Për ata që shpifin

nga Vullnet Merja | Publikuar në Gus. 3, 2018, 3:02 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë ndjekësit e rrugës së tij!

Prej veprimeve të këqija, që fatkeqësisht, është përhapur në ditët tona, është shpifja kundër të tjerëve. Shpifje do të thotë, t’i përmendësh dhe t’i veshësh një tjetri ato cilësi që nuk i ka ai. Shpifje do të thotë okupim i shenjtërive të njeriut, dinjitetit dhe personalitetit e tij. Pa dyshim, besimi nuk e pranon këtë veprim, sepse ai që është besimtar i vërtetë, nuk shpif kundër vëllait të tij apo kundër të tjerëve.

Shpifja është prej veprimeve të shumtuara në marrëdhëniet shoqërore. Shpifja është haram (e ndaluar) në Sheriatin islam. Është vepër e shëmtuar. Atë nuk e bënn veçse njeriu i ulët e i lig. E bën ai që ka besim të dobët në zemër dhe nuk i frikësohet Allahut të Madhëruar. Por vetë këta njerëz a i pranojnë shpifjen dhe trillimin kundër tyre? A u pëlqen që njerëzit të shpifin për ta?

Kur në mesin e individëve të shoqërisë përhapet shpifja, atëherë mundësia e përsosurisë do të jetë e paktë dhe si pasojë do të kemi një kthim prapa të shoqërisë nga ana morale. Përderisa Sheriati islam i ndalon akuzat dhe i dënon shpifjet, ai i nxit myslimanët që të kujdesen për veten e tyre në rast akuzash dhe trillimesh

Në Librin e Tij, Kur'anin e Shenjtë, Allahu i Madhëruar na paralajmëron për të. Ai thotë: “Kush është i padrejti më i madh se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose që mohon të Vërtetën që i ka ardhur?! Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?” (Sure “Ankebut”, ajeti 68) Sipas ajetit: Ai që shpif kundër Allahut, duke thënë gjëra që Ai nuk i ka thënë, vendi i tij do të jetë Xhehenemi. Do të jetë Xhehenemi sepse ai njeri bën gjynahun e madh, që është shpifja.

Ata që shpifin gënjeshtra, nuk janë besimtarë. Këtë e dëshmon edhe Allahu i Madhëruar në Kur'anin e Shenjtë, kur thotë: “Vërtet, gënjeshtrën e shpifin vetëm ata, që nuk u besojnë Shpalljeve të Allahut; pikërisht ata janë gënjeshtarët e vërtetë.” (Sure “Nahl”, ajeti 105).

Ata që shpifin gënjeshtra, nuk kanë mbarësi as në këtë jetë dhe as në Jetën Tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Sigurisht, atyre që shpifin gënjeshtra për Allahun, nuk do t’u ecë mbarë”. (Sure “Junus”, ajeti 69)

Ata që shpifin, përveç barrës së tyre, do të mbartin edhe barrë të tjera. Allahu i Madhëruar thotë:  “Ata  do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër ata do të pyeten Ditën e Gjykimit për gjithçka që shpifnin.” (Sure “Ankebut”, ajeti 13)

 Nëse i lexojmë me vëmendje këto ajete, vëmë re se ndëshkimi i atyre që shpifin është i rëndë dhe i ashpër për arsye se ky është mëkat i madh dhe sjell rrezik të madh në mesin e njerëzve. Sigurisht që çdo mëkat është i shëmtuar në vetvete. Por më i madh dhe më i shëmtuar është ai mëkat që përfshin edhe mëkate të tjera. Ky mëkat, shpifja, përfshin disa mëkate si: gënjeshtrën, dëshminë e rreme, përçarjen mes njerëzve dhe mohimin e së vërtetën.

Ata që shpifin, janë të mallkuar. Këtë e dëshmon edhe ajeti i Kur'anit: “Kush janë më të padrejtë se ata që trillojnë gënjeshtra për Allahun? Ata do të sillen para Zotit të tyre e dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët!” (Sure “Hud”, ajeti 18).

Prej shpifjeve e trilimeve janë ato kundër Allahut të Madhëruar. Ato bëhen duke folur në emër të Tij për gjëra që Ai nuk i ka thënë, duke dhënë opinione fetare me padituri. Allahu thotë: “Prandaj, mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndalkundër ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë." (Sure Nahl", ajeti 116)

Në ajetin e mëprashëm thuhet qartë se Allahu i mallkon shpifësit. Në ajetin e dytë sqarohet se ata e meritojnë zemërimin e Allahut e largimin e tyre nga mëshira e Tij dhe Ai i ka quajtur ata të padrejtë.

Në suren “En’am”, ajeti 93, Allahu i Madhëruar thotë: “Kush është i padrejti më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose që thotë: “Kjo më është shpallur mua”, ndërkohë që asgjë nuk i është shpallur atij? Ose që thotë: “Unë mund të shpall diçka si ajo që ka shpallur Allahu.”(!) Ah sikur t’i shihje të padrejtët gjatë agonisë së vdekjes, kur melekëve zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij.”

Kurse në suren “Ankebut”, ajeti 68 thuhet: “Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose që mohon të Vërtetën që i ka ardhur? Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?”

Edhe ky ajet sqaron dënimin e rëndë dhe poshtërues të atyre që shpifin dhe trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut.

Në Kur’anin e Shenjtë ka shumë ajete, që mohojnë shpifjet dhe trillimiet e jobesimtarëve kundër Allahut të Madhëruar, si shpifja se Ai ka fëmijë, shpifja se Ai ka miratuar shoqërimin e ortakut në dua, shpifja rreth diçkaje të ndaluar duke  thënë se Ai e ka lejuar, atribuimi i zakoneve të këqinj Atij etj.

Ka edhe shpifje kundër profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Shpifje të tilla është atribuimi i temave apo i haditheve të ndryshme atij, ndërkohë që ai nuk i ka thënë. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush gënjen me qëllim kundër meje, le të përgatisë vendin e tij në zjarr!” (Transmetojnë imam Et Tirmidhi, nr: 2950 dhe imam Ahmedi, nr: 2069.)

Prej ajeteve që flasin për shpifjen kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij përmendim:

Allahu i Madhëruar thotë: "E kushdo që shpif gënjeshtra për Allahun, pas kësaj ai ka kaluar nga e drejta në të shtrembrën." (Sure "Ali Imran", ajeti 94)

Dhe: "Shiko si shpifin ata gënjeshtra kundër Allahut. Mjafton kjo shpifje si gjynah i qartë." (Sure "Nisa", ajeti 50)

Dhe: "Allahu nuk e përligj as Behirën, as Saibën, as Vesilën, as Hamin. Por femohuesit trillojnë gënjeshtra për Allahun! Shumica syresh nuk kanë mend." (Sure "Maide", ajeti 103)

Dhe: "Kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron shpalljet e Tij? Vërtet, të padrejtët nuk do të shpëtojnë." (Sure "En'am", ajeti 21)

Dhe: " Thuaj: “Çfarë mendoni ju për ushqimin që jua ka zbritur Allahu, një pjesë të të cilit e bëni të ndaluar e një pjesë tjetër të lejuar?” Thuaj: “A ju ka lejuar Allahu për këtë apo po shpifni gënjeshtra për Allahun?” Çfarë do të mendojnë në Ditën e Kiametit, ata që shpifin gënjeshtra për Allahun? Me të vërtetë, Allahu është Bamirës i madh me njerëzit, por, pjesa e tyre dërrmuese nuk e falënderojnë." (Sure "Junus", ajetet 59-60)

Dhe: Nëse ata thonë: “Ai e ka trilluar atë!” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” (Sure "Hud", ajeti 13)

Dhe: " Ata i veshin Allahut atë që për vete nuk e dëshirojnë164, kurse gjuhët e tyre flasin gënjeshtra, kur thonë se ata do të kenë shpërblimin më të mirë. Nuk ka dyshim se ata i pret Zjarri, ku do të jenë të parët që do të prijnë." (Sure "Nahl", ajeti 56)

Dhe: Ata thonë: “Ai (Muhamedi s.a.s.)e ka trilluar atë! Jo, ajo është e Vërteta nga Zoti yt për të paralajmëruar popullin, të cilit para teje nuk i ka ardhur kurrfarë paralajmëruesi, që të shkojë në rrugë të drejtë." (Sure "Sexhde", ajeti 3)

Dhe: A thonë ata: “Ai (Muhamedi s. a.s.) trillon gënjeshtra për Allahun”?! Po të donte Allahu, do ta vuloste zemrën tënde! Allahu e shkatërron të pavërtetën dhe e forcon të vërtetën me fjalët e Veta. Ai e di mirë ç’ka në zemrat e tyre." (Sure "Shura", ajeti 24.)

Fatkeqësisht, shpifja dhe gënjeshtra përhapur në mesin e shoqërisë sonë sot njëlloj si zjarri, i cili nuk mëshiron as të thatën e as të njomën. Njerëzit shpifin e trrillojnë kundër njëri-tjetrit, - shoku kundër shokut, shoqja kundër shoqes me akuza të pabaza. Disa shpifin e trillojnë kundër të tjerëve që të duken në sy të njerëzve se janë më të mirë, për ndonjë interes individual, apo për të fituar ndonjë post e pozitë etj.

Sa e sa biseda nga bisedat tona kanë paragjykime dhe gënjeshtra kundër të tjerëve. Sa e sa gazeta e revista shpifin e trillojnë pa u dridhur qerpiku. Sa e sa prindër ka që i edukojnë fëmijët e tyre me gënjeshtra, trillime e shpifje. Sa e sa pretendime të kota u vishen besimtarëve që falen, agjërojnë, shkojnë në haxh dhe kryejnë adhurimet dhe detyrimet që ka caktuar Allahu i Madhëruar.

Mediat elektronike janë mjetet më të lehta sot për përhapjen e gënjeshtrave, të shpifjeve dhe të trillimeve. Me një shtypje butoni mund të shpërndahen me mijëra postime, që përmbajnë shpifje e gënjeshtra kundër të tjerëve me qëllim përbaltjen e identitetit të tyre. Vallë, kur do të pastrohen këto mjete nga ky veprim i poshtër dhe shkatërrues?

Shpifjet kanë hyrë deri tek ëndrrat. Ka njerëz, që dëshirojnë të shpifin kundër të tjerëve duke përdorur ëndrrat. Ata thonë se kanë parë në ëndërr filanin apo filanen duke bërë kështu e kështu, ndërkohë që asgjë nuk kanë parë. Ka bashkëshortë që shpifin kundër bashkëshorteve të tyre në sy të familjes së saj a të familjes së tij, duke thënë se ajo nuk bën bën punët e shtëpisë, e neglizhon atë etj, ndërkohë që ajo i bën të gjitha punët e shtëpisë dhe kujdeset për të në jetën baskëshortore. Ka edhe bashkëshorte që shpifin kundër bashkëshortëve të tyre duke thënë se është koprrac, ndërkohë që ai është bujar. Fqinji shpif kundër fqinjit të tij.

Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Cilindo që shpif për besimtarin a për besimtaren ose thotë ato që nuk i ka, Allahu do ta vendosë mbi një kodër zjarri në Ditën e Gjykimit, ku do të qëndrojë derisa të dalin prej tij ato që ka thënë për besimtarin.” (“Biharul Anuar”; vëll. 75, kreu 62, hadithi/5).

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtarit që shpif për vëllanë e tij, do t’i shkrihet besimi njësoj si shkrihet kripa në ujë.” (“Biharul Anvar”; vëll. 75, kreu 62, hadithi/19).

S’ka dyshim se të gjitha këto shpifje e trillime  do të zhduken dhe do të qëndrojë vetëm e vërteta, siç  thotë Kur’ani i Shenjtë:Shiko se si i gënjyen vetet e tyre, por zotat që ata i trilluan, do t’i lënë në baltë.” (Sure “En’am”, ajeti 24). Dhe Allahu i Madhëruar na urdhëron që të mos u kushtojmë vëmendje shpifjeve e trillimeve sepse ato kurrë nuk qëndrojnë gjatë. Në Kur’an thuhet: “Kështu, çdo profeti Ne i kemi caktuar armiq djajtë e njerëzve dhe të xhindeve, të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe, të zbukuruara për mashtrim. Por, sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të bënin kështu. Prandaj lëri ata dhe trillimet e tyre.” (Sure “En’am”, ajeti 112)

Dhe: Dhe mos më turpëro në Ditën, kur do të ringjallen njerëzit, në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure "Shuara", ajetet 87-89)

O Zoti ynë! Na i ndriço zemrat me dritën e Kur'anit!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI