E vërteta e Shiizmit 1

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shk. 22, 2019, 10:41 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, zotërinë e krijesave dhe vulën e profetëve, mbi Ehli Bejtin e tij të pastër e të dlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Paqja, mëshira e Allahut dhe mirësitë e Tij qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “…dhe ju bëmë juve popuj e fise që të njiheni…” (Sure “Huxhurat”, ajeti 13).

Kur erdhi Islami, popujt ishin të ndarë, të përçarë, mohues e konfliktues. Me ardhjen e Islamit të pastër, shumë shpejt, në vend mohimit, zuri vend njohja; në vend të konfliktit, zuri vend bashkëpunimi; në vend të urrejtjes, zuri vend dashuria; në vend të ndarjes, zuri vend bashkimi dhe bashkëpunimi. Falë mirësive të mësimeve monoteiste të Islamit, u shfaq në dritë bashkësia madhështore e monoteizmit, e cila ka luajtur rol kyç në qytetërimin dhe civilizimin e popujve, sepse kjo bashkësi u ndriçua me dritën e pashuar që Allahu e solli me anë të vulës së profetëve, hazreti Muhamed Mustafasë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e cila kurrë nuk do të shuhet. Kjo dritë është Islami dhe Kur’ani. Kjo bashkësi madhështore i mbrojti pjesëtarët e saj prej padrejtësive dhe mizorive të të padrejtëve mizorëve. Falë mësimeve dhe porosive të fesë së pastër islame, kjo bashkësi u nderua dhe u fisnikërua, sepse ajo ndiqte modelin më të mirë dhe shebullin më të lartë, Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Kjo bashkësi, megjithë ndryshimet në gjuhë, në kombësi, në llojshmërinë e kulturës e të traditave, arriti skajet e larta për shkak se ishte e bashkuar dhe individët e kësaj shoqërie bashkëpunonin me njëri-tjetrin me dashuri, respekt e mirësjellje. S’ka dyshim se bashkimi është fuqi dhe përçarja është dobësi. Kjo gjendje e bashkësisë islame vazhdoi derisa njohja u shndërrua në mosnjohje, mirëkuptimi u shndërrua në keqkuptim, afrimiteti u shndërrua në largim, grupacionet filluan të akuzonin njëri-tjetrin për mosbesim e idhujtari, krenaria u zbeh, madhështia u zvogëlua. Dashakeqësit dhe armiqtë filluan copëtimin e bashkësisë islame. Kthetrat e paditurisë, të shpifjes e të trillimit filluan të nguleshin në trupin e kësaj bashkësie madhështore. Pasuritë e saj shkuan në duart e armiqve të saj dhe nderi e lavdia e saj shkuan në dorën e të padrejtëve e të shtypësve. Ajo lutet, por lutja e saj nuk gjen përgjigje. Kërkon ndihmë, por nuk e gjen ndihmën. Këto ditë, bashkësia islame, së bashku me doktrinën e saj dhe me unitetin e saj, po përballet me sulmet më të egra e më të shëmtuara. E gjitha kjo për shkak të fanatizmit sektar dhe medh’hebor.

A nuk është më mirë që rreshtat e myslimanëve të forcohen dhe marrëdhëniet mes tyre të fuqizohen? Edhe pse bashkësia islame është e ndarë në medh’hebe e fraksione, ata i bashkon Libri i Allahut, Kur’ani i Shenjtë dhe Syneti i pastër. Ata janë të një mendimi rreth teuhidit, profetësisë dhe Ringjalljes. Ata kanë të njëjtin mendim rreth domosdoshmërisë së namazit, agjërimit, haxhit, zekatit, hallallit, haramit, sheriatit, dashurisë për Profetin më fisknik, për dashurinë për familjen e tij të pastër etj. Bashkësia islame është si gishtat e dorës, lidhja e të cilëve përfundon te një kyç i përbashkët, edhe pse ato gishta ndryshojnë nga njëri-tjetri për nga madhësia dhe forma.  Ajo është si trupi i vetëm, i cili ka shumë organe, por që bashkëpunojnë në harmoni me njëri-tjerin, edhe pse ndryshojnë në formë e në funksion.

Në kohët e shkuara, dijetarët e medh’hebeve dhe grupacioneve islame jetonin pranë njëri-tjetrit dhe nuk kishte mes tyre as konflikte e as përplasje. Ata bashkëpunonin, shpjegonin dhe sqaronin librat e njëri-tjetrit, qofshin ato libra të fikhut apo të shkencës së kelamit. Studionin te njëri-tjetri, lavdëronin njëri-tjetrin, konfirmonin njëri-tjetrin dhe u merrnin leje njëri-tjetrit për të transmetuar hadithe nga librat e medh’hebeve të tyre, falnin namazin së bashku dhe pohonin medh’hebin e njëri-tjetrit. Pasuesit e medh’hebeve jetonin në harmoni e dashuri me njëri-tjetrin, sa dukeshin sikur nuk kishte asnjë ndryshim mes tyre. Nëse gjendej ndonjë kritikë, ajo bazohej në edukatë, në moral e në etikë dhe në dije e kuptim. Ka argumente të shumta që flasin për bashkëpunimin e thellë e të gjerë të myslimanëve. Falë këtij bashkëpunimi, dijetarët islamë lanë një trashëgimi të gjallë e të ndritur. Ata ishin shembull i lirisë dhe fituan respektin e mbarë njerëzve. 

Nuk është e vështirë që sot dijetarët e bashkësisë islame të bashkohen dhe të diskutojnë me qetësi, me qëllim të sinqertë dhe bazuar në argumente të qarta për ato çështje që kanë mospajtim mes tyre, ashtu siç vepruan paraardhësit e tyre.

Gjithashtu, është mirë dhe e logjikshme që çdo medh’heb të paraqesë doktrinën e tij dhe mendimet e tij rreth fikhut (Jurisprudencës) në një klimë mbuluar nga liria dhe qartësia, me qëllim që të sqarohen gënjeshtrat, trillimet, keqkuptimet dhe akuzat e pabaza. Po ashtu, të gjithë të njihen me të përbashkëtat dhe diferencat. Të mësojnë se të përbashkëtat mes myslimanëve janë më shumë se të diferencat. Në këtë mënyrë, do të shrihet akulli që gjendet në mesin e myslimanëve. S’ka dyshim se ndarja, përçarja, akuzat e pabaza, urrejtja dhe armiqësia mes myslimanëve e zmadhojnë akoma më shumë akullin mes tyre, duke e kthyer atë në një ortek, i cili shkatërron gjithçka që i del përpara. Ndërsa dialogu i qetë, respekti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes tyre arrin ta shkrijë atë akull dhe vendin e ftohjes e të ashpërsisë e zë ngrohja dhe butësia.

Përderisa medh’hebi xhaferrij (shiit) ka qenë dhe është në qendër të poligonit të qitjes, duke u goditur me lloj-lloj shpifjesh, gënjeshtrash dhe trillimesh, mora nismën që të sqaroj në formë të përmbledhur doktrinën e xhaferrijve (shiitëve), me shpresën që të njihet ashtu siç e meriton dhe ata që shpifin, që gënjejnë dhe trillojnë kundër tyre të heqin dorë dhe të punojnë për forcimin e radhëve të myslimanëve dhe jo të punojnë për dobësimin e radhëve të tyre.

Medh’hebi Xhaferrij imamij

1- Ky është një medh’heb i madh mysliman. Numri i tyre përbën më shumë se çerekun e numrit të myslimanëve. Rrënjët historike të këtij medh’hebi janë që në fillim të Islamit, në ditën që zbriti thënia e Allahut të Madhëruar: Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata, janë krijesat më të mira.” (Sure “Bejineh”, ajeti 7). Kur zbriti ky ajet, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) vendosi dorën e tij mbi supin e Ali ibn Ebi Talibit (Paqja qoftë mbi të!) dhe në prani të sahabëve, tha: “O Ali! Ti dhe ndjekësit (shiiat) e tu jeni krijesat më të mira.” (Shih: Tefsir Tabarij (Xhamiul Bejan), tefsir Ed Durrul Menthur i eruditit Es Sujuti Esh Shafiij, tefsir Ruhul Meanij i Alusij El Bagdadij Esh Shafiij në komentimin e ajetit të përmendur.)

Ky medh’heb quhet Xhaferrij, sepse ndjek imam Sadikun (Paqja qoftë mbi të!) në çështjet e fikhut (jurisprudencës islame).

2- Medh’hebi Xhaferrij është në Iran, Irak, Pakistan, Afganistan, Indi, Arabi Saudite, Katar, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejn, Turqi, Siri, Liban, Rusi dhe në republikat e ndara prej saj; në vendet europiane, si: Angli, Gjermani, Francë, Amerikë, Afrikë dhe Azi Lindore. Ata nuk janë të fshehur. Ata kanë xhamia, qendra studimore fetare, shkencore, kulturore dhe sociale. Faqet e internetit janë të mbushura me literatura të medh’hebit Xhaferrij imamij.

3- Ata janë të kombësive të ndryshme, flasin gjuhë të ndryshme dhe jetojnë krah për krah me vëllezërit e tjerë myslimanë të medh’hebeve të tjera islame me dashuri, respekt dhe në bashkëpunim me ta në fusha të ndryshme. Këtë e bëjnë sepse bazohen te thënia e Allahut të Madhëruar: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni!” (Sure “Huxhurat”, ajeti 10). Dhe: “…Bashkëpunoni me njëri-tjetrin me punë të mira dhe me devotshmëri dhe jo me gjynahe dhe armiqësi…”  (Sure “Maide”, ajeti 2 ). Ata zbatojnë thënien e Profetit më fisnik, hazreti Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Besimtarët janë një dorë dorë e vetme.” (Musned Ahmed: vëllimi 1, faqe 215)  Dhe: “Besimtarët janë si një trup i vetëm.” (El Bukhari, kitabul edeb.)

4- Përgjatë historisë, medh’hebi Xhaferrij (shiiat) ka patur qëndrime të ndritura e fisnike në mbrojtje të Islamit dhe të bashkësisë islame. Ata kanë patur qeveri që i ka shërbyer kulturës dhe qytetërimit islam. Dijetarët dhe mendimtarët shiitë kanë ndihmuar në pasurimin e trashëgimisë islame duke shkruar me qindra mijëra libra të madhësive të ndryshme në fushën e komentimit të Kur'anit, të hadithit, të doktrinës, të jurisprudencës dhe të parimeve të saj, të moralit, të bibliografisë së transmetuesve të haditheve, të filozofisë, gjuhës e letërsisë; në mjekësi, fizikë, kimi, matematikë, astronomi, biologji e të tjera shkenca. Ata kanë luajtur rol të madh në zhvillimin e shumë shkencave të tjera.

5-Xhaferrijtë (shiiat) besojnë në Allahun Një të Vetëm e të Pashoq, i Cili nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur nga askush dhe asgjë nuk i ngjan Atij. Ata mohojnë trupëzimin e Tij. Ata thonë se Allahu nuk ka as kohë, as vend e as anë. I mohojnë Atij lëvizjen, ndryshimin, ngjitjen zbritjen e të tjera përshkrime që nuk janë në përshtatje me madhështinë e Allahut. Ata besojnë se nuk ka të adhuruar tjetër, përveç Tij. Sundimi absolut i përket vetëm e vetëm Atij. Idhujtaria (shirku) me të gjitha llojet e saj, e hapur, e fshehtë, është padrejtësi e madhe dhe gjynah që nuk falet.

Në çështjen e besimit, ata i kundërshtojnë rreptësisht hadithet israilite dhe mexhusite, të cilat e përshkruajnë Allahun në formën e njeriut dhe e ngjasojnë Atë me krijesat, apo i atribuojnë Atij padrejtësinë dhe kotësinë (I pastër është Allahu nga këto gjëra!), apo i atribuojnë profetëve të pastër gjynahet e mëdha dhe veprat e shëmtuara, ndërkohë që ata janë të pamëkatë.

