Profeti Muhamed në Kur’an

  • None
nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 18, 2016, 1 a.m.

Sipas pikëpamjes dhe mendimit të personaliteteve islame, Kur’ani zë vendin e parë sepse ai është Libër i Allahut, i cili e mbron personalitetin e njeriut dhe e përsos atë. Ai përmban bazat dhe themelet e besimit dhe shpjegon gjithçka rreth fesë sonë të drejtë, Islamit, qoftë për çështjet individuale apo edhe ato të përgjithshme. Ai e drejton dhe e udhëheq shpirtin tonë drejt rrugës së drejtë. Ai është dritë dhe është i qartë. Me anë të tij, Allahu udhëzon atë që ndjek kënaqësitë e Tij dhe rrugët paqësore të mendimit, shpirtit dhe zbatimit. Ai i nxjerr njerëzit prej errësirave në dritë, me lejen e Tij dhe i udhëzon ata në rrugën e drejtë e të vërtetë. Kur’ani u sqaron njerëzve se ajo për të cilën kanë mendime të ndryshme, është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Ai udhëzon në atë që është më e mira dhe më e përsosura. Ai është shërues për zemrat dhe është shenjë e Zotit të Madhëruar. Allahu thotë për Kur’anin se atij nuk i vjen e kota as nga para e as nga prapa. Ai është dokument i mbrojtur nga Allahu dhe në të nuk ka as shtesë e as mangësi. Po ashtu, Allahu thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”

Bazuar në ato që u thanë për Kur’anin, atëherë është e domosdoshme që ai të jetë burim i parë për jetëshkrimin e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Ai flet për personalitetin e Profetit, për moralin e tij, për metodën e thirrjes e të predikimit të tij dhe për jetën e përgjithshme e personale të tij. Ai flet për marrëdhëniet e Profetit me të tjerët, qofshin besimtarë apo jobesimtarë. 

Sigurisht që profetësia e Profetit është çështje e Allahut, prandaj edhe njohja më e mirë e tij arrihet nëpërmjet Librit të Allahut të Madhëruar, Kur’anit të shenjtë. Për këtë, duhet që myslimanët të thellohen në studimin e jetës së Profetit, për t’u njohur me Profetin e tyre. Allahu i Madhëruar i urdhëron myslimanët që ta kuptojnë Kur’anin dhe të jetojnë nën dritën e tij.

Allahu i Madhëruar e ka zbritur Kur’anin udhëzues, udhërrëfyes dhe sqarues për çdo gjë. Prandaj, siç e thamë edhe më lart, duhet që të bazohemi te Kur’ani për të njohur personalitetitn e profetit Muhamed. Të shumta janë ajetet që flasin për këtë njeri të madh e për këtë dritë të pashuar.

Së pari, duhet të mësojmë periudhën para profecisë. Vallë, a e ka studiuar Profeti Teuratin (Torren) dhe Biblën (Inxhilin) para se t’i vinte profecia? A ishte i ditur për historinë e të dërguarve të mëparshëm? A dinte shkrim e këndim?  

Sipas Kur’anit, profeti Muhamed nuk ka qenë i njohur për ato që thamë. Në Kur’an thuhet: “…Allahu të shpalli ty Librin (Kur’anin) dhe Urtësinë e plotë, si dhe të mësoi atë që nuk e ke ditur. Dhuntia e Allahut për ty është shumë e madhe.” (Sure “Nisa”, ajeti 113)

 “Dhe kështu, Ne të kemi dërguar ty Shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti, më parë, nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kur’anin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robtë Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë.” (Sure “Shura”, ajeti 52)

Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.” (Sure “Ali imran”, ajeti 44)

Këto janë disa nga historitë e fshehta, të cilat Ne po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ke qenë me ata, kur vendosnin për punën e tyre dhe kurdisnin dredhira.” (Sure “Jusuf”, ajeti 102)

Ti nuk ke shpresuar se do të të shpallej Libri, por e more nga mëshira e Zotit tënd; prandaj, kurrësesi, mos u bëj ndihmës i mohuesve!” (Sure “Kasas”, ajeti 86)

Unë nuk kam pasur asnjë dijeni për Grupin më të Lartë, kur diskutonin mes tyre (për krijimin e Ademit). (Sure “Sad”, ajeti 69)

Thuaj: ‘Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë, a nuk po mendoni?’” (Sure “Junus”, ajeti 16)

Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrëfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.” (Sure “Ankebut”, ajeti 48)

E gjitha kjo është argument i profecisë së tij, sepse e gjithë kjo kulturë nuk mund të fitohet me përpjekje njerëzore, veçanërisht, kur poseduesi i kësaj kulture të gjerë nuk ka qenë i njohur me shkrimin e as me këndimin. Por kjo nuk do të thotë se Profeti nuk ka patur kulturë të lartë nëpërmjet meditimeve që bënte dhe nëpërmjet dhuntive të Allahut për të, gjatë kohës së përgatitjes së tij për të mbartur këtë mision të lavdishëm e universal që është mesazhi islam.

