Pse Irani po bën thirrje për çarmatimin e terroristëve kurdë deri më 19 shtator?

nga Aref Karimi | Publikuar në Shta. 25, 2023, 2:12 p.m.

Edhe deklaratat e politikanëve të Irakut dhe të rajonit të Kurdistanit konfirmojnë po ashtu se nuk është vullneti i tyre të presin terroristët anti-Iran, por ata janë të detyruar nga SHBA-ja bëjnë një gjë të tillë. Në mesin e ngatërrestarëve të tjerë përfshihet edhe regjimi izraelit, i cili është dokumentuar duke ofruar trajnime, armë dhe pajisje për terroristët anti-Iran. Franca është po ashtu ndër vendet me politikë armiqësore.

Ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein pritet të vizitojë Teheranin të mërkurën, një javë para skadimit të ultimatumit të Iranit drejtuar autoriteteve irakiane për çarmatimin e grupeve terroriste dhe largimin e tyre nga rajoni i Kurdistanit.

Diplomati i lartë irakian, i cili mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij austriak, Alexander Schallenberg në Bagdad të martën, u shpreh se Bagdadi është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së sigurisë me Teheranin.

Hussein u shpreh se: "Ne kemi marrë masat e nevojshme për të pastruar grupet e armatosura në rajonet përgjatë kufirit me Irakun dhe Iranin", duke vazhduar se: "Për këtë qëllim, unë do të shkoj nesër në Teheran dhe do të zhvilloj bisedime me zyrtarët iranian për këtë çështje."

Që kur Irani dhe Iraku arritën një marrëveshje muajin e kaluar për të çarmatosur grupet terroriste kurde dhe për t'i larguar ata nga rajoni gjysmë autonom i Kurdistanit në Irakun verior, të dyja palët kanë mbajtur një sërë bisedimesh në nivele të ndryshme me qëllim për të përshpejtuar procesin dhe për të adresuar shqetësimet legjitime të Iranit.

Presidenti iranian Ibrahim Reisi i tha kryeministrit irakian Mohammed Shia Al Sudani në një bisedë telefonike të bërë shtunën, se veprimet provokuese të grupeve terroriste dhe separatiste me bazë në rajonin kurd dëmtojnë sigurinë rajonale dhe se këto nuk do të tolerohen.

Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kan'ani tha se ultimatumi i dhënë zyrtarëve irakianë për të çarmatosur dhe zhvendosur grupet terroriste deri më 19 shtator nuk do të zgjatet.

Po ashtu, të hënën, krerët e shquar kurdë mbajtën një seri takimesh me zyrtarët iranianë si në Teheran ashtu edhe në Erbil, duke riafirmuar angazhimin e tyre për ruajtjen e sigurisë në kufirin e përbashkët.

Ministri i Jashtëm iranian Hussein Emir Abdullahiyan, në takimin e tij me liderin e Unionit Patriotik të Kurdistanit, Bafel Talabani në Teheran, theksoi se prania e terroristëve në rajonin e Kurdistanit irakian shkel kushtetutën e vendit arab dhe kërcënon marrëdhëniet me Iranin.

Sipas deklaratës së bërë nga zyra e tij, Talabani tha se qëllimi i tyre është “të sigurojnë stabilitet dhe bashkëjetesë në rajon dhe se për këtë ata mbështesin dialogun dhe mirëkuptimin e përgjegjshëm dhe besojnë se kjo është e vetmja mënyrë për të kapërcyer problemet dhe për të arritur qëllimet kombëtare".

Presidenti i Rajonit të Kurdistanit irakian, Neçirvan Barzani u takua me ambasadorin e Iranit në Bagdad, Muhammad Kazim Al-i Sadik në Erbil dhe u shpreh se qeveria e tij është e përkushtuar ndaj marrëveshjes së sigurisë.

Kur është afati i fundit për çarmatimin e grupeve terroriste?

Ka mbetur vetëm një javë deri më 19 shtator, kur Iraku u zotua të çarmatosë dhe të zhvendosë grupet terroriste anti-Iran në Rajonin e Kurdistanit në përputhje me marrëveshjen e sigurisë të arritur muajin e kaluar.

Kan'ani tha se në fund të gushtit u nënshkrua një marrëveshje në mes të Iranit dhe Irakut dhe në përputhje me këtë marrëveshje, qeveria irakiane mori një angazhim për të çarmatosur grupet terroriste dhe separatiste kurde.

Duke vënë në dukje se afati i 19 shtatorit nuk do të shtyhet në asnjë mënyrë, Kanani theksoi se nëse marrëveshja nuk zbatohet në kohë, Irani do të shqyrtojë opsione të tjera për të garantuar sigurinë e tij.

Kan'ani po ashtu u shpreh se zyrtarët irakian njoftuan autoritetet në Qeverinë Rajonale të Kurdistanit për kushtet e marrëveshjes dhe se institucionet e Kombeve të Bashkuara ishin në dijeni të qëndrimit të Iranit.

Rajoni i Kurdistanit në Irak, i cili kufizohet me Iranin, është bërë një strehë e sigurt për grupet terroriste, të cilët shpesh kryejnë sulme në territorin iranian dhe lejojnë fuqitë e jashtme të shenjëstrojnë Republikën Islamike.

Duke folur në një program televiziv të dielën, ministri iranian i inteligjencës, Ismail Khatib u shpreh se rajoni autonom është bërë një bastion i terroristëve dhe separatistëve që duan të dëmtojnë Iranin.

Forcat iraniane kanë nisur vazhdimisht sulme ajrore mbi pozicionet terroriste në rajon dhe kanë paralajmëruar vazhdimisht autoritetet në Bagdad dhe Erbil që të ndërmarrin veprime kundër grupeve të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Cilat janë këto grupe terroriste?

Në mesin e grupeve terroriste që veprojnë kundër Iranit në Irakun e Veriut përfshihet Partia Komala, Partia Demokratike e Kurdistanit të Iranit (PDKI), Partia e Lirisë së Kurdistanit (PAK), Partia për Jetën e Lirë të Kurdistanit (PJAK) dhe Khabat.

Këto shpesh bashkëpunojnë si një rrjet dhe janë të lidhur me grupe të tjera të ngjashme. PJAK është e lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e cila vepron në Turqi dhe Khabat ka lidhje të ngushta me sektin terrorist Muxhahedin të Popullit (MKO) me bazë në Shqipëri.

Të gjitha këto grupe terroriste janë mbetje të Luftës së Ftohtë me ideologji të vjetruara të importuara nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ata u krijuan si kukulla të Moskës për të destabilizuar Azinë Perëndimore dhe për të zgjeruar ndikimin sovjetik.

Të gjitha këto grupe terroriste që deklarojnë ideologjinë e tyre janë vetëm për qëllime reklamuese, sepse ata në fakt veprojnë si gueril me pagesë dhe bashkëpunojnë me këdo që u ofron strehim, armë dhe para.

Edhe pse ata e paraqitën veten si luftëtarë për të drejtat e pakicës kurde, ata ishin shumë të lumtur që pritën për dekada me radhë regjimin Baathizëm anti-iranian të Sadam Huseinit, i cili kreu krime të tmerrshme kundër iranianëve dhe kurdëve të Irakut.

Ata më vonë ndryshuan anë dhe pavarësisht nga parimet e tyre të supozuara socialiste, ata bashkëpunuan me regjimet perëndimore që i financuan shumë dhe ndonjëherë u siguruan strehë udhëheqësve të tyre.

Prandaj, ata nuk kanë reputacion as mes popullatës kurde dhe dy partive më të mëdha në Kurdistanin irakian, Partisë Demokratike të Kurdistanit (KDP) dhe Unionit Patriotik të Kurdistanit (PUK).

Anëtarët e tyre numërojnë vetëm disa qindra dhe mënyra e tyre e veprimit është reduktuar në luftë guerile në male dhe sulme ndaj rojeve kufitare iraniane.

Si i nxitën grupet terroriste kurde kryengritjet në Iran?

Në vitet e fundit, së bashku me mbështetësit e tyre të huaj, ata janë përfshirë edhe në një luftë hibride kundër Republikës Islamike dhe veçanërisht vitin e kaluar, ata kanë përdorur sulme terroriste për të ndezur flakët e kryengritjeve vdekjeprurëse të krijuara nga Perëndimi.

Në tetor të vitit të kaluar, Ministri i Brendshëm iranian, Ahmed Vahidi konfirmoi se grupet terroriste perëndimore dhe të mbështetura nga sionistët në Irakun e Veriut po drejtonin kryengritjet në Iran për të mbjellë mosmarrëveshje dhe për të shkaktuar ndarje.

Në një fjalim para përfaqësuesve të provincave juglindore ditën e hënë, udhëheqësi i Revolucionit Islamik, Ayatollah Sejjid Ali Khamenei u shpreh se vitin e kaluar, Irani u godit nga një koktej veprimesh shkatërruese.

Sipas Khameneit, regjimi amerikan i interpretoi rajonet me dallime etno-fetare si pikat e dobëta të Iranit dhe u fokusua në krijimin e trazirave në juglindje të vendit dhe Kurdistanin iranian.

Në shtator të vitit të kaluar, në mes të kryengritjeve në Iran, Korpusi i Gardës Revolucionare nisi një sulm artilerie mbi selitë e këtyre grupeve terroriste në Kurdistanin irakian.

Garda Revolucionare tha në atë kohë se sulmi u krye pasi "erdhën skuadrat terroriste dhe një depo e madhe armësh" në Iranin verilindor "për të shkaktuar trazira".

Kush janë ngatërrestarët e huaj?

Ashtu siç i pa Sadam Husseini kur sulmoi Iranin në vitet 1980, disa regjime perëndimore i shohin këto grupe terroriste kurde si asetet ose pengjet e tyre kundër Iranit.

Në mesin e tyre janë Shtetet e Bashkuara, mbështetja e të cilave është e padiskutueshme dhe e konfirmuar nga zyrtarë të lartë amerikanë si kongresmeni Dennis Kucinich dhe këshilltari i inteligjencës ushtarake Brent Scowcroft.

Që nga presidenca e George W. Bush, Uashingtoni i ka parë grupe të tilla si mjete agresioni kundër Iranit, të ngjashme me situatën në Siri, ku ata, në bashkëpunim me militantët kurdë, kanë pushtuar verilindjen e vendit nën maskën e vetëvendosjes.

Pozicioni i grupeve terroriste kundër Iranit në Irakun verior mund të krahasohet me ish-kampet Ashraf dhe Liria, të cilat mbijetuan për 13 vjet me mbështetjen ushtarake amerikane, megjithëse Bagdadi e mbajti MKO-në në listën e saj zyrtare të grupeve terroriste.

Transportimi i mëpasshëm i terroristëve të MKO në Shqipëri me avionë amerikanë dhe përdorimi i anëtarëve të tyre në luftën e zgjatur hibride anti-Iran zbulon qëllimet e vërteta të Uashingtonit ndaj organizatave të tilla.

Edhe deklaratat e politikanëve të Irakut dhe të rajonit të Kurdistanit konfirmojnë po ashtu se nuk është vullneti i tyre të presin terroristët anti-Iran, por ata janë të detyruar nga SHBA-ja bëjnë një gjë të tillë.

I njëjti presion ekziston kur bëhet fjalë për ekzistencën e bazave të mbetura ushtarake amerikane, pavarësisht thirrjeve prej vitesh nga parlamenti irakian për largimin e trupave të huaja nga vendi.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi se do t'i kapte miliardat e Irakut në rast se ushtarët amerikanë largoheshin nga vendi dhe edhe administrata Joe Biden ndoqi një politikë të ngjashme të ashpër.

Ngatërrestarë të tjerë përfshijnë regjimin izraelit, i cili është dokumentuar duke ofruar trajnime, armë dhe pajisje për terroristët anti-Iran.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë thirrje hapur për përçarjen e Irakut dhe Iranit.

Për më tepër, politika armiqësore kryhet edhe nga Franca, e cila ofron strehë të sigurt për udhëheqësit dhe anëtarët e grupeve terroriste që sulmojnë rregullisht ambasadën iraniane në Paris, dhe lobistët e së cilës si Bernard Kouchner dhe Bernard-Henri Levy mbrojnë hapur separatizmin kurd.



Burimi : Press Tv