Profeti Muhamed, i dërguari për mbarë njerëzimin
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave
tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është I
Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Sure
“Ahzab”, ajeti 40)
Askush nuk ka personalitet më të lartë se ai i burrit më të madh e më të përkryer, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Në të gjitha kohët nuk është dukur si ky personalitet i lartë, i cili bëri ndryshime rrënjësore e të gjëra në historinë e njerëzimit. Qytetërimi që solli profeti vazhdon të ushqejë mbarë botën me njohje dhe dije për shekuj të tërë dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj bote.
Doktor Maikëll Hart, profesor i matematikës, astronomisë dhe fizikës në Universietin amerikan si dhe specialist në grupin kozmik amerikan thotë: “E zgjodha Muhamedin të parin në listë dhe shumë njerëz kanë të drejtë të çuditen me këtë zgjedhje. Mirëpo Muhamedi është njeriu i vetëm në histori i cili korri sukses të plotë qoftë nga ana fetare ashtu edhe ajo jetësore. Ai ftoi në Islam dhe e përhapi atë si një ndër fetë më madhështore. Ai ishte udhëheqës politik, ushtarak dhe fetar. Pas kalimit të 13 shekujve nga vdekja e tij, gjurmët dhe ndikimet e Muhamedit vazhdojnë të jenë të forta dhe ringjallëse.”
Madhështia e profetit Muhamed duket shumë qartë në ndryshimin e madh që bëri në Gadishullin Arabik duke e nxjerrë atë nga skëterrat e injorancës dhe paganizmit në dritën e monoteizmit.
Sipas transmetimeve të ndryshme islame, data 27 e muajt Rexheb është dita e zbritjes së kurorës së Profetësisë profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilin Allahu e ka dërguar për mbarë njerëzimin. Gjithashtu, në disa transmetime të tjera thuhet se me këtë datë ka ndodhur ndodhia madhështore e Israsë dhe e Mi’raxhit. Këtë ndodhi e përmend edhe Kur’ani i shenjtë, pikërisht në Suren “Isra”, ajeti 1, ku thuhet: “I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” Si do që të jetë, të dyja këto ndoshi janë madhështore dhe kanë lidhje me njeriun madhështor, profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu e dërgoi atë (profetin Muhamed) kur njerëzit ishin në humbje e në çoroditje, të zhytur në përçarje e në shkatërrim, të magjepsur me unin dhe lakminë… Profeti porositi shumë dhe udhëhoqi rrugën duke i ftuar me urtësi e këshillë të mirë.” (Nehxhul Belaga)
Të qënit e Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i Dërguari për mbarë njerëzimin e dëshmon mrekullia e tij e përjetshme, Kur’ani fisnik. Përderisa kjo shpallje është për mbarë njerëzinë, atëherë a nuk është sjellësi, sqaruesi dhe përcjellësi i saj udhëheqës për mbarë njerëzinë?
Në Kur’an ka disa ajete që flasin qartë se Profeti Muhamed është i Dërguar për të gjithë njerëzit; siç është ajeti 185 i sures “Bekare”; ajeti 41 i sures “Zumer”; ajeti 170 dhe 174 i sures “Nisa”; ajeti 57 dhe 108 i sures “Junus”. Po citojmë pesë prej tyre.
Ajeti i parë: Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka zot tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!” (Sure “A’raf”, ajeti 158.)
Në një transmetim të ardhur nga imam Hasani (paqja qoftë mbi të!), i cili flet për shkakun e zbritjes së këtij ajeti, thuhet: “Disa jahudinj shkuan te profeti Muhamed dhe i thanë: “O Muhamed. Ti je ai që thua se je i Dërguari i Allahut dhe të është shpallur Shpallja njëlloj si Musait të birit të Imranit?” Profeti heshti për pak kohë, pastaj tha: “Po. Unë jam zotëria i bijve të Ademit dhe nuk e them për mburrje. Unë jam vula e profetëve, udhëheqësi i të devotshmëve dhe i dërguari i Zotit të botëve.” Ata e pyetën përsëri: “Për kë je dërguar? Për arabët, për joarabët apo për ne.” Atëherë, Allahu zbriti ajetin e parë të mësipërm, që sqaron se ai është i Dërguar për mbarë njerëzit.
Ajeti i parë: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju” u drejtohet të gjithë njerëzve, të çdo kohe dhe vendi, të çdo kombi e kombësie, pa dallim race e ngjyre, për ata që ishin të pranishëm në kohën e zbritjes së ajetit dhe për ata që janë dhe do të vijnë.
Prandaj, ky është urdhër i Allahut të Madhëruar, që të gjithë njerëzit ta ndjekin profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), sepse AAllahu) e dërgoi atë për mbarë njerëzimin. Pa dyshim, që ky është edhe dallimi i profetit Muhamed nga profetët e tjerë. Allahu nuk pati dërguar më parë asnjë profet për mbarë njerëzimin.
Ajeti
i dytë: “I lartësuar qoftë Ai
që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.” (Sure
“Furkan”, ajeti 1.)
Në këtë ajet Allahu i Madhëruar e ka cilësuar profetin Muhamed “rob të Tij”. Në
të vërtetë ky është “medalijon nderi” për profetin sepse, profeti është rob i
Allahut dhe jo rob i vetes së tij. Ai ka qenë sundues dhe kontrollues i vetes
së vet. Ai, që me të vërtetë është rob i Allahut, ai është sundues dhe
kontrollues i vetes së vet. I tillë ishte profeti Muhamed dhe për këtë iu
shpall Dalluesi (Kur’ani) dhe për këtë është edhe paralajmërues për të gjitha
botët. Të qënit e profetit Muhamed “rob i Allahut” dhe “paralajmërues për
botët” tregon se ai nuk ka qenë i veçantë për një popull apo rracë apo vend.
Ai është i pastër nga damarët e rracizmit dhe fanatizmit verbues. Ai qëndron mbi arabizmin e joarabizmin. Ai ka thënë: Nuk ka dallim mes arabit dhe joarabit, veçse me devotshmëri.
Në Kur’an nuk lexojmë që Allahu ta këtë cilësuar profetin si arab por e ka cilësuar si rob dhe të Dërguar të Allahut. Është e ditur që profeti Musai dhe profeti Isai ishin prej bijëve të izraelit mirëpo në Kur’an nuk gjejmë që ata të cilësohen si izraelit.
Gjithashtu, as profeti Nuh nuk cilësohet në Kur’an si Sirjanit. Kjo për faktin se profetët janë më të lartit, më fisnikët që t’i kufizojë kombësia, vendi apo krahina. Pa dyshim që profeti Muhamed ishte njeri, siç thotë Kur’ani: “Thuaj, unë jam njeri si ju” dhe u dërgua për shpëtimin e njerëzisë. Sheriati i tij është për të gjithë njerëzit dhe nuk është i veçantë për një komb. Sheriati i tij nuk është as lindor e as perëndimor, por është mbarëbotëror.
Ajeti i tretë: “Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet…”Sure “En’am”, ajeti 19.
Ky Kur’an, që nuk mund të jetë krijimtari e mendjes njerëzore. Ky Kur’an, i cili përmban dëshmi të shumta rreth mrekullisë së tij, sepse fjalët e tij janë mrekulli dhe kuptimet e tij janë mrekulli. Ky Kur’an, që sqaron çdo gjë, është i përhershëm deri në ditën e fundit të kësaj jete. Ai është Libri i Allahut dhe dëshmuesi i profecisë së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)
Ky
ajet konstaton se Profeti Muhamed është dërguar për të gjithë ata që u mbërrin
Kur’ani. Kjo përfshin të gjithë njerëzit deri në ditën e fundit të kësaj bote.
Në disa hadithe lexojmë se kuptimi i përcjelljes së Kur’anit nuk është vetëm me
mbërritjen e tekstit original, por ky kuptim përfshin edhe përkthimin e tij në
gjuhët e popujve. E kanë pyetur imam Sadikun (paqja qoftë mbi të!) për kuptimin
e këtij ajeti dhe ai është përgjigjur: “Me të gjitha gjuhët” (Tesijrul
Burhan, fundi i komentimit të ajetit në fjalë. Tefsijri Nuru Thakalejn, vëll.
1, f. 707.)
Ajeti i katërt: “Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed)
vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin,
por shumica e njerëzve nuk dinë.”
Ky ajet flet për përgjithshmërinë e mesazhit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të qënurit e tij profet për të gjithë njerëzit. Në një hadith të transmetuar nga ibn Abbasi, të cilin e përmendin komentuesit për këtë ajet, profeti Muhamed ka thënë: “Më janë dhënë pesë dhe nuk e them për krenari. Jam dërguar për të kuqtë dhe të zinjtë. Toka më është bërë mua vend pastrimi dhe vendfaljeje… dhe më është dhënë shefati që do ta zbatoj për ymmetin tim, në Ditën e Kiametit.” (Tefsijri “Mexhmaul Bejan”, vëll. 8, f. 391.)
Ajeti i pestë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Sure “Enbija”, ajeti 107.)
Ky ajet e dëshmon dhe e përforcon akoma më shumë të qënit e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i Dërguar për mbarë njerëzinë.
Dihet se mëshira është prej cilësive të Allahut dhe përfshin çdo gjë. Ky cilësim i profetit me cilësinë e mëshirës pa dyshim që është argumentues se ai është më i larti dhe më fisniku i profetëve. Mëshira e tij në këtë jetë përfshin të gjithë njerëzit, qofshin besimtarë apo jobesimtarë. Kjo për faktin se ai solli dhe përhapi fenë shpëtuese për mbarë njerëzimin. Nëse gjenden njerëz që nuk përfitojnë prej kësaj feje kjo ka lidhje me vetë ata njerëz dhe nuk e cënon përgjithshmërinë e mëshirës.
Kjo është njësoj sikur të ndërtohet një spital i pajisur me të gjitha aparaturat për shërimin e sëmundjeve të ndryshme dhe në të ka doktora, specialistë dhe të aftë, ka ilaçe të ndryshme dhe dyert e këtij spitali janë të hapura për të gjithë njerëzit pa dallim. Vallë, a nuk është ky spital mëshirë për të gjithë njerëzit? Nëse disa njerëz nuk shkojnë në të përshkak të kokforcisë së tyre, kjo nuk ndikon në të qënit e këtij spitali i përgjithshëm.
Fraza “lil alemijne” për botët, ka kuptim të gjërë dhe i përfshin të gjithë njerëzit, në çdo kohë dhe në çdo vend. Ky ajet tregon dhe argumenton se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është mëshirë dhe model për të gjithë njerëzit deri në Ditën e Kijametit.
Në tefsijrin e Kurtubiut thuhet se kuptimi i thënies së Allahut në këtë ajet, “lil alemijne”, për botët, është për njerëzit dhe për xhindët, sepse profeti ka qenë i dërguar dhe paralajmërues për njerëzit dhe për xhindët. Ai është vula e profetëve dhe mesazhi i tij është për të gjithë njerëzit...” (Xhamiu Ahkamil Kur’anil Kerijm: vëll, 13, f. 6.)
Në këtë jetë të mbushur me shthurje, devijime
nga të gjitha anët. Në këtë jetë, ku njerëzit janë të zhytur në pavëmendshëmri,
padrejtësi, degjenerim moral, etj, del në pah më së miri kuptimi i të qënit të
profetit Muhamed mëshirë për të gjitha botët. A ka mëshirë më të madhe se ai që
solli fenë, e cila nëse zbatohet dhe praktikohet, do të zhduken të gjitha
fatkeqësitë, vështirësitë, devijimet, shthurjet… etj?
Allahu i Madhëruar thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i
pranohet dhe ai në Botën Tjetër do të jetë i humbur.” (Sure “Ali
Imran”, ajeti 85.)
Dhe: “Allahu është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe
fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk
e pëlqejnë idhujtarët.” (Sure “Saf”, ajeti 9.)
Në Kur’anin e shenjtë, që është mrekullia e përjetshme e Allahut për profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) lexojmë se profeti Isai ka lajmëruar ardhjen e vulës së profetëve, profeti Muhamed. Në suren “Saf”, ajeti 6 thuhet: “Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Izraelit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje”. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur!”
Një tjetër argument që tregon se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është udhëheqës për mbarë njerëzinë është edhe përmbajtja e Hytbes së Lamtumirës. Nga fillimi e deri në fund të kësaj hytbeje profeti Muhamed ka thënë “O ju njerëz”, pra i drejtohet të gjithë njerëzve dhe nuk ka thënë “O ju myslimanë” ose “O ju që keni besuar”.
Profeti Muhamed është drita e pashuar. Suneti i tij i bekuar është receta më e mirë shëruese për çdo sëmundje shpirtërore për të gjithë njerëzit.
Do ta mbyllja këtë artkull me thënien e Allahut të Madhëruar i cili thotë: O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (Sure “Ahzab”, ajetet 45 – 46). Këto dy ajete na sqarojnë më së miri dërgimi e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Në këto data të shënuara, ne duhet të bëjmë llogarinë e vetave tona e të themi: A jemi në gjurmët e profetit Muhamed? Sa është i pranishëm profeti Muhamed në zemrat tona, në mendjet tona dhe në sjelljet tona? A ndriçohemi nga drita e tij e pashuar? A jemi të veshur me moralin e profetit Muhamed? Në këto ditë, sigurisht në çdo ditë e në çdo çast, t’i lutemi Allahut të Madhëruar që të na forcojë besimin dhe të na bëjë prej ndjekësve të profetit Muhamed në këtë jetë dhe të na bashkojë me të në Jetën Tjetër!