6-Xhaferrijtë (shiiat) besojnë se Allahu i Madhëruar është i Drejtë dhe i Urtë. Çdo gjë e ka krijuar me drejtësi dhe me urtësi dhe nuk ka krijuar asgjë kot e pa qëllim, qoftë frymor apo jofrymor, sepse kotësia është në kundërshtim me drejtësinë dhe me urtësinë. Ajo është në kundërshtim me fuqinë absolute të Krijuesit dhe me madhështinë e Tij. Allahu i Lartësuar është pa të meta. Ai është e mira absolute, fuqia absolute, dija absolute dhe përsosuria absolute.

7-Xhaferrijtë (shiiat) besojnë se Allahu i Madhëruar, me drejtësinë e Tij dhe me urtësinë e Tij, që në fillim të jetës së njerëzimit mbi tokë ka dërguar profetë dhe i ka cilësuar ata të pamëkatë. Ata ishin të pajisur me dituri të gjerë dhe me dhunti nëpërmjet shpalljes nga ana e Allahut të Madhëruar. Misioni i tyre ishte udhëzimi i njerëzve dhe ndihma e tyre për të arritur në përsosurinë e dëshiruar dhe orientimi i tyre në rrugën e bindjes ndaj Krijuesit, e cila i çon ata në Xhenet, duke fituar mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. Ata besojnë te të gjithë profetët, nga Ademi (Paqja qoftë mbi të!) e deri te vula e profetëve, hazreti Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ata nuk bëjnë dallim mes tyre.

8-Xhaferrijtë (shiiat) besojnë se kush i bindet Allahut dhe zbaton urdhrat dhe porositë e Tij në fushat e ndryshme të jetës, është i shpëtuar, e meriton shpërblimin dhe lavdërimin. Ndërsa kush e kundërshton Allahun e Madhëruar dhe kush e nënvlerëson dhe nuk i zbaton urdhrat dhe porositë e Tij, është i humbur dhe meriton qortimin dhe dënimin, edhe sikur të jetë prej gjenezës së Profetit, siç thuhet në një hadith të nderuar profetik. Çdo njeri do të japë llogari për veprat e tij dhe askush nuk i mbart gjynahet e tjetrit. Ata besojnë se vendi i shpërblimit dhe i dënimit do të jetë Dita e Kiametit, në të cilën gjendet llogaridhënia, peshorja e veprave, Xheneti dhe Xhehenemi. Kjo do të ndodhë pasi të kalojë koha e varrit dhe e barzakhut. Ata e kundërshtojnë kalimin e shpirtit nga një njeri te tjetri, në të cilin besojnë mohuesit e Ringjalljes, sepse besimi në kalimin e shpirtit nga një njeri te tjetri çon në përgënjeshtrimin e Kur’anit dhe të Synetit të pastër profetik.

9-Xhaferrijtë (shiiat) besojnë se profeti i fundit, vula e tyre, më i miri dhe më fisniku i tyre, është i Dërguari i Allahut, Muhamedi, biri i Abdullahut, biri i Abdul Mutalibit. Ai ishte i pamëkat para profetësisë dhe pas saj. Atij iu shpall Kur’ani i Shenjtë, kushtetuta për jetën e të gjithë njerëzve deri në ditën e fundit të kësaj jete. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet eAllahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e komunikoi Mesazhin dhe e përçoi amanetin me sinqeritet, duke sakrifikuar çdo gjë në këtë rrugë dhe për këtë mision të shenjtë. Shiitët kanë me dhjetra libra për historinë e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në to paraqesin jetën e tij, personalitetin e tij, të veçantat e tij, mrekullitë e tij, sakrificat e tij e të tjera çështje e tematika.

10-Xhaferrijtë (shiitët) besojnë se Kur’ani që iu shpall profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nëpërmjet melekut besnik, Xhebrailit (Paqja qoftë mbi të!), të cilin e shkruanë në kohën e profetit Muhamed dhe nën mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e tij, sahabët e mëdhenj me në krye Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!), është po ai që e lexojnë në këto ditë të gjithë myslimanët, shiitë e synitë, anembanë botës. Myslimanët i kanë kushtuar shumë rëndësi Kur’anit të Shenjtë. Ata e kanë mësuar atë përmendsh, në mënyrë të përkryer dhe e kanë trashëguar brez pas brezi. Kur’ani i Shenjtë nuk ka pësuar asnjë ndryshim, asnjë falsifikim. Në të nuk ka as shtesë e as mangësi. Allahu i Madhëruar është Ruajtësi i Kur’anit. Ai thotë: “Vërtet, Ne jemi që e kemi shpallur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne jemi ruajtësit e tij.” (Sure “Hixhr”, ajeti 9). Shiitët kanë literatura të shumta rreth Kur’anit dhe shkencave të tij.

11-Xhaferrijtë (shiitët) besojnë se kur profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) iu afrua koha e kalimit nga kjo jetë, ai caktoi Ali ibn Ebi Talibin (Paqja qoftë mbi të!) zëvendës të tij dhe imam për myslimanët pas tij që t’i udhëhiqte ata, t’i orientonte, t’i zgjidhte problemet e tyre, të vazhdonte edukimin dhe pastrimin e tyre shpirtëror. Këtë caktim ai e bëri me urdhër të Allahut të Madhëruar në vendin e qajtur Gadir Khum, në vitin e fundit të jetës së tij dhe në Haxhin e Lamtumirës, ku morën pjesë një numër i madh myslimanësh, të cilët e kryen haxhin së bashku me profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Sipas disa transmetimeve, numri i tyre ka qenë më shumë se njëqind mijë persona. Për këtë ngjarje zbritën ajetet: "O i Dërguar! Komunikoje atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; All'llahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që All'llahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë.” (Sure “Maide”, ajeti 67).

Dhe: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Sure “Maide”, ajeti 3).

Dhe: “Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje!”(Sure “Maide”, ajeti 3).

Gjithashtu, profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u kërkoi sahabëve që t’i japin besën, duke shtrënguar dorën e Aliut. Ata ia dhanë besën atij të paraprirë nga të mëdhenjtë e muhaxhirëve dhe ensarëve dhe nga sahabët e njohur, si: Ebu Bekri, Umeri etj. Eruditi i madh Shejkh Emijni ka një enciklopedi të madhe, në të cilën e shtjellon ngjarjen e Gadirit, duke e përcjellë atë nga libra të ndryshëm të historisë e të komentimit.

12-Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se imami pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) duhet të kryejë ato detyra që kryente profeti, si: udhëheqja, udhëzimi, edukimi, arsimimi, qartësimi i dispozitave, zgjidhja e problemeve të vështira ideologjike, zgjidhja e çështjeve të rëndësishme shoqërore etj. Ky imam (zëvendës i Profetit) duhet të jetë i tillë që njerëzit të kenë besim tek ai, me qëllim që ta drejtojë bashkësinë drejt mirësisë, qetësisë, sigurisë e lumturisë. Ai është si profeti në aftësi e cilësi - prej tyre, pagabueshmëria dhe dija e gjerë - sepse ka kompetenca dhe përgjegjësi si profeti, me përjashtim të Shpalljes e të profetësisë, të cilat janë të vulosura me Kur’anin e Shenjtë dhe me Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili është vula e profetëve dhe i të dërguarve dhe feja e tij, Islami, është feja përmbyllëse qiellore. Nuk vjen profet pas tij, nuk ka fe tjetër pas Islamit dhe nuk ka sheriat tjetër pas Sheriatit islam. Për këtë çështje shiiat kanë shkruar shumë libra e literatura në përmasa, metodika e në gjuhë të ndryshme.

