E vërteta e ashurasë

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 24, 2018, 12:17 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë: “…e kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.” (Sure “Haxh”, ajeti 32)

Me qindra e qindra vite myslimanët shiitët vazhdojnë të mbajnë të gjallë ndodhinë e Kerbelasë, në të cilën u vra e u masakrua nipi i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij, imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!). Në këtë ditë u vra simboli i unitetit islam, simboli i dashurisë në zemrat e besimtarëve që bëri revolucionin më të madh në historinë e Islamit, i cili lëkundi ndërgjegjet e myslimanëve dhe të jomyslimanëve.

Në këtë ditë iu pre koka djalit të Fatime Zahrasë. Në këtë ditë u morën robina vajzat e Fatime Zahrasë. Mëkëtë ditë nuk u mëshirua as foshnja gjashtë muajshe nga tehu i shigjetës. Në këtë ditë u sqarua se çfarë kuptimi të vërtetë ka fjala besnikëri. Në këtë ditë u plotësua dëshira dhe urtësia e Allahut për vazhdimësinë e gjnenezës së pastër të Profetit Muhamed me qëndrimin gjallë të imam Zejnul Abidijnit, i biri i imam Hysejnit (paqja qoftë mbi ata të dy!).

Imam Hysejni (paqja qoftë mbi  të!) u rrit dhe  u edukua në shkollën e shenjtë të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e cila ishte e mbushur me dashuri dhe mëshirë jo vetëm për myslimanët por për mbarë njerëzimin. Ai u edukua në shkollën që urdhëronte për unitet në radhët e mysimanëve.

Për këtë, në çdo vit myslimanët shiitë mbajnë zi për dhjetë ditë me radhë duke filluar që në fillim të muajit Muharrem. Mirëpo, imam Hysejni nuk është vetëm i shiiave. Ai është imami i të gjithë myslimanëve. Ai është i biri i imam Aliut, i biri i Fatimesë dhe zotëria e të rinjve të banorëve të Xhennetit. Për këtë është detyrë e të gjithë myslimanëve që ta kujtojnë imam Hysejni dhe ndodhinë e Ashurasë.

S’ka dyshim se Ashuraja dhe Matemi, kanë qenë prej faktorëve bazë të pranisë së Islamit në trojet tona në përgjithësi dhe në Shqipëri në veçanti, sidomos gjatë periudhës së egër komuniste. Falë ndihmës së Allahut dhe përpjekjeve të dijetarëve, teologëve, baballarëve, shehlerëve dhe besimtarëve të devotshëm e të patundur në rrugën e Allahut, u bë e mundur që ne sot të kemi mirësinë e madhe të pranisë së dritës së Islamit dhe të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Sado që u përpoq regjimi komunist ta shuajë dritën e fesë së Allahut, por nuk ia arriti qëllimit sepse Allahu i Madhëruar thotë në suren “Teube”, ajeti 32: Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.”

Kjo dritë do të vazhdojë të ndriçojë qiellin e trojeve tona, sepse ajo është drita e vërtetë, është drita e Allahut, i cili është drita e qiejve dhe e tokës. Është detyra jonë që pishtarin e kësaj drite t’ua trashëgojmë brezave të ardhshëm duke u sqaruar atyre mirësitë e saj nëpërmjet metodave dhe mënyrave të ndryshme të bazuara në dije, njohje, logjikë dhe arsye të drejtë. Një prej këtyre metodave është edhe ringjallja e kujtimit të imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) dhe organizimi i tubimeve të zimbajtjes gjatë muajit Muharrem. Duhet t’u sqarojmë njerëzve të vërtetën e Ditës së Ashurasë. T’u sqarojmë se dita e Ashurasë nuk ka vetëm kuptimin e gatimit tradicional të Hashures e as atë të prerjes së ujit për dhjetë ditë me radhë, por, përveç këtyre, Dita e Ashurasë ka domethënie të madhe. Ajo është shkak i qëndrimit dhe i vazhdimësisë së Islamit të pastër që solli Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!), së bashku me dëshmorët e masakrës së Kerbelasë, vaditën me gjakun e tyre pemën e Islamit që brezat e ardhshëm të ushqehen me frutat e pastër të saj.

Martirizimi i imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të !) është bashkues i ymmetit islam. Imam Hysejni ishte flamurtari dhe mësuesi më i mirë në rrugën e mirësisë, dashurisë, lirisë, pavarësisë, drejtësisë, nderit, heroizmit dhe sakrificës. Shkolla e imam Hysejnit na mëson se si të jemi  krenarë, të pamposhtur, të sigurtë dhe të lumtur si në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Shkolla e imam Hysejnit është vazhdimësi e shkollës së Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

ÇFARË ËSHTË ASHURA-JA?

