Tre Muajt e Shenjtë - Rexheb, Shaban, Ramazan) dhe Netët e Mëdha

  • None
nga Mexhid Yvejsi | Publikuar në Maj 2, 2014, mesnatë

Besimtarët muslimanë në gjithë rruzullin tokësor shërbehen me Kalendarin Hënor  (Hixhri) dhe sipas kalendarit hënor muajt Rexheb, Shaban dhe Ramazan janë muaj të uruar, të dobishëm dhe të bekuar. Të gjitha netët e shënuara veç Natës së Mevludit, ndodhen brenda këtyre tre muajve.

 

    Muhammedi (a.s.) në fillim të muajit Rexheb e ka bërë këtë lutje (dua):

 

    ”Allahu im! Na i bëj të bekuar Rexhebin dhe Shabanin dhe na bashko me Ramazanin!” (Ahmed, I, 259)

 

    Sipas renditjes në kalendar, muaji Rexheb është muaji i shtatë, por ky muaj cilësohet si muaji i mbjelljes, kurse muaji Shaban është muaji i tetë, por cilësohet si muaji i ujitjes dhe muaji i Ramazanit është muaji i nëntë, por vlerësohet si muaji i korrjes apo mbledhjes së prodhimeve. Pra, secili do të korr atë çka mbjell, kurse ka për të fituar aq sa ka punuar.

 

     Përveç këtyre cilësive, këta tre muaj të bekuar janë emëruar edhe si: Muaji Shaban si muaj i faljes apo amnistimit, muaji Shaban si muaj i ndërmjetësimit (Shefat), ndërsa muaji Ramazan si muaj i bekimit, shtimit të mirësive.  

 

   Ndërkaq vlera e muajit të bekuar Ramazan, drejtë për së drejti përmendet në Kur’an, duke theksuar se vetë ai u shpall në këtë muaj. Rëndësinë e muajit Rexhep, Shaban dhe Ramazan e tregon edhe fakti se në këto muaj gjenden katër netët e mëdha: Nata e Madhe e Regaibit, Nata e Madhe e Miraxhit, Nata e Madhe e Beratit dhe Nata e Madhe e Kadrit.

 

 

              Netët e mëdha

 

 

    Natyrisht gjatë këtyre tre muajve, besimtarët, pos lutjeve, obligimeve, të përditshme, duhet ta shtojnë vëllimin e punëve të dobishme, siç janë dhënia e lëmoshës (sadakasë), zeqatit, agjërimit etj. (sidomos Muhamedi a.s. ka praktikuar agjërimin në muajin Shaban). Kështu ai në një hadith i përgjigjet Usame ibn Zejdit, i cili shprehu habinë e vet duke vërejtur se i Dërguari a.s. nuk agjëron në asnjë muaj (pos Ramazanit) më së shumti se sa në muajin Shaban:

” Ky është një muaj që njerëzit e kanë lënë anash edhe pse është në mes të muajit Rexhep dhe Ramazan. Në këtë muaj i shkojnë veprat Allahut  të gjithësisë, ndërsa unë më së shumti dua që veprat e mia të dalin para Zotit derisa jam duke agjëruar. “

 (transmeton Nesaiu, Ahmedi, dhe Ebu Davudi).

 

Nata e Regaibit

 

   Nata e Regaibit, gjithnjë bie në natën e xhumasë së parë të Muajit Rexheb. Përndryshe kjo natë njihet për nga ajo që thuhet se nëna e Pejgamberit (a.s.), Emineja, e ka hetuar veten se është shtatzanë.

 

Nata e Miraxhit

 

Nata e Miraxhit bie me 27 natë të muajit Rexhep, natë kjo që e përmend edhe Kur’ani fisnik.:

 

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).”

 

   Pra, në këtë natë, Muhammedi (a.s.) përjetoi ngritjen më të madhe, dhe nga Allahu i Madhërishëm ka pranuar obligimin për pesë kohët e namazit.    Në këtë natë po ashtu, Muhammedi (a.s.) gjatë kryerjes së Israsë dhe Miraxhit përjetoi dhe kundroi shumë gjëra, të cilat atë e trimëruan në kryerjen e misionit të tij pejgamberik.

 

   Është interesant të përmenden reagimet e mosbesimtarëve dhe besimtarëve, të asaj kohe, kur Muhammedi a.s. u tregoi se brenda nate ka udhëtuar prej Mesxhidu Haramit (Mekë) deri në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), e prej aty në qiejt e lartë. Këtë më së miri na e përshkruan vet Muhammedi (a.s.) në hadithin që e transmeton Ahmedi:

   “ Në natën kur ndodhi Israja, drita më zbardhi në Mekë. Tregova për ngjarjen duke e ditur se për këtë do të mundoheshin të më bëjnë gënjeshtarë. Erdhi Armiku i Allahut, Ebu Xhehli u ul pranë meje, pastaj më tha në mënyrë ngacmuese:

“ A ka ndodhur diçka e re? Po iu përgjigja, çka? – pyeti ai. Jam ngritur- i thash. Ku? Tha ai. Në Bejtul Makdis i thashë. Pastaj kur zbardhi drita agove tek ne tha Ebu Xhehli. “ Po” i përgjigja”. (Kështu Ebu Xhehli i hutuar dëshiron që Muhammedi a.s. këtë t’ua tregoj edhe njerëzve tjerë atë që ia tregoj atij. Dhe i thiri njerëzit e i tha Muammedit a.s. të tregoj. Kur ata e dëgjuan se çka u tha Pejgamberi, të habitur e pyetën atë: “A mund ta përshkruash Mesxhidin sepse në mesin tonë ka të atillë që kanë qenë Jerusalem dhe e kanë parë Mesxhidin?”  Dhe fillova t’ua përshkruaj: – Thotë Muhammedi a.s.

 

    “Në përshkrim nuk munda t’i kujtoja disa hollësi atëherë ma sollën (meleqët) Mesxhidin dhe e vunë para shtëpisë së Ujkalit; E shikoja dhe e përshkruaja. Pasi përfundova, u ngritën disa e thanë:  “Pasha Allahun, ai e përshkroi në tërësi.”

 

Nata e Beratit

 

   Nata e Beratit bie në natën e 15- të të muajit Shaban. Ajo natë na paralajmëron ardhjen e shpejtë të muajit Ramazan , muajit tonë më të dashur, kështu që sa më mirë duhet të përgatitemi shpirtërisht dhe fizikisht për agjërim dhe ibadete tjera. Se çfarë nate është dhe çfarë rëndësie ka kjo natë më së miri na e përshkruajnë këtë fjalë të Muhammedit (a.s.) :

 

“Në natën e 15- të të muajit Shaban të gjitha veprat nxirren përpara Zotit të gjithësisë, për këtë arsyeje unë dëshiroj që veprat e mia të nxirren para Tij deri sa unë agjëroj”. (Nesaiu)


“ Në natën e 15-të të muajit të Shabanit Allahu i Madhërishëm i urdhëron melekut të vdekjes, vdekjen e të gjithë atyre qenieve që duhet të vdesin atë vit”.(Ed-Dinaveri)


“Kur fillon nata e 15-të e muajit Shaban, rrini zgjuar , ndërsa ditën që pason agjëroni”. (ibn Maxhe)

 

 

Nata e Kadrit

 

  Nata e Kadrit bie në natën e 27-të të muajit Ramazan. Ajo është nata më e vlefshme dhe më e bekuar. Në të filloi të shpallet Kur’ani Fisnik. Një kaptinë e Kur’anit mban emrin e kësaj nate. Vlerën e kësaj natë më së miri ne tregon Kur’ani:

 

“ Ne e shpallëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit; e ç’të bëri ty të dish se çka është nata e Kadrit ? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj….”

 

   Për vlerën e kësaj nate flasin shumë hadithe të Muhammedit (a.s.) ai u ka folur sahabëve ditën e fundit të muajit Shaban:

 

“ O njerëz, u është afruar dhe e ka hedhur hijen e tij dhe freskinë në ju muaji i bekuar i përparimit dhe begatisë, në të cilin është një natë e cila është më e mirë se të gjitha netët në një mijë muaj- muaji i agjërimit, të cilin Allahu e ka bërë obligim, ka urdhëruar që të agjëroni dhe netët e tij ti kaloni në iradet vullnetarisht. “(Ibn Huzejme).


      Muhammedi (a.s.), Familja e Tij  dhe sahabët punonin shumë për të kapur mirësitë e këtyre tre muajve. E shtonin shumë më tepër adhurimin me nafile (namaze suplementare), shtonin shumë dhikrin (përkujtimin), tesbihun (lartësimin), hamdin dhe shukrin (falënderimin) ndaj Allahut (xh.sh.), kërkonin falje, ndihmonin të varfërit, gëzonin jetimët, të vetmuarit dhe të moshuarit. Gjatë muajve Rexheb dhe Shaban u kushtonin vëmendje agjërimit ditëve të hëna dhe të enjte. Gjithashtu është mirë dhe sevap që të agjërohen dita e parë, ditën e mesit dhe tëfundit e këtyre dy muajve.

 

      S’ka dyshim se për “tre muajt” dhe netët e bekuara në ta mund të thuhet edhe më shumë, por fjalët nuk kanë aq rëndësi, rëndësi kanë veprat tona kur kryhen me bindje, sinqeritet, me marifet. Andaj, le të përpiqemi që sa më mirë, me besim, me vullnet, me dëshirë që shpirtërisht për t’u pastruar, lartësuar, ta shfrytëzojnë pranin e këtyre muajve të shënuar...!