Martesa sipas drejtës Islame

  • None
nga Faik Miftari | Publikuar në Qershor 9, 2014, mesnatë

         Në të drejtën Islame (Sheriatit) janë katër burime, në bazë të cilit është   përpiluar jurispudenca islame, burimi primar apo kryesor  është Kur’ani(shpallja hyjnore), burimi sekondar është Hadithi( porosia profetike), si dhe burimet terciare janë Ixhmaja ( pajtueshmëria e plot juristëve islam për normat juridike) si dhe Kijasi ( normat juridike në bazë të logjikës dhe analogjisë). Kur’ani është përmbledhje dispozitash, i cili përmban, përveç tjerash, edhe dispozita juridike, por pa hyrë në shqyrtim detaj të tyre.

Dispozitat juridike  shqyrtohen dhe trajtohen nëpërmjet burimeve sekondare dhe terciare. Hadithi është burimi i dytë i së drejtës islame, pas burimit kryesor, Kur’anit. Profeti Muhamedi a.s i ka elaboruar më në detaje dispozitat e përgjithshme që kanë të bëjnë me lëmenjtë e ndryshme shoqërore. Veprimet dhe rekomandimet e t’ia për çështje të caktuara kanë shërbyer si burim sekondar i hartimit të së drejtës Islame (Sheriatit). Burimi i tretë është Ixhmaja që nënkupton pajtueshmërinë e plotë për vendimet e marra njëzëri të juristëve Islam për ndonjë çështje të caktuar. Këta në mënyrë kompetente kanë komentuar dispozitat e Kur’anit dhe Hadithit, dhe në mungesë të ndonjë çështje të caktuar nga burimet primare dhe sekondare, kanë përpiluar vet norma  juridike. Kijasi është burimi i katërt i së drejtës Islame (Sheriatit), me të cilin juristët islam kanë nxjerr norma të caktuara duke u shërbyer me logjikë dhe analogji nga dispozitat ekzistuese juridike. Kijasi apo analogjia mund të konsiderohet më tepër si një burim indirekt i së drejtës Islame.

 

         Familja sipas së drejtës islame është celulë themelore e shoqërisë në përgjithësi, dhe si e tillë në të drejtën Islame i është kushtuar një ndër vendet më të rëndësishme në shoqërinë njerëzore, për këtë arsye edhe në burimin kryesor të së drejtës Islame, Kur’anin, në shumë ajete  flitet për rëndësinë e familjes, gruas, fejesës, martesës, trashëgimisë duke marrë parasysh që edhe një kaptinë e tërë mban emrin Nisa që do të thotë gratë. Njashtu edhe në burimin sekondar të së drejtës Islame, Hadithin,  rregullohen marrëdhëniet familjare, martesën, raportet farefisnore, etj. Juristët islam në bazë të burimit primar të së drejtës Islame, Kur’anit, si dhe burimi sekondar të së drejtës Islame kanë përpiluar rregullat për institucionin e martesës e cila është bazament i krijimit, zhvillimit, harmonisë, mbijetesës,  ruajtjes dhe forcimit  të familjes si faktor themelor për ruajtjen dhe zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Do të ndalem  në disa kapituj kryesore që rregullojnë çështjen e martesës, sikurse që janë: Rëndësia e martesës, Kufizimet e martesës, Kushtet e martesës, Fejesa, Martesa e përzier, Poligamia, Të drejtat dhe detyrimet,  Shkurorëzimi,  dhe në fund  Përfundim  rreth temës së elaboruar në këtë punim shkencor.

                                        Rëndësia e martesës

 

         Martesa urdhërohet në burimin kryesor të së drejtës islame, në Kur’an në suren  e katërt Nisa (Gratë) në ajetin e tretë : ” ...martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e nëse frikësohuni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua...”[1] .  “Juristët islam e definojnë martesën si kontratë martesore të arritur në mes burrit dhe gruas me ç’rast fitojnë të drejtën ligjore të jetojnë në marrëdhënie intime”[2] Nga kjo e drejtë ligjore krijohen të drejtat dhe detyrimet martesore si për burrin ashtu edhe për gruan, me ç’rast do të ceki disa sikurse që janë: poligamia, monogamia, të drejtat trashëgimore , posedimi i pasurisë, pasuria që trashëgon gruaja nga prindërit e saj, si e drejtë ekskluzive të posedimit të saj etj. Martesën e ka preferuar dhe udhëzuar edhe pejgamberi Muhamedi a.s në hadithin e tij:” Kush martohet, i ka të ruajtura dy të tretat e fesë së tij”[3] Nga kjo mund të konkludojmë se sa e rëndësishme është martesa dhe si i tillë përveç ruajtjes së fesë, ka edhe vlera tjera të shumta, pikësëpari nëpërmjet martesës bëhet reprodukimi i  shoqërisë njerëzore, krijohet  harmonia familjare, jep kurajo shtesë për të punuar, krijuar më shumë, pasi që nga kjo lindin edhe obligimet shtesë. Martesa si e tillë është mbrojtëse e moralit, shëndetit të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

 

Martesa sipas drejtës Islame definohet sipas tri kategorive të përcaktuara: ” 1. martesa është vaxhib (obligative), 2. martesa është mustehab (e preferuar), 3. martesa është mekruh (jo e pëlqyer )”[4] Martesa është vaxhib( obligative) personave  që kanë kushte materiale, strehë banimi (shtëpi apo banesë), të ardhura të mjaftueshme financiare për të mbajtur veten, gruan dhe fëmijët, dhe se nuk mund të përmbahen nga amoraliteti, pasi që martesa  e mbron  nga amoraliteti i mundshëm. Martesa është mustehab( e preferuar)  atyre personave që ka mundësi materiale për të mirëmbajtur gruan dhe fëmijët, dhe se janë të sigurt  se mund të përmbahen nga marrëdhëniet jashtëmartesore. Martesa është mekruh (jo e pëlqyer)  për të gjithë ata persona të cilët nuk kanë mundësi materiale për të përmbushur nevojat e gruas dhe të familjes, si dhe  neglizhojnë detyrimet martesore që lindin me aktin e martesës, por që mund të përmbahen nga amoraliteti.

         Martesa në disa raste specifike mund të jetë edhe e ndaluar, sikurse për shembull personave që vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike të pashëruar (p.sh. sëmundje venerike, sëmundje psikike, fizike), varfëria e skajshme nga e cila nuk e sheh ndonjë perspektivë se  një ditë mund të tejkalohet dhe të krijojë mundësi materiale për martesë.

 

         Në përfundim të kësaj mund të përmbyll se drejta Islame preferon  martesën të gjithë personave që kanë mundësi materiale dhe mund të mbajnë familjen e tyre dhe të jetojnë një jetë normale martesore. Shkurt Islami preferon martesën, ndërsa  nuk preferon celibatin (jomartesën).

 

                                           Kufizimet e martesës

 

         Sipas së drejtës Islame martesa karakterizohet  me disa kufizime, nga të cilat nuk mund të kryhet martesa në mes kategorive të lidhjeve të caktuara shoqërore. Në kufizimin e martesës bëjnë pjesë pengesat të cilët si të tilla nuk lejojnë të kryhet martesa. Pengesat martesore janë dy lloje:” të përheshme (të pashmangshme) dhe të përkohshme (të shmangshme)”[5]  Pengesat e përhershme janë gjithsejtë tri lloje: “ lidhje gjaku (neseb), lidhje e qumështit (red’a) dhe lidhje krushqie ( sihrijet)”[6] Të gjitha këto kufizime të martesës janë të parapara sipas ajeteve kur’anore dhe si të tilla janë të përhershme dhe vlejnë për të gjitha kohëra, pa marr parasysh rrethanat e ndryshme shoqërore, periudhat e caktuara kohore apo kushtet jetësore. Kufizimet apo pengesat e martesës me persona të caktuar të gjinisë femërore me të cilët janë të parapara ndalesat e përhershme apo edhe të përkohshme janë të parapara në ajetin e 23-të të sures  Nisa: “ Ju ndalohet martesa  me nënat e tuaja, me bijat e tuaja, me motrat tuaja, me hallat e tuaja, me tezet e tuaja, me bijat e vëllezërve dhe bijat e motrave, me nënat (gratë) që ju kanë dhënë gji, me motrat e tuaja, që kanë thithur prej një gjiri, me nënat e grave tuaja,  me vajzën e gruas suaj që gjendet nën kujdestarinë tuaj, nëse me atë grua keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, e nëse nuk keni pasur marrëdhënie bashkëshortore, atëherë nuk ka pengesa. Ju ndalohet martesa me gratë e bijve tuaj dhe t’i  bashkoni dy motra, përveç rasteve që kanë kaluar. Pa dyshim, Allahu është falës dhe mëshirëplotë.”[7] Nga ky ajet kur’anor rrjedhin çartë përkufizimet juridike të ndalimit të martesës me kategorinë e caktuar të femrave sipas lidhjes së gjakut, qumështit dhe krushqisë.

         Sipas lidhjes së gjakut martesa është e ndaluar: me nënën, nënën e nënës(gjyshja nga ana e nënës), nënën e babës (gjyshja nga ana e babës), vajzën dhe vajzat e tyre (mbesat), vajzat e djemve (mbesat), motrat dhe vajzat e motrave (mbesat), vajzat e vëllezërve (mbesat), motrat e nënës (tezet), motrat e babës (hallat).

 

         Poashtu edhe pejgamberi Muhamed a.s në një hadith të tij ka thënë:

“Çdo gjë që është e ndaluar të hynë në martesë sipas lidhjes së gjakut, është e ndaluar edhe sipas lidhjes së qumështit”[8]. Kur jemi te lidhja e qumështit do të sqarojë se çfarë nënkupton ndalimi i martesës sipas lidhjes së qumështit, pasi që  kufizimi i martesës sipas lidhjes së gjakut dhe lidhjes krushqie është e njohur, ndërsa ndalimi sipas lidhjes së qumështit është më pak e njohur. Më parë ka qenë  traditë sidomos tek arabët, që foshnja të merr gji përveç nënës edhe nga gratë tjera, për shkak të mungesës së qumështit të nënës së vet, apo për arsye tjera specifike, sëmundjes, varfërisë, njashtu edhe tek neve ka qenë e shprehur dhënia e gjirit prej mëndeshave  për shkak të mungesës së qumështit të nënës, nëna ka qenë e detyruar që foshnjën ta ushqejë me qumështin e gjirit të grave tjera të përafërta apo më të largëta. Lidhja sipas qumështit ndodh ashtu që ndonjë grua tjetër, jep gji foshnjës, pas kësaj pason kufizimi apo ndalimi i martesës si pasojë e lidhjes së qumështit. Kjo dukuri  shumë pak ose fare pak është e njohur. Një grua që jep gji  fëmijës tjetër, automatikisht fëmijët e saj shndërrohen në vëllezër dhe motrat e foshnjës sipas lidhjes së qumështit, personi i cili  lidh martesën me motrën e tij sipas lidhjes së qumështit, martesa e tillë është e pavlefshme sipas së drejtës Islame (sheriatit). Sipas lidhjes së qumështit ndalohet martesa me nënën ( gruan apo gratë që kanë dhënë gji) sipas qumështit, vajzat sipas qumështit, motrat sipas qumështit etj. Do të thotë ndalimi që vlen për martesat sipas lidhjes së gjakut njashtu vlen edhe sipas lidhjes së qumështit.

 

         Sipas lidhjes krushqie martesa është e ndaluar me nënën e gruas (vjehrrën), me vajzën e gruas nga burri tjetër që ka qenë më parë e martuar, me gratë e djemve (nuset), si dhe të martuarit njëkohësisht së bashku dy motrat, por me rastin e vdekjes së një motre, nuk është e ndaluar të martuarit me motrën e saj, që në traditën tonë ka qenë e përhapur, edhe sot e kësaj dite ka raste që veprohet pa kurrfarë pasoja, martesa me balldëzen (baxhanakeshën), pas vdekjes eventuale të gruas.

 

         Përkufizimet e përkohshme të martesës janë, martesa e dy motrave së bashku, për të cilët folëm më parë, si dhe ndalimi i martesës për shkak të gruas që gjendet në periudhën e iddetit ( periudha e caktuar kohore e përkohshme në të cilin është e ndaluar martesa). Kjo periudhë kohore nënkupton dy raste të veçanta që kanë të bëjnë me gruan e cila gjendet në iddet. Rasti i parë është kur gruas i vdes burri, pas kësaj e ka të ndaluar të martohet në periudhën kohore prej 4 muaj e 10 ditë, ndërsa në rast se eventualisht ka mbet shtatzëne me burrin që ka vdek, atëherë kjo periudhë kohore llogaritet gjer në nëntë muaj, deri me lindjen e foshnjës, si dhe 40 ditë pas lindjes së foshnjës, në të cilin pason periudha e nifasit. Rasti i dytë është për shkak të ndarjes së gruas nga burri(shkurorëzimit), me ç’rast periudha kohore e saj në të cilin nuk mund të martohet, është kalimi i tri cikleve të menstruacionit, e në rast se eventualisht është shtatzëne, atëherë periudha kohore e saj llogaritet nëntë muaj, deri në lindjen e foshnjës, si dhe 40 ditë pas lindjes së foshnjës, pas së cilit pason periudha e nifasit, do të thotë gjithsejtë 10 muaj e 10 ditë. Njashtu edhe gruan që është në kurorë valide (legjitime) nuk ka të drejtë mashkulli ta martojë, këtë të drejtë eventuale mashkulli mund të fitojë vetëm pasi që ajo të jetë e shkurorëzuar nga burri i saj i mëparshëm. Kjo vlen edhe në rastin kur vajza është e fejuar, nuk ka të drejtë mashkulli tjetër ta fejojë apo martojë. Këtë të drejtë mund të fitojë vetëm atëherë kur vajza eventualisht për shkaqe të ndryshme mund të prish fejesën me dëshirën e saj, kjo  praktikohej edhe në të drejtën zakonore.

 

         Poashtu nuk preferohet që muslimani të martojë prostitutën, njashtu edhe gruaja të martohet për njeriun i cili është i prirur  jetës amorale, në se këta persona për sjelljet e tyre janë penduar atëherë mund të martohen, pasi që Zoti është mëshirues dhe pranon pendimin e sinqertë.

 

                                         Kushtet e martesës

 

         Për çdo punë juridike e cila kryhet duhet të paraprijë disa kushte elementare të caktuara të cilët duhet plotësuar për të qenë valide kontrata . Pasi që edhe martesa është një kontratë e përpiluar me pëlqimin e të dy palëve (burrit dhe gruasë) ajo në vete duhet të përmbajë elementet e caktuara të cilët i japin fuqi ligjore.

 

         “Juristët islam preferojnë që kushte për vlefshmërinë e martesës mund të jenë dy llojesh: a) shurutun-nikah(parakushtet për lidhjen martesore); b) erkanun-nikah(kushtet gjatë lidhjes martesore)”[9]

 

a)     parakushtet për lidhjen martesore janë:” liria e palëve(hurrijet), shëndeti psiqik dhe mendor(‘akl), mosha madhore(bylyg), liria e dëshirës së palëve(ridaut-terefejn), si dhe lidhja jofarefisnore mes vete(karabet)”[10]

Liria e palëve nënkupton lirinë e plotë pa ndonjë kufizim eventual për të hyrë në kontratë martesore për mashkullin ashtu edhe për femrën. Disa prej parakushteve janë si p.sh. që palët të mos jenë eventualisht në kurorë , të gjenden në liri, të mos jenë  në burg, internim, të zënë rob. Gruaja poshtu duhet të jetë e lirë dhe të mos jetë në periudhë kohore të pritjes martesore, për të cilët folëm më parë. Shëndeti psiqik dhe mendor nënkupton që kandidatët për martesë duhet të jenë psiqikisht të aftë dhe të kenë shëndet me rastin e lidhjes së kontratës martesore. Palët që eventualisht kanë qenë psiqikisht të sëmur, apo kanë vuajtur nga ndonjë traumë apo çrregullim mendor, por pas terapisë së përdorur janë shëruar, mund të lidhin martesën pas shërimit pa kurrfarë kufizimi eventual . Mosha madhore nënkupton që palët mund të lidhin martesë në moshën e rritur, dmth. të mos jenë të mitur. Sipas së drejtës Islame(sheriatit) mosha madhore për   të lidhur kurorë martesore është 15 vjet.

Liria e dëshirës së palëve nënkupton lirinë e plotë të të dy palëve me vullnetin e tyre për të lidhur martesë. Preferohet pëlqimi i prindit, kujdestarit apo tutorit, por në asnjë mënyrë prindi, kujdestari apo tutori nuk ka të drejtë të kushtëzojë apo të detyrojë sidomos femrën që të lidhi martesën në rast se ajo e kundërshton dhe nuk ka dëshirë të martohet me personin e preferuar nga prindi apo kujdestari i saj. Preferohet sidomos për vajzat që mendojnë të martohen partnerin që e zgjedhin të i përgjigjet  besimit të saj, moralit ë saj, arsimimit të saj, gjendjes ekonomike dhe financiare të saj, pasi që pas martesës mund të ballafaqohet me probleme të cilët do të shkaktojnë pasoja eventuale për psiqikën e saj. Sidomos preferohet pëlqimi i prindit apo kujdestarit të saj për shkak se ajo në moshën e re mund edhe të gabojë gjatë përzgjedhjes së saj, ndërsa prindi i saj dëshiron për vajzën e vet gjithë të mira në këtë botë dhe një jetë të lumtur bashkëshortore. Ndërsa për gratë që kanë qenë të martuara, nuk preferohet pëlqimi i prindit apo kujdestarit eventual, pasi që ajo është e aftë vetë të vendosë, duke pas parasysh se më parë ka qenë e martuar. Lidhja jofarefisnore nënkupton që palët të mos jenë në lidhje eventuale sipas gjakut, qumështit, krushqie që folëm në nënkapitullin e mëparshëm.

         Kushtet për lidhjen martesore janë: ”a) ofrimi i martesës (ixhab);   

b) pranimi i ofertës martesore (kabul); c) dëshmia e martesës të jetë në kohë dhe vend të njëjtë (ittihadul mexhlis); d) që palët të kumtojnë njëra tjetrës pranimin e martesës; e) që akti i kurorëzimit të bëhet në praninë e dëshmitarëve; f) të kontraktohet lartësia e dhuratës (mehrit)”[11] Preferohet prezenca e dy dëshmitarëve me rastin e lidhjes martesore, sepse mos  prezenca e tyre nënkupton martesën të pavlefshme.

 

         Mehri(dhurata) është një prej plotësimit të kushteve martesore me të cilin nënkuptohet dhuratat apo obligimet materiale që burri duhet t’i dhurojë gruas  si në rastin e lidhjes martesore, poashtu edhe me rastin e sigurimit material kohor me rastin e vdekjes eventuale të burrit apo me rastin e shkurorëzimit eventual të tij nga gruaja. Gruaja kur e pranon mehrin(dhuratën) nga burri, ajo është pronare dhe poseduese e vetme e saj, ajo mund të disponoj me të, të dhuroj prindërve të saj, burrit ë saj, fëmijëve të saj, apo ta mbaj për vete sipas dëshirës së saj. Mehri( dhurata) është dy llojesh: “ mehri muaxhel dhe mehri muexhel”[12]

 

Mehri muaxhel nënkupton të gjitha dhuratat martesore që i jep burri gruas me rastin edhe të fejesës por edhe të martesës, sikurse stolitë e arit,veshjes, mbathjes, dhe të tjera, ndërsa mehri muexhel nënkupton sasinë e të hollave apo të lirave të dukatit të përcaktuar me rastin e kontratës së martesës nga ana e gruas. Lartësia e saj nuk është  e përcaktuar, porse minimalja preferohet që të jetë në një lartësi të shumës minimale jetësore për periudhën kohore një vjeçare, ashtu që gruaja gjatë saj periudhe kohore një vjeçare të ketë të  mira materiale të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe fëmijët e saj, me rastin e vdekjes  të burrit apo edhe me rastin e shkurorëzimit  të burrit nga ajo. Mehri muexhel mund të përcaktohet edhe më vonë, pasi që të kryhet akti i kurorëzimit që për një arsye apo tjetër është anashkaluar apo nuk është përcaktuar në kohën e lidhjes së martesës.

 

Fejesa

 

         Fejesa llogaritet  një kontratë jo e shkruar, një marrëveshje e arritur gojore në mes mashkullit dhe femrës, si dhe me pëlqimin e plotë të prindërve të të dy palëve. Me rastin e lidhjes së fejesës  palët shkëmbejnë unazat e fejesës dhe dhurata të vogla në mes vete. Gjatë kësaj kohe të fejuarit njihen më së përafërmi në mes vete dhe me familjet e tyre. E drejta Islame jo vetëm që ka lejuar por edhe e ka preferuar fejesën pasi që në këtë mënyrë mund të shihen,  dhe të njihen me ç’rast gjatë kësaj kohe mund të evitojnë edhe mos pajtimet e mundshme të cilët  gjatë periudhës martesore mund të sjellin mosmarrëveshje apo kokëçarje të ndryshme pasi që martesa karakterizohet me valët herë të qeta, por kohë pas kohe mund të jenë edhe të turbullta. Tradita islame preferon që të dy palët të shihen dhe të njihen në mes vete para martesës. Fejesa daton që nga koha e profetit Muhamedit a.s i cili në një hadith (porosi) të tij ka thënë:” Ka ardhur një njeri dhe më ka thënë që  do të martojë një vajzë nga Medineja. Muhamedi a.s e pyeti a e ka parë atë, njeriu iu përgjigj që nuk e ka parë fare, atëherë profeti i tha: shko dhe shihe, sepse në mes vajzave medinase ka të bukura por edhe të shëmtuara( transmetuan Muslimi dhe Nesai)”[13]

 

E drejta Islame e preferon fejesën, por ka martesa edhe pa fejesë, me kusht që të plotësohen parakushtet dhe kushtet e martesës dhe nuk ka kufizimet e martesës për të cilët folëm më parë në kapitujt e përparshme. E drejta Islame i jep një siguri juridike jo të shkruar fejesës së arritur,  pala e tretë nuk ka të drejtë të fejojë  vajzën që është fejuar, këtë gjë mund të bëjë vetëm  për ndonjë arsye fejesa ekzistuese është prishur me marrëveshje. Nëse fejesa prishet, palët janë të obliguar t’i kthejnë dhuratat e bëra gjatë fejesës.

 

Martesa e përzier

 

Me martesën e përzier nënkuptojmë martesën në mes të gruas dhe burrit të cilët i përkasin feve të ndryshme apo ideologjive të ndryshme. Sipas së drejtës Islame femrës muslimane i lejohet martesa vetëm me mashkullin që i përket fesë Islame, ndërsa meshkujve musliman i lejohet të martohen edhe me femra tjerë që i përkasin feve hyjnor, me krishteren apo hebrejen. Juristët islam këtë fakt juridik mbi martesën e përzier e bazojnë në dispozitat të burimit primar, Kur’anit, dhe burimit sekondar, Hadithit, por edhe në një fakt tjetër plotësues pasi që të krishterët dhe hebrejët nuk e pranojnë fenë Islame si shpallje hyjnore dhe profetin Muhamedin a.s si i dërguar me misionin e tij  Islam. Përkundër kësaj, Islami dhe muslimanët, e pranojnë fenë krishtere dhe hebreje si fe hyjnore të shpallura nga Zoti, si dhe profetët Musën dhe Isën si të dërguar të Zotit me misionin e tyre deklarues fetar.

         Janë disa fakte që do të ceki këtu që e bëjnë të pamundshme dhe jo realizuese martesën e përzier në mes femrës muslimane dhe mashkullit jo musliman. Në këtë martesë femra muslimane mund të ketë të rrezikuar besimin e vet, pasi   sipas së drejtës Islame shtyllë e familjes është burri i cili është bartës kryesor i detyrimeve dhe i angazhimeve familjare për mirëqenien materiale familjare. Poashtu muslimanët kanë disa rregulla fetare që dallojnë në masë të caktuar nga të krishterët dhe hebrejët, të cilët duhet t’i përmbahen, p.sh. rregullat e gusllit (larjes), abdestit, taharetit (pastrimit), ndalimi i konsumimit të gjërave të ndaluara ushqimore, mishi i derrit dhe yndyrra e derrit, ndalimi i konsumimit të pijeve të caktuara të ndaluara, birra, alkooli dhe vena. Nga ky aspekt femra muslimane në martesën e përzier do të has edhe në vështërsi të tjera të caktuara, sikurse që janë edukimi i fëmijëve,  me ç’rast burri do të dëshiroj të edukojë fëmijët sipas përkatësisë së vet fetare, që është e drejte e logjikshme dhe e natyrshme e tij, e gruaja muslimane në një mënyrë apo tjetër  mënyrë, në çoftëse jo në mënyrë direkte atëherë në mënyrë indirekte do të përcjell tek fëmijët e saj bindjet e saja fetare, ashtu që patjetër do të lindin problemet martesore. Sipas aspektit fetar, më mirë është, në rast se nuk mundet të edukohen fëmijët në frymën islame, të edukohen në frymën e feve hyjnore (krishtere dhe hebreje), dhe assesi të edukohen në ndonjë frymë tjetër politeiste apo ateiste që nga aspekt islam është i papranueshëm.

 

         Në anën tjetër mashkullit musliman i lejohet martesa me femrën çofte hebreje apo krishtere, pasi që e kanë statusin e tyre juridik, fe të shpallura nga Zoti, edhe pse është e lejuar martesa e përzier , në praktikë nuk është e preferuar, pasi që edhe këtu lindin probleme të caktuara që mund të vështërsojnë martesën e tillë. Kjo martesë e përzier mund të preferohet në ato vende apo shtete ku muslimanët janë pakicë në krahasim me krishterët që janë shumicë, dhe  kanë vështërsi për të gjetur për martesë një femër muslimane, dhe  më mirë është të martohet me një femër të përkatësisë fetare hebreje apo krishtere, sesa që të mbetet i pamartuar dhe si i tillë mund të jepet pas jetesës amorale, që sipas aspektit islam nuk është  e lejuar. Por në rast se mashkulli musliman jeton në një vend apo shtet me shumicë muslimane, nuk preferohet që të martojë një jomuslimane, sepse  nuk e ka problem për të gjetur vajza muslimane. Po edhe gjatë martesës me jomuslimanen, çoftë krishtere apo hebreje, burri duhet të tregoj kujdes dhe respekt të plotë ndaj gruas së vet, dhe të lejojë që ajo të jetojë jetën e vet dhe të zbatoj rregullat e veta fetare, njashtu që t’i lejojë pa kurrfarë kufizimi shkuarjen e saj në kishë apo sinagogë për të kryer ritet e saja fetare. Por në rast se ajo shpreh  dëshirën  që të kalojë në fenë Islame, si pasojë e mirësjelljes së burrit  ndaj saj, ajo atë mund të bëjë vetëm me dëshirë dhe me vullnetin e lirë , pa asnjë presion çfarëdo çoftë, direkt apo indirekt, pasi që me një veprim eventual të këtillë të burrit të saj, atëherë do të shkelet parimi islam për lirinë e besimit, pasi  postulati islam është i prerë:

” nuk ka detyrim në  fe”[14] Por nga kjo martesë e përzier në mes burrit musliman dhe gruas jomuslimane, fëmijët që do të lindin, duhet të edukohen dhe të marrin  edukatë sipas parimeve islame. Por edhe me dëshirën e prerë të burrit musliman, kjo mund të mos ndodh, pasi që me rastin e e vdekjes eventuale të tij, gjersa fëmijët mbesin  të mitur, atëherë ata do të rriten dhe edukohen sipas besimit dhe bindjes fetare të nënës së tyre jomuslimane. Për këtë shkak por edhe për shkaqe të tjera sekondare edhe pse është e lejuar martesa e përzier sipas së drejtës Islame, nuk preferohet pasi që si e tillë sjell probleme  të ndryshme,  edhe me mosdashje, apo në mënyrë indirekte që martesën e tillë e bëjnë jofunksionale me telashe dhe probleme të ndryshme.

 

                                                         Poligamia

 

         “Islami e ka ndaluar poliandrinë (martesa e një femre me disa burra), por e ka lejuar poligaminë (martesa e një mashkulli me disa gra), çoftë ajo e njëkohshme ose graduale. Poligamia e njëkohshme është kurrë burri ka më shumë gra në të njëjtën kohë, ndërsa poligamia graduale është kur burri pas ndërprerjes së martesës paraprake mund të lidh martesë të re”[15]

 

         Poligamia sipas së drejtës Islame e ka bazën në burimin primar të së drejtës, në Kur’an, në të cilin është përshkruar në ajetin e tretë të kaptinës Nisa(Gratë): ” ...martohuni me ato gratë që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e nëse frikësohuni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua...”[16]

 

Nga ky ajet kuranor shihet se edhe pse Islami e lejon poligaminë, ai e preferon monogaminë, pasi që poligamia si fakt juridik është vështirë të zbatohet dhe të praktikohet në realitet. Poligamia ka kuptim më tepër në raste specifike apo të jashtëzakonshme, atëherë sidomos pas përfundimit të luftërave të ndryshme me ç’rast si pasojë e luftërave pakësohet në një masë të madhe numri i meshkujve dhe në këtë rast lejohet që të martohen më shumë gra për një burrë, me të cilin do të parandalohet përhapja e amoralitetit si pasojë e marrëdhënieve jashtëmartesore, pastaj si pasojë e vdekjes së burrit, njashtu edhe në rastin kur gruaja është sterile (nuk ka mundësi biologjike të lindjes), preferohet burri që të martojë gruan tjetër për të pasur fëmijë (pasardhësit) që do të trashëgojnë, kjo është sidomos prezent edhe në të drejtën zakonore të popullit tonë gjatë periudhave të ndryshme kohore. Përveç këtyre shembujve që i përmenda, po deshi një burrë të martojë më shumë se një grua, e ka të vështirë, pasi që është e pamundur në të njëjtën kohë të zbatojë drejtësi dhe dashuri të njëjtë ndaj të gjitha grave të martuara, po edhe po te kishte dëshirë,  ana psiqike dhe emocionale e njeriut si qenje njerëzore ia  pamundëson që të ketë të njëjtat pikëpamje për të gjitha gratë.

 

         Në kohën aktuale në të cilin jetojmë dhe veprojmë, në fazën e zhvillimeve ekonomike, informative, teknologjike të shoqërisë në përgjithësi si dhe në aspektin biologjik të lindjeve të përafërta gjysmë për gjysmë të foshnjave meshkuj dhe femra, në përgjithësi në sipërfaqen tokësore,  logjika njerëzore e definon poligaminë të pamundshëm dhe konform saj edhe të pazbatueshëm në kushte aktuale normale jetësore. Për këtë shkak edhe drejta Islame e preferon monogaminë, martesën vetëm me një grua në kushtet normale ekzistuese aktuale shoqërore. Po të themi edhe në mënyrë aproksimative që një burrë i marton katër gra njëkohësisht, duke ia plotësuar të gjithave të njëjta kushte të banimit, gjendjen e njëjtë materiale, financiare, të ushqimit, të veshmbathjes e kushteve të tjera qe kanë nevojë, nga instinkti i tij biologjik është e pamundur që edhe ndaj katër grave të shfaq dashuri të njëjtë, ky është sipas meje ndoshta edhe parësor që burri të preferoj martesën me një grua në një periudhë të caktuar kohore, e në rast se eventualisht i vdes gruaja, apo e braktis ajo për çfarëdo arsye, apo është sterile, edhe pse në ditët e sotshme edhe për sterilitet janë gjetur metoda të reja shkencore mjekësore me anë të së cilës shërohet sikurse steriliteti i femrave po ashtu edhe të meshkujve, dhe njëra prej metodave më e efikase është metoda IVF (in vitro fertize-fekondimi i mbështetur)  me të cilën shërohet steriliteti në përqindje prej 40-50% tek femrat sterile në nivel botëror.

 

         Edhe pse poligamia është e lejuar sipas së drejtës Islame, por jo edhe e preferuar, si e tillë përdoret shumë pakë në shtetet islame në kohën aktuale në të cilin gjendemi, dhe se në rast se persona të caktuar dëshirojnë të kenë në martesë njëkohësisht më shumë se një grua, kjo mund të lejohet duke pas parasysh plotësimin e shumë kritereve për këtë, sikurse që është gjendja e mirë materiale, gjendja psiqike, fizike, nevoja eventuale për të pasur fëmijë, për shkak të gruas sterile e kështu me rrallë.

 

                                           Të drejtat dhe detyrimet

 

         Pas lidhjes së kontratës  martesore, të posamartuarit fitojnë të drejta dhe detyrimet gjatë tërë periudhës martesore gjer në vdekje të njërit apo tjetrës, apo shkurorëzimit eventual të tyre. “ E drejta Islame njeh detyrimet ligjore dhe kontraktuese. Sa i përket detyrimeve të burrit ndaj gruas, ajo konsiston në përkujdesjen materiale të gruas si dhe në sjelljen e mirë dhe korrekte ndaj saj”[17] Nga kjo rrjedhin detyrimet që duhet plotësuar burri, ashtu që ai duhet të punojë për të fituar të mira materiale me ç’rast do të mund të mirëmbajë familjen e tij me mjete të nevojshme për jetë. Në rast se nuk do të punojë dhe nuk do të kujdeset për çfarëdo arsye dhe me këtë e rrezikon mbijetesën e familjes së tij për të shëndrruar atë në barrë të  afërmve të tij apo të shoqërisë, atëherë sipas së drejtës Islame gjyqi ka të drejtë të detyroj atë për të punuar, e në rast se nuk i përfillet kësaj kërkese atëherë gjyqi mund të prish kurorën . Burri është i obliguar që në mënyrë më të mirë të mundshme të sillet ndaj gruas, në mënyrë humane, njerëzore, assesi në asnjë mënyrë të ofendojë, poshtërojë, shajë, maltretojë, akuzojë për një arsye apo tjetër. Burri është i obliguar të lejojë që grua një herë në javë të vizitojë familjen e saj( në rast se jetojnë në një vendbanim të njëjtë), ndërsa farefisin tjetër më të largët, bile një herë në vit. Në rast të sëmundjes së prindërve të saj(babait dhe nënës) dhe në mungesë të kujdesit të tyre nga fëmijët tjerë, ajo ka të drejtë, edhe në rast të kundërshtimit të burrit të saj, që do të thotë edhe pa pëlqim të tij,  ka të drejtë të kujdeset për prindërit e saj të moshuar apo të sëmurë, bile edhe materialisht të ndihmojë ata në rast se nuk kanë kushte të mjaftueshme materiale për të mbajtur veten . Poashtu gruaja ka të drejtë të posedojë dhe të shpenzojë si të dojë ajo  me pasurinë të trashëguar nga prindërit e saj, dhe  në këtë pasuri të saj burri nuk ka të drejtë të përzihet dhe të kërkojë gjë prej pasurisë së saj . Gruaja ka të drejtë që atë pasuri të shpenzojë për nevojat e familjes , por mund të ndihmojë dhe të shpenzojë edhe për të afërmit e saj pa kurrfarë kundërshtimi dhe përzierje të burrit. Burri duhet të jetë i kujdesshëm ndaj gruas sidomos gjatë shtatëzanis së gruas, si dhe periudhës prej 24 muajsh gjatë  cilës kohë gruaja jep gji foshnjës së tyre  të përbashkët. Përparësia e burrit ndaj gruas qëndron për një shkallë më të lartë, pasi që  karakterizohet me konstruksion fizik  më të fortë në raport me gruan, dhe për këtë shkak është edhe i obliguar të kryejë punët e jashtme, si dhe të ofrojë një siguri të plotë gruas dhe familjes.

 

Detyrimet e gruas ndaj burrit, përveç tjerash janë: të jetë besnike dhe të ketë mirësjellje ndaj burrit, pa pëlqim të burrit të mos pranoj në shtëpi apo banesë persona që nuk i njeh dhe nuk janë farefis i burrit apo i saj, të mos jep gjësende me vlerë pa dijen dhe lejen e burrit të vet, të njoftoj burrin kur shkon tek prindërit  apo farefisin e saj, nuk bën të vizitojë vende të caktuara, që nuk i pëlqejnë burrit dhe të cilat mund të jenë shkak i prishjes së harmonisë familjare, të ketë mirësjellje ndaj familjes dhe farefisit të burrit, njashtu sikurse sillet ndaj  familjes dhe farefisit të vet, të ndërroj vendbanimin e qëndrimit dhe jetesës në rast të puna e burrit e kërkon me qëllim të përkohshëm apo edhe të përhershëm, të ketë marrëdhënie intime të rregullta me bashkëshortin e vet, përveç rasteve të caktuara kur i ka të ndaluara, sikurse në rastin e hajzit (gjatë ciklit të rregullt të menstruacioneve, 5-7 ditë, varësisht prej zgjatjes së ciklit), si dhe gjatë periudhës kohore të nifasit ( 40 ditë pas lindjes së foshnjës). Gruaja është e obliguar të kryejë punët  e brendshme të shtëpisë, sikurse që janë përgatitja e ushqimit, mirëmbajtaja e higjienës shtëpiake, pastrimi, edukimi, mësimi dhe përgatitja e fëmijëve gjatë ballafaqimit të tyre me jetën.

 

         Kurora  e gruas është materniteti i saj, një dhunti e posaqshme prej Allahut të madhëruar, pa të cilin nuk do të ishte i mundshëm vazhdimi i shoqërisë njerëzore në përgjithësi, karakteristika tjetër e veçantë e gruas është dashuria e saj e pamasë ndaj fëmijëve të saja, e cila nuk mund të matet me asnjë send dhe është në gjendje të bëjë kurban (të sakrifikojë) edhe veten e saj për fëmijët e saj. Dashurinë që e ndjen për burrin e saj, pas lindjes së fëmijëve kalon në shkallë sekondare, pasi që shkalla primare e dashurisë së saj transferohet ndaj fëmijëve të saj.

 

                                                  Shkurorëzimi

 

         Me rastin e lidhjes martesore, kontrata martesore bëhet me qëllim të jetës së përbashkët martesore gjersa të kenë ymër (jetë), që do të thotë, nuk lejohet e as nuk preferohet që kontrata martesore  të jetë e përkohshme. Por gjatë martesës apo jetës bashkëshortore mund të shfaqen mospajtime, mosmarrëveshje, për shkaqe të ndryshme nga njëra apo tjetra palë, sikurse nga ana e burrit apo edhe të gruas, pas së cilës vie përfundimi i cili kryhet me shkurorëzim. Shkurorëzimi është vepër e papëlqyeshme por e lejuar kur krijohen rrethanat e tilla pas së cilës është e pamundshme bashkëjetesa martesore. Sipas së drejtës Islame shkurorëzimi ka bazë si në burimin primar ashtu edhe sekondar, për këtë profeti Muhamedi a.s ka thënë: ”Gjëja më e urryer tek Allahu xh.sh. është shkurorëzimi, por është i lejuar”[18]

Shkurorëzimi sipas së drejtës Islame mund të jetë dyllojësh:” talakur-rexh(shkurorëzimi i revokueshëm)  i cili mundëson që burri të rikthej gruan dhe të jetojnë së bashku më tutje, si dhe talaki bain(shkurorëzimi definitiv), pas së cilit të bashkëmartuarit nuk mund të vazhdojnë jetën e tyre të përbashkët”[19] Sipas llojit të parë, shkurorëzimi i revokueshëm, ndodh atëherë kur burri me rastin e mosmarrëveshjeve të ndryshme në momentet e caktuara, apo të afektit mendor,  e lëshon gruan të jetë e lirë dhe të kthehet në shtëpi tek prindërit e saj, por ky veprim i burrit mund të përsëritet vetëm tri herë, apo saktësisht në kohëzgjatje prej tre muajsh, pas së cilës nuk ka drejtë rikthimi, pas skadimit të afatit tre mujor. Por gjatë periudhës kohore tremujore me insistimin e pajtuesve gruaja mund të rikthehet te burri dhe të vazhdojnë bashkëjetesën e tyre martesore. Sipas llojit të dytë, shkurorëzimi definitiv pason  pas kalimit të iddetit (periudhës kohore tremujore) pas së cilës skadon kontrata martesore dhe nuk ka të drejtë rikthimi. Rikthimi eventual pas afatit kohor tremujor mund të ndodh vetëm me pajtimin e gruas, por  duhet të lidhet medoemos kontrata e re martesore dhe të përcaktohet mehri (dhurata) i ri. Gruaja në rast se pas kësaj kohe nuk do të rikthehet burrit të vet, nuk ka të drejtë askush  të bëjë presion apo lutje eventuale për rikthim, pasi që është e drejtë e plotë e saj për të marrë një vendim të tillë. Kërkesën për shkurorëzim ka të drejtë ta paraqet edhe gruaja  në raste të ndryshme, e sidomos në raste kur burri do të martohet me një grua tjetër, ajo ka të drejtë të kërkoj të jetë e lirë, pasi që jetën e saj nuk mund të paramendoj në poligami, porse vetëm në monogami, që është edhe një shkak më tepër për pamundësimin e poligamisë dhe preferimit të monogamisë. E drejta islame njeh dhe ja jep të drejtën e shkurorëzimit me marrëveshje të të dy palëve, do të thotë me pëlqimin paraprak edhe të burrit edhe të gruas. Sipas së drejtës islame shkurorëzimi kryhet me anë të anulimit të martesës apo me vendim gjyqësor. Me anulim nënkuptohet shkurorëzimi i cili pason si pasojë e krijimit të lidhjes farefisnore, në rast se zbulohet  lidhja farefisnore për të cilin më parë nuk kanë qenë në dijeni, për shkak të mohimit  të Zotit apo rregullave dhe parimeve të fesë, për shkak të ndërrimit të fesë  të burrit dhe të gruas, apo vetëm të burrit apo gruas. Shkurorëzimi me vendim të gjyqit arrihet pas kërkesës së gruas për të ndërprerë kontratën martesore me kërkesë të saj si pasojë e disa rasteve specifike të parapara. Gjyqi do të shqyrtojë kërkesën e gruas për shkurorëzim në këto raste : “ mosdurimit të bashkëjetesës martesore (burrit), impotencës së burrit, mungesës së burrit, sëmundjes psiqike apo fizike të burrit, për shkak të varfërisë së skajshme të burrit, për shkak të tradhtisë bashkëshortore të burrit, për shkak të sëmundjes vdekjeprurëse të burrit”[20]

         Si përfundim të kësaj, mund të konkludojë edhe pse shkurorëzimi është i lejuar, por jo edhe i preferuar, si pasojë e shkurorëzimit paraqiten dukuri dhe fenomene të shumta jo të mira, lindin trauma psiqike te fëmijët e moshës së mitur, sepse pas shkurorëzimit mbesin pa kujdesin direkt apo indirekt të njërit prind, e sidomos në rast të largimit të gruas, nënës së fëmijëve, e cila nuk mund të zëvendësohet me asnjë grua tjetër. Është një thënie e urtë, por me vend me të cilin do e përfundoj këtë kapitull : “Grua të keqe ka, por nënë të keqe nuk ka”[21]

        

 

                                                     Përfundimi

 

         Në përmbyllje të këtij punimi shkencor do të krahasojë, Martesa sipas së drejtës islame(sheriatit) si drejtë historike, pozitive apo zakonore dikur në Kosovë me Martesën sipas drejtës pozitive aktuale në Kosovë. Fejesa dhe martesa janë të rregulluara me Ligjin mbi familjen në Kosovë (Ligji nr.2004/32). Do të ndalem në disa komparacione(krahasime) që janë identike apo të përafërta, por edhe të kundërta. E para,  sipas së drejtës islame mosha e përcaktuar për lidhjen e kontratës martesore është 15 vjet, sipas drejtës pozitive në Kosovë mosha e përcaktuar është 18 vjet, por në raste të veçanta kjo mund të bëhet edhe në moshën 16 vjeçare.” Mosha madhore fitohet me të mbushur 18 vjet. Për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës , gjykata kompetente mund t’i lejojë martesën personit të mitur më të vjetër se gjashtëmbëdhjetë vjet, nëse konstaton se personi   ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore.”[22]

 

         Kufizimet e martesës sipas së drejtës pozitive janë rregulluar pothuajse në mënyrë identike si në drejtën islame,  duke marrë parasysh lidhjen sipas gjakut dhe lidhjes krushqie, dhe i vetmi dallim është se nuk e parasheh kufizimin sipas lidhjes së qumështit e cila fare nuk përmendet  në Ligjin mbi familjen.” Nuk mund të lidhin martesë personat në gjini të gjakut në vijë të drejtë, ose në vijë të tërthortë siç janë vëllau dhe motra prej një ati dhe një nëne, motra dhe vëllau prej atit ose nënës, xhaxhai dhe mbesa, daja dhe mbesa, tezja dhe nipi, as fëmijët e e vëllezërve dhe motrave të një ati dhe nëne dhe fëmijët e vëllezërve dhe të motrave prej atit ose nënës;”[23] “Nuk mund të lidhin martesë personat në gjini krushqie; vjehrri dhe e reja, dhëndri dhe vjehrra, njerka dhe thjeshtëri, njerku dhe thjeshtra, pa marrë parasysh faktin se a ka pushuar martesa lidhja e së cilës ka sjellë këtë marrëdhënie.”[24]

Dallimi esencial në mes së drejtës islame dhe drejtës pozitive në Kosovë konsiston në atë se Ligji mbi familjen e Kosovë e ndalon  bigaminë (poligaminë fare nuk e përmend): “Askush nuk mund të lidhë martesë të re, përderisa martesa e parë nuk pushon juridikisht.”[25] ndërsa e lejon apo e preferon bashkëjetesën jashtëmartesore që është non sens i llojit të vet.

 

     “Bashkësia faktike (Bashkësia jashtëmartesore) konsiderohet marrëdhënia faktike    midis burrit dhe gruas që jetojnë në çifte, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.  Bashkësia faktike (Bashkësia jashtëmartesore) është e barabartë me statusin martesor nga aspekti i të drejtave dhe detyrimeve për përkujdesje, mbështetje financiare reciproke, dhe të drejtat pasurore ashtu siç është specifikuar në këtë ligj.”[26]

 

          Me Kodin penal të Kosovës janë paraparë edhe sanksione për bigami, ndërsa për bashkëjetesë  jashtëmartesore fare nuk parashihen..Sipas Kodit Penal të Kosovës: ” 1. Kushdo që lidh martesë tjetër derisa është i martuar, dënohet me burgim deri në një (1) vit.

2. Kushdo që lidh martesë me personin për të cilin e di se është i martuar, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.”[27]

 Për bashkëjetesë jashtëmartesore sanksionohen vetëm rastet kur kemi të bëjmë me të mitur: ” 1. Personi madhor i cili bashkëjeton në një bashkësi jashtëmartesore me personin në mes të moshës katërmbëdhjetë (14) dhe gjashtëmbëdhjetë (16) vjet, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në njëzet (20) vjet.”[28]

                                       

[1] Nahi, I. Hasan,”Kur’ani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe”, ISHMQI, Tiranë, 2010, fq.77

[2] Džananovič, Ibrahim, “Islamsko bračno pravo”, Gazi Husrevbegova Medresa, Sarajevo, 1985, fq.5

[3] Po aty, fq.6

[4] Po aty, fq.6

[5] Po aty, fq.6

[6] Po aty, fq.6

[7] Nahi, I. Hasan,”Kur’ani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe”, ISHMQI, Tiranë, 2010, fq.81

[8] Džananovič, Ibrahim, “Islamsko bračno pravo”, GaziHusrevbegova Medresa, Sarajevo, 1985, fq.7

[9] Po aty, fq.10

[10] Po aty, fq. 11

[11] Po aty, fq. 11

[12] Po aty, fq.13

[13] Po aty, fq. 15

[14] Po aty, fq. 17

[15] Po aty, fq.18

[16] Nahi, I. Hasan,”Kur’ani i madhërishëm dhe kuptimet e tij në gjuhën shqipe”, ISHMQI, Tiranë, 2010, fq.77

[17] Džananovič, Ibrahim, “Islamsko bračno pravo”, Gazi Husrevbegova Medresa, Sarajevo, 1985, fq.21

[18] Po aty, fq. 24

[19] Po aty, fq.24

[20] Po aty, fq. 30-34

[21] Thënje e urtë popullore

[23] Po aty, fq.5

[24] Po aty, fq.5

[25] Po aty, fq.5

[26] Po aty, fq.8

[27] www.kuvendikosoves.org/Ligjet/Kodi penal i Kosovës/fq.80

[28] Po aty, fq.81