalor i shqipes së sotme” (1984) (bashkautor); “Fjalor i shqipes së sotme” (2002) (bashkautor); “Fjalor i gjuhës shqipe” (2006) (bashkautor); “Fjalor i gjuhës shqipe / për shkollën” (vepër për shtyp) (bashkautor); “Fjalor elektronik i gjuhës shqipe” (2014) (bashkautor) etj. Edhe kaq do t’i kishte mjaftuar prof. Pavlit të kishte një emër të nderuar në shkencën shqiptare. Por ai nuk do të mjaftohej e nuk mund të mjaftohej me kaq.

Në vitin 1969, domethënë, vetëm pak vjet pas emërimit, Pavli boton në revistën “Studime filologjike” studimin “Vëzhgime mbi mbiemrat foljorë me prapashtesën –shëm në gjuhën shqipe”, rreth 20 faqe. Siç dihet, prapashtesa –shëm është shumë prodhimtare në formimin e mbiemrave në gjuhën shqipe. Studimi ka paraqitur shterueshëm vlerën fjalëformuese të kësaj prapashtese, temat fjalëformuese, kuptimet e ndryshme sipas temave fjalëformuese. Edhe sot, ai është një monografi e mirëfilltë e me shumë vija e drejtime studimi.

Artikuj të tjerë shkencorë të prof. Pavlit (mbi 30) janë: “Rreth karakteristikave stilistike të fjalëve në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”” (1980); “Disa veçori leksiko-semantike të fjalëve në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”” (1980); “Çështje të marrëdhënieve të leksikut të shqipes letrare me leksikun dialektor”; “Botimi i dorëshkrimit origjinal të veprës leksikografike trigjuhëshe italisht-greqisht-shqip të Thimi Mitkos” etj.

E veçantë e me shumë vija e drejtime studimi është monografia “Rreth veçorive leksiko-semantike të fjalëve të “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), paraqitur për gradën shkencore “Kandidat i shkencave”. Monografia mbështetet në punën e bërë si hartues i fjalëve të disa shkronjave të këtij Fjalori. Nëpërmjet këtij studimi është vënë në dukje rritja sasiore dhe cilësore që ka pasur leksiku i shqipes, lënda e re në krahasim me “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954), pasurimi i përmbajtjes kuptimore të fjalëve, prirjet e reja në zgjedhjen dhe përdorimin e mjeteve dhe të rrugëve për pasurimin e mëtejshëm të leksikut të shqipes etj. Ajo u vlerësua nga Këshilli shkencor i Institutit si një punim shkencor me cilësi të lartë.

Kumtimet shkencore në konferenca, simpoziume e sesione shkencore dhe oponencat a recensat shkencore për mbrojtje diplomash e disertacionesh a botimesh janë një tjetër drejtim dhe rezultat i punës shkencore të prof. Pavlit. Ai ka recensionuar edhe shumë fjalorë terminologjikë, të botuar nga Akademia Ushtarake, Shtëpia Botuese “8 Nëntori” etj. dhe shumë fjalorë krahinorë.

Punë e veçantë e prof. Pavlit kanë qenë sugjerimet e propozimet shkencore për zëvendësimin e fjalëve të huaja të panevojshme me fjalë e formime shqipe. Ato janë te fjalori “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (Tiranë, 1998). Vlera e tyre mund të spikasë më fort sot, kur kanë vërshuar krejt pa nevojë fjalë të huaja, sidomos në gazetarinë televizive e radiofonike, në shtyp etj.

“Bibliografia e leksikografisë shqipe (1635-2004)” (në librin “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë”) (Tiranë, 2005), hartuar nga prof. Pavli Haxhillazi, Artan Goga e Flora Zeqja, nën drejtimin e prof. Pavlit është një tjetër kontribut i tij i çmuar. Ajo është vetë dëshmia e leksikografisë shqipe dhe një udhërrëfyes për këdo që dëshiron të merret me historinë e saj. Është bibliografi që rrok një histori leksikografie e leksikografi rreth 370-vjeçare.

Prof. Pavli është bashkautor i tekstit të stilistikës për shkollën e mesme. Por punë e çmuar e prof. Pavlit në ndihmë të shkollës janë edhe leksionet e tij në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, seminaret në Universitetin e Tiranës e udhëheqjet e diplomave studentore.

Nga vitet ’90 të shekullit të mëparshëm, prof. Pavli kaloi si redaktor në revistën “Gjuha jonë”. Qe një revistë shkencore, e denjë për emrin që mbante. Me një formim të lartë gjuhësor, veçmas leksikologjik e leksikografik, me njohje të përkryer të leksikut, me kujdesin e tij të veçantë, puna e tij qe shumë e mirë edhe në këtë revistë. Redaktimet e tij zinin vend të palëvizshëm. Ai afroi shumë bashkëpunëtorë të jashtëm në rubrikën “Fjalë dhe shprehje popullore nga të folmet”.

Teorikisht e praktikisht është vërtetuar që të folmet krahinore të shqipes janë një rezervë e mundshme për pasurimin e mëtejshëm të leksikut të gjuhës së përbashkët letrare. Këtu është edhe vlera e fjalës dhe e shprehjes popullore. Dhe kërkimi i fjalës së popullit ka qenë vijë e përhershme pune në Institut dhe në Sektor. Pas botimit të dy Fjalorëve shpjegues të gjuhës së sotme shqipe (1980 e 1984), Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë hyri në një etapë intensive të kërkimit e të mbledhjes së fjalëve dhe të shprehjeve popullore. Kjo etapë kërkonte njohje të thelluar e sistemore të leksikut popullor – në strukturën kuptimore dhe në çerdhen fjalëformuese. Kjo ishte dhe është një ndër kërkesat shkencore kryesore për gjurmimin dhe mbledhjen e tyre. Ekspeditat gjuhësore në fshat kanë qenë një ndër organizimet e Institutit (që me ngritjen e Kartotekës së leksikut të shqipes) për gjurmimin dhe mbledhjen e fjalës popullore. Profesor Pavli jepte shembullin në ekspeditat e përvitshme leksikologjike në fshatra e zona të thella. Ai ka udhëhequr shumë ekspedita leksikologjike me studentë, mësues e bashkëpunëtorë të jashtëm. Profesor Pavli ka bërë edhe dy ekspedita leksikologjike në Kosovë. Ai ka botuar lëndë të zgjedhur leksikore nga ekspeditat në revistën “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë”.

Masivizimi i shkencës dhe në vitet ’80, Aksioni kombëtar për mbledhjen e fjalëve dhe të shprehjeve popullore qenë, gjithashtu punë të rëndësishme të Institutit. Për këtë qenë përcaktuar detyra të veçanta. Rrethet që kishte në kujdes prof. Pavli shkëlqenin. Elbasani, me drejtues Osman Kazazin, ishte ndër të parët. Prof. Pavli i priste e i përcillte shumë ngrohtë të gjithë drejtuesit e Aksionit dhe të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm të Sektorit e të Institutit. Për këtë, ai do të harxhonte kohën e punës në zyrë, çka do t’i duhej të punonte në shtëpi për të plotësuar planin ditor të punës shkencore. Rezultat i këtyre kontakteve e mikpritjeve qe edhe redaktimi dhe botimi i lëndës së përzgjedhur leksikore të bashkëpunëtorëve të jashtëm në revistat e Institutit. Tre shembuj: Falë ndihmës e udhëheqjes shkencore të prof. Pavlit, Veli Dedi (Hero i Popullit / me origjinë nga Kosova) botoi leksik shumë të vyer nga Kosova në disa numra të revistës “Studime filologjike”. Edhe prof. Idriz Haxhiu, pedagog i zoologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, botoi në disa numra të revistës “Studime filologjike”: “Emërtime të amfibëve në shqipen popullore”. Fryt i këtij kujdesi dhe bashkëpunimi është edhe “Fjalor i shqipes së Plavës dhe të Gucisë / me mbi 4 000 fjalë dhe njësi frazeologjike” (Tiranë, 2004), hartuar bashkë me Sulejman Ahmetin, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit.

Pas të gjitha këtyreve, Instituti ka njohur edhe një profesor Pavli të dhënë fort pas luleve. Zyra e tij kishte dy dritare. Parvazet ishin mbushur me vazo. Poshtë në dysheme ishin shqiponjat dhe fikuset. Ashtu bujar siç ishte, profesorit i çelej zemra, kur, sidomos vajzat e gratë e Institutit i kërkonin rrënjë a bisqe lulesh për shumim.

Profesor Pavli ka lënë pas një familje shumë të nderuar. Ai ka tre fëmijë - njëri më i mirë se tjetri. E tërë familja është me arsim të lartë, një tregues shumë kuptimplotë ky edhe për prof. Pavlin.

I paharruar qoftë kujtimi i prof. Pavlit!



Burimi : Media e Lire

Hajri Shehu

Kush është Prof.dr. Hajri Shehu     Ka lindur më 10  qershor 1942 në fshatin Vlosh ...