Hafiz Ali-Riza Ulqinaku

  • None
nga Mexhid Yvejsi | Publikuar në Tet. 23, 2014, mesnatë

     (1855-1913)

Hafiz Ali-Riza Ulqinaku është një figurë e shquar fetare-atdhetare, që i përket periudhës së Rilindjes Kombëtare, por që nderohet edhe sot madje në të gjitha trojet shqiptare…

 

 

          Lindja, shkollimi dhe përkushtimi për fe e atdhe

 

 

Lindi në vitin 1855, në Ulqin, në mëhallën ”Ranë”, që ndodhët pranë detit. Është djali i Jakub Behlulit, që rrjedh prej një familje të njohur barkëtarësh.

 

Ali-Rizai ishte një djalosh i zgjuar, kështu që babai i tij, Jakub Behluli, e dërgoi për të mësuar tek dijetari më i njohur i Ulqinit, myderriz Salih Hylja…

 

Myderriz Salih Hylja ishte një pedagog i dalluar, ishte hafiz i shquar, atdhetar i dëshmuar… Në kohën e “Lidhjes së Prizrenit” (1878-1881), Hafiz Salih Hylja udhëhoqi degën e “Lidhjes së Prizrenit” në Ulqin.

 

Hafiz Ali-Rizai, si nxënës i Medresesë, luftoj me pushkë në dorë, përkrah luftëtarit, profesorit të tij, Myderrizit, Hafizit,  Salih Hylja,  për liri, duke luftuar, duke i mbrojtur trojet shqiptare nga Mali i Zi.

 

Kur Mali i Zi i pushtoi trojet shqiptare, në vitin 1880 mbi 400 familje shqiptare u detyruan të largohen nga Ulqini dhe fshatrat dhe u shpërngulën në Shkodër  e rrethe, ndër këto familje ishte edhe familja e Hafiz Ali-Riza Ulqinakut.

 

Hafiz Ali-Riza Ulqinaku i vazhdoj studimet në Medresenë e Shkodrës derisa diplomoi. Pas diplomimit filloi veprimtaria e tij në fushën e arsimimit, edukimit.

 

Në vitin 1882, kur ishte në moshën 27 vjeçare, emërohet mësues në shkollën fillore, në lagjën Dudas, në Shkodër. Shtatë vjetë më vonë, në vitin 1889 emërohet mësues në Lezhë.

 

Në qytetin e Lezhës, përveç detyrës së mësuesit, ka shërbye edhe si imam e myfti.

 

Hafiz Ali-Riza Ulqinaku ndrroi jetë me 23 prill 1913, në Shkodër.

 

Ky burrë i nderuar, ky burrë i kulturuar, përveç që ishte fetar, atdhetar, luftëtar, hoxhë, imam, myfti e mësues, ai ishte edhe krijues…

 

     Një krijimtari me shumë dobi

 

Duke pas parasysh kohën kur ai u muerr me krijimtari, nuk teprohet nëse cilësohet se ajo krijimtari i solli shqiptarëve shumë dobi.

 

Ishte ndër të parët tek shqiptarët që ka shkrue, përkthye, botue, vepra fetare-letrare, edukuese-moralizuese.

 

Në vitin 1884 ka botuar një përmbledhje me tri vepra të veçanta, të cilat janë:

Përkthimi shqip i veprës turke “Huda Rabbim”

 

Mevludi, në katër kapituj, me 634 vargje.

 

Një-Ferrëfenjës, me 804 vargje.

 

Përveç këtyre veprave të botuara, në dorëshkrim ka hartuar një abetare dhe tre fjalor të  ndryshëm.

 

Fjalori i parë është në vargje, turqisht-shqip.

 

Fjalori i dytë është Fjalor Alfabetik, turqisht-shqip, kurse fjalori i tretë është:

Fjalor shqip-turqisht, i cili përbëhet prej 4000 fjalëve.

           

                  

             ”Mevludi” vepër tjetër, si kryevepër 

 

 

          Dy-tri fjalë rreth ”MEVLUDIT”

 

Mevludi është vepër e poetit të njohur turk, Sulejman Çelebiut, të cilën e ka përkthye në gjuhën shqipe Hafiz Ali Rizai. Ky përkthim është adaptim, përshtatje në gjuhën shqipe, është një poemë që i kushtohet lindjes apo ditë-lindjes së Pejgamberit, Muhammedit (a.s.)

 

Këtë vepër e ka shkruar, përkthye, adaptue, në moshën 18 vjeçare, në vitin 1873, kurse është botuar me 1885. Kjo vepër pranohet si kryevepër sepse i ka udhëzuar, frymëzuar shumë brezi, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë kombëtar.

 

Në parathënie të “Mevludid”, ndër të tjera, Hafiz Ali-Riza Ulqinaku tregon pse e shkruen  në  gjuhën shqipe:

 

“N'gjuhën shqipe kam qëllim un me i tregue 
Që kështu vllaznit sa do pak me përfitue, 


(sepse gjuha shqipe....)

 

 Asht nji gjuh' qi me kalem s'asht kollanis.

Kushdo, qi t'a vejn hesap ndonji hata
M'godit aj qi t'a shof, i baj rixha.

 

Ndërsa, për rëndësinë e lindjes së të Dërguarit, ndër të tjera, shkruen:

         
”U ndriçue jeta, kur leu Ai Resul,
Qiell e tok' m 'at sahat u mbush me Nur.
Kushdo të don prej xhehenemit nexhatë,
Le të bin tuj qa me lot ai salavatë.” 

 

Ky Mevlud duhet trajtuar e pasqyruar si segment i veçant i letërsisë, ai përmban në brendi teologji e filozofi, mistikë e didaktikë, brenda vlerave fetare duken vlerat atdhetare dhe universale....

 

 

           Nga paragjykimet tek vlerësimet

 

 

Në të kaluarën, për veprimtarinë e Hafiz Ali-Riza Ulqinakut është shkruar pak,  për mungesë hulumtimesh, gjurmimesh e studimesh, ndërsa më vonë jo në mungesë hulumtimesh, gjurmimesh, studimesh, por për shkaqe paragjykimesh ideologjjike e politike....

 

I pari që është marrë me  jetën e veprimtarinë e Hafiz Ali Ulqinakut është shkrimtari, atdhetari, studiuesi, hulumtuesi, Mid’had Frashëri, (1880 -1949) djali i Abdyl Bej Frashërit, i cili qysh në vitin 1926 në revistën Dituria, ka paraqitur fakte interesante e të pabotuara për Hafiz Ali Ulqinakun.

 

Për veprimtarin e Hafiz Ali Ulqinakut më vonë janë marrë studiues të  ndryshëm si dijetarët e mëdhenj e gjuhëtarë: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Shaban Demiraj etj., në veprat e tyre e citojnë si poet, si përkthyes e si hartues fjalori duke vënë në dukje meritat në këto drejtime.

 

Studiuesi i shquar, orientalisti, Osman Myderrizi me një varg punimesh të gjata cilësore, ndër të tjera e vlerëson lart duke thënë se:

Zëvendësimi i turqishtes në Mevludin dhe i arabishtes në hytben kishte rëndësi, sepse sillnin me vehte një konsakrim të gjuhës dhe të shkrimit shqip, ndërsa për fjalorin shqip-turqisht pohon se:

Ky fjalor paraqitet me vlerë të madhe, se përmban shumë fjalë të rralla, në mes të të cilave edhe terma detarie; Një pjesë e këtyre fjalëve pa dyshim do të kaloje edhe në fjalorin e përgjithshëm të gjuhës dhe do të shërbejë për zhvillimin e gjuhës letrare kombëtare.

 

Studiuesi, orientalisti tjetër i shquar, Tahir Dizdari, në veprën e tij madhore Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe çmon tepër personalitetin e Hafiz Aliut, për Mevludin ai shënon:

Edhe pse i vjetër i ka rezistuar kohës, sepse autori ka ditur t'u flasë mirë ndjenjave të besimtarëve me frymën poetike që e dallon ndaj të tjerëve, me shprehje të përmallshme e rrjedhshme. Ky Mevlud është në përdorim dhe kërkohet prej njerëzve.

 

Hafiz Ali Ulqinakun e kanë vlerësuar si poet, gjuhëtar, atdhetar e luftëtar, pjesëmarrës aktiv në luftë pë mbrojtjen e Ulqinit, si veprimtar i Lidhjes së Prizrenit, edhe studiues të tjerë siç janë: Sytki M. Hoxha, Dr.Ruzhdi Ushaku, Dr.Nail Draga, Hamdi Bushat, Tonin Çobani, Dr.Hasan Kaleshi, Dr.Jashar Rexhepagiqi, Dr.Muhamet Pirraku, Dr.Feti Mehdiu, Dr.Nehat Krasniqi etj.

 

Kulmin e vlerësimeve të veprimtarisë së Hafiz Ali Ulqinakut e simbolizon miratimi, dekorimi me titullin e lartë nderues “Mësues i Popullit” sipas vendimit Nr. 999 me datë 27 Dhjetor 1994 nënshkruar nga Kryetari i Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berisha, me këtë arsyetim:

Klerik dhe intelektual i shquar, studjues i apasionuar, mësues dhe edukator i nderuar i rinisë dhe i masave popullore, hartues e përkthyes i veprave fetare e shkencore.

 

Më në fund, mjafton të themi se “Mësuesi i Popullit”, Hafiz Ali-Riza Ulqinaku, me krijimtarinë e tij, u përpoq ta ruej, ta zhvilloj gjuhën e ëmbël shqipe, në një kohë, kur gjuha shqipe, konsiderohej gjuhë armike.