Ashura-ja është frymëzim i përhershëm dhe motiv i fuqishëm për muslimanët dhe për mbarë njerëzit.

Ashura-ja është revolucion i fuqishëm shpirtëror, edukativ, social dhe politik.

Ashura-ja është mësim për të shkuarën, meditim dhe veprim për të sotmen dhe planifikim për të ardhmen.

Ashura-ja është britma e të drejtës dhe e lirisë.

Ashura-ja është shkolla e flijimit dhe e sakrificës.

Ashura-ja është lëvizja për hir të Allahut dhe në rrugën e Allahut, e cila do të vazhdojë brez pas brezi deri në fund të kësaj jete.

Prandaj, imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) nuk ishte thjesh person, ai ishte vijë, është flamur dhe pishtar udhëzimi.

Ashura-ja e vërtetë është të ndryshosh zemrën tënde, ta pastrosh atë dhe ta mbushësh me besim e me bindje ndaj Krijuesit. Në zemër të mos ketë vend urrejtja, smira e armiqësia. Në zemër të gjendet dashuria për Allahun dhe për krijesat e Tij. Zemrat tona të jenë si zemra e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!).

ÇFARË NA MËSON ASHURAJA

Ashura-ja është e mbushur me mësime të shumta dhe që vlejnë për të gjithë njerëzit. Prej atyre mësimeve përmendim:

Së pari: Ashura-ja na mëson që të mos gjunjëzohemi para poshtërimit dhe nëpërkëmbjes. Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I largët është për ne poshtërimi”

Së dyti: Ashura-ja na mëson lirinë dhe krenarinë. Imam Hysejni ka thënë: “O ju shiiat e familjes se Ebu  Sufjanit nëse nuk keni fe, jini të lirë në dynjanë tuaj.”

Së treti: Ashura-ja na mëson se martirizimi dhe sakrifica në rrugën e Allahut janë lumturia e vërtetë. Ai ka thënë: “Unë nuk e shoh vekjen veçse lumturi.”

Së katërti: Ashura-ja na mëson se e drejta triumfon në çdo situatë dhe në çdo rrethanë. Allahu i Madhëruar thotë: Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket” (Sure “Isra”, ajeti 81). Imam Hysejni u ngrit sepse e drejta nuk po zbatohej dhe e padrejta ishte përhapur në mesin e myslimanëve në atë kohë. Ai ka thënë: “A nuk po e shikoni të drejtën që nuk po zbatohet dhe të kotën që nuk po ndalohet prej saj?”

Së pesti: Ashura-ja na mëson se porta e pendimit është gjithmonë e hapur deri në momentin e fundit. Kjo u duk në sjelljen e tij me Hur ibn Jezijd Er Rijahij, i cili u pendua dhe iu bashkua imam Hysejnit.

Së gjashti: Ashura-ja na mëson besnikërinë. Sigurisht që këtë e mësojmë nga besnikëria e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) ndaj Mesazhit të Gjyshit të vet, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjithashtu, besnikërinë e mësojmë edhe nga shokët e tij në fushën e betejës në Kerbela. Imam Hysejni (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Unë nuk kam parë më besnikë se shokët e mi.”

Së shtati: Ashura-ja na mëson rëndësinë e të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit  nga e keqja. Imam Hysejni ka thënë: “Unë nuk kam dalë as si mosmirënjohës, as si arrogant, as si shkatërrues dhe as për të bërë padrejtësi. Unë kam dalë për të kërkuar reformim në ummetin e gjyshit tim (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të urdhëruar në të mira dhe për të ndaluar nga të këqijat.”

Së teti: Ashura-ja na mëson rëndësinë e pjesëmarrjes së femrës në kryengritje. Kjo kuptohet më së miri në rolin e zonjës së madhe Zejneb, e bija e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) dhe të femrave të tjera nga fisi hashimit, të cilat ia çorrën maskën Jezidit dhe zgjuan ymetin islam nga gjumi i thellë i pavëmendshmërisë në të cilin kishte rënë. E madhja Zejneb i ka thënë Jezidit: “O Jezid. Përpiqu me sa të mundesh dhe intrigo sa të duash. Betohem në Allahun se ti kurrë nuk do ta fshish përmendjen tonë.” Të vërtetën ke thënë o bija e prijësit të besimtarëve. Përmendja juaj vazhdon dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete.

Së nënëti: Ashura-ja na mëson që ta kundërshtojmë padrejtësinë dhe të padrejtët dhe kurrë të mos jemi në anë të tyre. Allahu i Madhëruar thotë: Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.” (Sure “Hud”, ajeti 113).

Së dhjeti: Ashura-ja na mëson se  ndihma dhe përkrahja e Allahut është me besimtarët e devotshëm e të sinqertë. Revolucioni i imam Hysejnit, nisur nga numri i luftëtarëve ishte humbës, mirëpo ai tronditi themelet e historisë dhe të perandorisë emevite. Beteja e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) ishte i njëjtë me betejën e Bedrit, në të cilën numri i luftëtarëve mysliman ishte tre herë më i vogël se numri i jobesimtarëve dhe idhujtarëve mekas, mirëpo triumfi ishte i myslimanëve. Kjo tregon se çdo gjë që është për Allahun dhe në rrugën e Tij, aty gjendet ndihma dhe përkrahja e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju  ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Sure “Muhamed “ajeti 7.)

Ashura-ja e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) nuk duhet të kufizohet vetëm me anën historike, sepse ajo është revolucion dhe kryengritje që kishte për qëllim ndreqjen dhe reformimin, për këtë ajo ka vazhduar përgjatë shekujve dhe do të vazhdojë të përshkojë horizontet e të ardhmes.

Ashura-ja e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) nuk përfundoi pasditen e ditës së Dhjetë të muajit Muharrem të vitit 61 të hixhrit. Përkundrazi, ajo filloi në atë ditë. Ndodhia e dhimbshme e Kerbelasë ndryshoi drejtimin e historisë së myslimanëve duke u hapur atyre horizontet për të kundërshtuar padrejtësinë dhe tiraninë.

CILËN RRUGË TË ZGJEDHIM?

Të gjithë e dimë se dy rrugë janë: ose e mira ose e keqja. Ashura-ja na tregon dhe na sqaron se cila ishte rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) dhe cila ishte rruga e Jezidit. Po ta studijomë me vëmendje Ashura-në do të konkludojmë se:

Rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) është rruga e besimit, e devotshmërisë, e vlerave të larta dhe e afrimit te Allahu.

Rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) është e vështirë dhe atë e përballon vetëm ai që Allahu ia ka sprovuar zemrën me besim.

Rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) është rruga e fitimit të kënaqësisë së Allahut, e të urdhëruarit në të mirë e të ndaluarit nga e keqja dhe e vendosjes së drejtësisë. 

Rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) është rruga e shpëtimit dhe e udhëzimit.

Rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) është rruga e dritës dhe e lumturisë.

Rruga e imam Hysejnit (paqja qoftë mbi të!) është rruga për në Xhenet.

Rruga e Jezidit është rruga e padrejtësisë dhe e tiranisë.

Rruga e Jezidit është rruga e zhytjes në detin e mëkateve e të gjynaheve.

Rruga e Jezidit është rruga e egos dhe e mashtrimit.

Rruga e Jezidit është rruga e shkatërimit dhe e krimit.

Rruga e Jezidit është rruga e errësirës dhe e fatkeqësisë.

Rruga e Jezidit është rruga e djallit.

Rruga e Jezidit është rruga për në Xhehenem.

Atëherë: Cilën rrugë të zgjedhim?

Paqja qoftë mbi imam Husejnin!

Paqja qoftë mbi Aliun, i biri i imam Husejnit!

Paqja qoftë mbi heroinën e Qerbelasë, hazreti Zejneb!

Paqja qoftë mbi heroin e Qerbelasë Ebul Fad Abbas!

Paqja qoftë mbi fëmijët e imam Husejnit!

Paqja qoftë mbi përkrahësit e imam Husejnit!

Paqja qoftë mbi të gjithë ata që e pasojnë me devotshmëri rrugën e imam Husejnit!

Allahu i mëshiroftë ato sy që vajtojnë për  imam Husejnin!

Allahu i forcoftë ato zemra që mbartin dashurinë për imam Husejnin!

Allahu i ndriçoftë ato mendje që e njohin ashtu siç duhet imam Husejnin!

O Allah i Plotfuqishëm! Na mundëso të jemi në rrugën e imam Husejnit, e cila është rruga e gjyshit të tij, profetit Muhammed, dhe na bashko me ta në Ditën e Kijametit!



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI