Qetësi , mbrojtje dhe ndihma humanitare për gjendjen aktuale të Sirisë

Publikuar në Prill 5, 2018, 1:01 a.m.

Sot më 04 Prill 2018, Presidentët e Iranit, Turqisë dhe Rusisë janë takuar në Ankara dhe kanë biseduar për situatën në Siri. Të trija shtetet janë të përfshira thellë në luftën civile në Siri, e cila ka nisur më 2011 dhe që atëherë janë vrarë mbi 340 mijë persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.

Erdogan ka mirëpritur në takim homologët e tij rus dhe iranian, për herë të dytë brenda gjashtë muajsh. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ai rus Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Hassan Rohani janë pajtuar se konflikti mund të përfundojë “vetëm përmes bisedimeve poltike”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të liderëve, të postuar në ueb-faqen e presidencës iraniane.

Të tre liderët kanë shprehur përkushtimin e tyre “për të përshpejtuar përpjekjet, në mënyrë që të sigurohet qetësi në terren”, si dhe “të mbrojnë civilët në zonat e luftës si dhe të ndihmojnë në dërgimin e ndihmave humanitare në këtë zona”.