Xhamia e Ahmed beut( Tabakhanes)

  • None
Publikuar në Korrik 1, 2016, mesnatë

Është xhamia e parë e ndërtuar në fillim të shek. XVI-të në Prizren, në dekadën e parë të saj. Ndërtuesi i saj ishte Ahmet bej Dukagjinzade, me prejardhje shqiptare, ishte nip i familjes së njohur mesjetare, të Dukagjinëve, poseduese tokash të mëdha në rrafshin e Dukagjinit. Si fëmijë është dërguar dhe rritur në oborrin mbretëror të sulltanit. Ka pas pozita të larta gjatë karrierës së tij të shquar, ashtu që mbërriti gjer në pozitën e vezirit të madh(kryeministrit) gjatë viteve 1514-1515, ishte kryeministri i parë me prejardhje shqiptare gjatë Periudhën Osmane. Ishte njëkohësisht edhe dhëndëri i sulltanit, pasi ka qenë i martuar me Ajshen, mbesën e sulltan Bajazidit të II-të, e pas saj edhe me Fatmën vajzën e sulltan Selimit të I-rë. Mesxhidin e tij e ndërtoi në mahallën e atëhershme të quajtur të xhuma xhamisë[i].

Në regjistrimin e përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571 për mesxhidin e Ahmet beut është i regjistruar  vakëfi i tij për mirëmbajtjen e xhamisë, dhe atë mulliri me 3 gurë, 2 livadhe, çiftllëku në fshatin Vërmicë dhe 7 vrreshta[ii].

 Xhamia e Ahmet beut ceket edhe në Kronikën e myftiut të Prizrenit Mehmet Tahir efendisë Menakib, shkruar gjatë shek. XIX-të, në të cilin thuhet: “Haxhi Mustafa personalisht e ka ndërtuar një xhami, afër”Tabakhanes” në perëndim të qytetit tonë,e ka rinovuar Ahmet beu duke i ngritur minaren, dhe ka nxjerrë lejen për të emëruar hatibin”[iii].

Këtu e ka gabim, Mehmet Tahir efendiu që thotë se e ka ndërtuar xhaminë haxhi Mustafa, pasi për këtë personalitet nuk ka kurrfarë të dhëna, por është e vërtet se Ahmet beu e ka ndërtuar mesxhidin, e jo rinovuar siç ceket në Kronikë, pasi që në emër të mesxhidit të Ahmet beut figuron edhe vakëfi i lënë i i cili ishte i regjistruar në regjistrimin detaj të sanxhakut të Prizrenit në vitin 1571. Në popull xhamia e Ahmet beut njihet si xhamia e Tabakhanes, pasi që gjendet në lagjen në të cilin ishin të përqendruar me shumicë tabakët, lëkur përpunuesit, gjatë  kohës së ekzistimit të pushtetit të Perandorisë Osmane në Prizren dhe e cila edhe sot e kësaj dite në Prizren quhet mahalla e Tabakhanes.


 [i] Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“.  У Живот на рекама југоисточне Европе: историјски аспекти планирања насеља и комуникација. Уредник Љубодраг П. Ристић. Београд: Балканолошки институт САНУ,  Историјски институт, (у штампи)

[ii]Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010 , fq.556

[iii] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.86