13-Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se nevoja e ymetit për udhëheqës, udhërrëfyes, kërkon që të mos mjaftohet vetëm me caktimin e imam Aliut si prijës dhe khalif pas profetit Muhamed, por hallkat e imamatit duhet të vazhdojnë pa ndërprerje, me qëllim që të forcohen bazat e Islamit dhe të ruhen themelet e Sheriatit nga çdo rrezik që mund t’i kanoset fesë së pastër islame dhe ymetit islam.

14-Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se profeti Muhamed ibn Abdullah (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), bazuar në urtësinë e madhe dhe në domosdoshmërinë e pranisë së udhëheqësit të ditur, të devotshëm, të urtë dhe të fortë, me urdhër të Allahut të Madhëruar, ka caktuar njëmbëdhjetë imamë pas imam Aliut, numri të cilëve është dymbëdhjetë. Numri i tyre është përmendur në disa transmetime, në të cilat tregohet se janë nga kurejshët. Këto hadithe përmenden te Sahihu i Bukhariut, Sahihu i Muslimit me shprehje të ndryshme. Ata kanë transmetuar nga profeti Muhamed se ka thënë: “Feja do të vazhdojë e qëndrueshme dhe e forte, përderisa në mesin e tyre do të jenë dymbëdhjetë prijësa apo khalifa dhe të gjithë prej kurejshëve.” Në disa libra të tjerë thuhet se janë nga Beni Hashim (Fisi Hashimi).

15- Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se imamët, apo udhëheqësit e myslimanëve pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) janë:

1- Imam Ali ibn Ebi Talib. Djali i xhaxhait të profetit Muhamed dhe bashkëshorti i vajzës së tij, Fatime Zahrasë (Paqja qoftë mbi të!).

2- Imam Hasan el Muxhteba. Djali i imam Aliut dhe i Fatime Zahrasë. Nipi i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

3- Imam Hysejn, shehidi i Kerbelasë. Djali i imam Aliut dhe i Fatime Zahrasë. Nipi i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

4- Imam Zenul Aidijn, Ali ibn Hysejn (Es Sexhad).

5- Imam Muhamed ibn Ali (El Bakir).

6- Imam Xhaferr ibn Muhamed (Es Sadiku).

7- Imam Musa ibn Xhaferr (El Kadhimu).

8- Imam Ali ibn Musa (Err Rrida).

9- Imam Muhamed ibn Ali (El Xheuadu et Tekij).

10- Imam Ali ibn Muhamed (El Hdij en Nekij).

11- Imam Hasan ibn Ali (El Askerij).

12- Imam Muhamed ibn Hasan (El Mehdi el Muntedhar, imami Zaman).

Këta janë imamët e Ehli Bejtit që profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me urdhër nga Allahu, i caktoi udhëheqës të ymetit islam. Ata janë të pamëkatë e të pastër. Ata trashëguan dijen e profetit Muhamed. Allahu në Kur’anin e Shenjtë ka urdhëruar dashurinë për ta dhe ndjekjen e tyre: “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj për këtë kurrfarë shpërblimi, përveçse dashuri ndaj të afërmve.(Sure “Shura”, ajeti 23). Dhe: O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (të vëtetë)!” (Sure “Teube”, ajeti 119).

16- Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se këta imamë, për të cilët historia nuk ka shënuar asnjë gjynah në fjalë e në vepra, i kanë shërbyer Islamit dhe ymetit islam në shkenca të ndryshme, e kanë pasuruar trashëgiminë islame me njohuri të gjera dhe me ide brilante e të sakta në fushën e doktrinës, Sheriatit, moralit, tefsirit, historisë etj. Ata edukuan personalitete të larta dhe dijetarë të njohur. Ata besojnë se këta imamë, edhe pse padrejtësisht u larguan nga posti i udhëheqjes politike, e përçuan misionin e tyre fetar dhe social duke mbrojtur parimet e doktrinës e të Sheriatit nga gabimet, devijimet. Sikur bashkësia islame t’i jepte atyre mundësinë e udhëheqjes politike që ua dha atyre Profeti me urdhër nga Allahu, bashkësia islame do të ishte në majat e lumturisë, madhështisë e krenarisë. Ajo do të ishte e bashkuar, e fortë dhe e palëkundur përballë sfidave. Në të nuk do kishte as përçarje, as mosmarrëveshje, as konflikte, as gjakderdhje, as masakra e as poshtërsi.

17- Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se: Bazuar në argumentet kur’anore, në argumentet që gjenden në hadithe dhe në argumentet logjike, është detyre për të gjithë myslimanët dashuria për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!) dhe ndjekja e rrugës së tyre, sepse rruga e tyre është rruga e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjej e tij!). Në hadithin e njohur me emrin Hadithu Thakalejn, Profeti Muhamed ka thënë: “Unë ju kam lënë juve dy gjëra të rënda për nga vlera: Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejtin tim. Nëse kapeni pas këtyre të dyjave, ju kurrë nuk do të humbisni.” Kështu e ka transmetuar Muslimi në sahihun e tij, si dhe dhjetra hadithologë dhe dijetarë përgjatë shekujve. Para tre shekujsh, në Egjipt u botua një broshurë me titull: “Risaltu Hadithi Thakalejn”, i Ushneuij, të cilën e aprovoi edhe Az’hari Sherif.

18- Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se myslimanët duhet të dialogojnë për çështjet që kanë mospajtim me njëri-tjetrin. Ata duhet të heqin dorë nga akuzat, sharjet, ofendimet, shpifjet e trillimet. Ata besojnë se dijetarët dhe mendimtarët e të gjitha medh’hebeve dhe grupacioneve islame duhet të bashkohen në konferenca e kongrese dhe të diskutojnë me gjakftohtësi, sinqeritet e vëllazëri me njëri-tjetrin, veçanërisht me vëllezërit e tyre xhaferrij. Diskutimi i tyre të jetë i bazuar në Kur’an, në synetin e pastër të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në logjikën e shëndoshë dhe në historinë e vërtetë. Ata besojnë se mosmarrëveshja mes myslimanëve u sjell dobi vetëm armiqve të Islamit.

19- Xhaferrijtë imamij (shiiat) besojnë se sahabët që ishin përreth profetit Muhamed, burra e gra, i kanë shërbyer Islamit. Ata sakrifikuan me gjithçka që zotëronin në rrugën e përhapjes së Islamit. Ata besojnë se myslimanët duhet t’i respektojnë sahabët, t’i vlerësojnë shërbimet e tyre dhe të luten që Allahu të jetë i kënaqur me ta. Por kjo nuk do të thotë se ata kanë qenë të pagabueshëm. Është detyrë ruajtja e gjuhës nga sharja dhe ofendimi, sepse këto nuk i shkojnë për shtat myslimanit. Gjithashtu, duhen ruajtur lapsat nga shkrimet nënçmuese. Myslimani duhet të marrë shembull jetën, sjelljen dhe moralin e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

20- Xhaferijtë imamij falen, agjërojnë, japin zekatin dhe khumsin (një e pesta) nga pasuria e tyre, shkojnë në haxh, në Shtëpinë e Allahut në Mekën e Bekuar, urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, i duan të dashurit e Allahut dhe qëndrojnë larg armiqve të Allahut, armiqve të profetëve të Tij dhe armiqve e të dashurve të Tij, sakrifikojnë në Rrugën e Allahut dhe në përhapjen e fesë së Tij me urtësi e me këshilla të përkryera. Ata zbatojnë dispozitat e fesë së pastër islame në tregti, në martesë, divorc, trashëgimi etj. Dispozitat e Sheriatit i marrin nga autoritet e larta (el merxha), të cilët studiojnë e hulumtojnë për vite me radhë e më pas, ata dijetarë, bazuar në Kur’anin e Shenjtë, në synetin e pastër të Profetit dhe Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), në intelekt (el aklu) dhe në ixhmau (unanimiteti i dijetarëve), nxjerrin ligje dhe japin fetva për çështje të ndryshme të fesë e të jetës.

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI