Xhamia e Hasan Çelebisë (Myderrizë Ali efendisë)
Kjo xhami është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVI-të, në mes viteve 60-ta dhe 70-ta të shek. XVI-të. Ndërtuesi i saj ka qenë Hasan Çelebiu, ajo gjendej në mahallën e atëhershme të quajtur Mamzi mahallë. Në defterin (regjistrin) e sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571 ceket se për mirëmbajtjen e saj Hasan Çelebiu ka lënë vakëf, 9 dyqane, një mulli me 2 guri dhe një vresht, shuma e gjithëmbarshme e saj ishte 68.620 akça[1].
Në vitin 1571 sipas Regjistrit të përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit si myezin në mesxhidin e Hasan Çelebisë ka shërbyer Ramazan halifa[2].
Kjo xhami për herë të parë del me këtë emër dhe ndërtuesin e saj, pasi që gjer tani e kemi të njohur si xhamia e Myderriz Ali efendisë, me siguri gjatë kohës, pas vitit 1689, kjo xhami është rrënuar sikurse shumë të tjerë oas invadimit austriak në Ballkan, dhe pastaj atë e ka rindërtuar apo rinovuar myderriz Ali efendiu i cili edhe ka shërbyer gjatë kohës së tij si imam në këtë xhami. Pranë xhamisë gjendet edhe varri i tij, i cili pasi ka ndërruar jetë është varrosur në oborrin e xhamisë.
Mehmet Tahir efendiu në Kronikën e tij cek edhe xhaminë e Myderriz Ali efendisë, për të cilin ka shkruar:”Edhe zotëri myderrizi që i thoshin Ali hoxha, ka ndërtuar gjithashtu një xhami në mes të qytetit tonë. Është transmetuar se ai ka komentuar Bejdaviun, varri i tij është te xhamia e tij në mes nesh”[3].
Në vitin 1975 nga shpërthimi i një zjarri të furishëm xhamia tërësisht u dogj, vetëm shpëtoi nga djegija tyrbja e Myderriz Ali efendisë. Me iniciativën e të rinjve besimtar prizrenas në vitin 1980 nisi renovimi i kësaj xhamie dhe i cili përfundoi me sukses të plotë, në të cilin kam marrë pjesë aktive edhe vet në atë kohë, dhe është xhamia e parë e rinovuar në Prizren gjatë periudhës komuniste, me ç’rast lirish mund të themi se nga ky vit nisi edhe rimëkëmbja e jetës fetare islame në Prizren, pas plot 35 vjet stagnimi gjatë sistemit komunist. Xhamia është me dimensione të vogla por karakteristikë e saj është oborri i madh rrethues rreth saj në formë trekëndëshi dhe pozita e saj strategjike e lokacionit në të cilin graviton, në një trekëndësh karakteristik.
[1] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010, fq.552
[2] Po aty, fq.55
[3] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.84