Kur’ani i shenjtë na thotë qartazi se profeti Muhamed është mbartësi i mesazhit. Allahu i Madhëruar për këtë, thotë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (Sure “Ahzab”, ajetet 45-46)

Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata, më parë, ishin vërtet në humbje të plotë.” (Sure “Xhumua”, ajeti 2)

…një të Dërguar, i cili ju lexon shpalljet e Allahut me shpjegime të qarta, për t’i nxjerrë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, nga errësira në dritë…” (Sure “Talak”, ajeti 11)

Në ajetet e lartpërmendura duket qartë roli udhëheqës dhe edukues i Profetit për njerëzit. Po ashtu, ai është dëshmitar, i cili dëshmon për bashkësinë duke i treguar asaj rrugën e vërtetë e të drejtë. Ai u lexon atyre ajetet e Allahut dhe u mëson atyre Librin që u nevojitet nga ana teorike dhe u mëson urtësinë që u nevojitet për anën praktike të jetës së tyre. Ai është përgëzues për besimtarët punëmirë se ata do të kenë shpërblim të mire. Po ashtu, është edhe tërheqës i vëmendjes ndaj dënimit të dhimbshëm.  Ai është edukuesi dhe pastruesi i zemrave prej të këqijave dhe ndytësive mendore. Ai i nxjerr njerëzit prej errësirave të paditurisë e të mosbesimit, të idhujtarisë e të humbjes, të prapambetjes e devijimit, në dritën e besimit e të dijes, të monoteizmit e të udhëzimit, të përparimit e të civilizimit në horizontet e dashurisë me Allahun, me jetën dhe me njerëzit. Ai nuk ka ardhur që të hedhë poshtë mesazhet që sollën profetët paraardhës dhe as t’i mohojë ata. Ai erdhi dëshmues dhe vërtetues për ato që sollën profetët e tjerë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kur’an: “…pastaj juve ju erdhi një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë…” (Sure “Ali imran”, ajeti 81)

Ai i dëshmonte librat paraardhës dhe ua sqaronte ato njerëzve. Allahu i Madhërurar thotë: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë…” (Sure “Maide”, ajeti 15)

Ai e dëshmonte besimin për të gjthë të dërguarit: “…Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij…” (Sure “Bekare”, ajeti 285)

Po të studiohen me kujdes ajetet e Kur’anit që flasin për metodën thirrëse të Profetit, do të vërejmë se ai nuk impononte, nuk detyronte askënd që të besonte dhe të bënte punë të mira.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues; dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” (Sure “Gashije”, ajetet 21-22)

“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut. Sa për ata që kthejnë kokën mënjanë, Ne nuk të kemi dërguar që të jesh rojtar i tyre.” (Sure “Nisa”, ajeti 80)

“…i Dërguari ka për detyrë vetëm që të shpallë qartazi.”  (Sure “Ankebut”, ajeti 18)

Ne e dimë mirë çfarë thonë ata, por ti nuk do t’i detyrosh ata me dhunë (që të besojnë). Prandaj, këshillo me Kur’anin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” (Sure “Kaf”, ajeti 45)

Ka edhe shumë ajete të tjera, të cilat flasin rreth kësaj teme.

Bazuar në këto ajete, duket qartë misioni profetik, i cili fton në besim, por jo me gjuhën e dhunës e të forces, por me gjuhën e këshillës dhe të fjalës së mirë. Në çdo hap e lëvizje, Profeti sillej ashtu siç e kishte mësuar Allahu. Ai ishte i urdhëruar që t’ua paraqiste veten e tij njerëzve duke u thënë: (Thuaju, o Muhamed): ‘Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Zotin e këtij Qyteti (Mekës), i Cili e ka bërë atë të shenjtë dhe të Cilit i përket gjithçka. Jam urdhëruar që t’i nënshtrohem Atij; dhe të këndoj Kur’anin.’ Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për dobi të vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: ‘Unë jam vetëm paralajmërues.’ Dhe thuaj: ‘Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato!’ E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju.” (Sure “Neml”, ajetet 91- 93)

Me ndihmën e Allahut dhe bazuar në mësimet e Tij, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nisi rrugën e predikimit me urtësi, me fjalë të ëmbla e të buta dhe me një qetësi e zemërgjerësi të paparë. Kjo ishte mënyra më e mirë për të depërtuar në mendjet dhe zemrat e të tjerëve. Ai ishte i urdhëruar që të udhëzonte njerëzit në rrugën e besimit të drejtë e të vërtetë e ky besim të ishte i bazuar në bindje e të ishte i palëkundur. Në një ajet të Kur’anit për ata që kanë besim të lëkundur, thuhet: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo, është humbja e qartë.” (Sure “Haxh”, ajetit 11)

Pra, përqafimi dhe ndjekja e Islamit nuk është me forcë e me dhunë, por me dëshirë dhe e bazuar te studimi dhe njohja e tij. Ka shumë njerëz, të cilët, për arsye të mosnjohjes së fjalës së Allahut, nuk besojnë. Për këtë, është detyrë që të ndiqet metoda e Profetit në përhapjen dhe sqarimin e Fjalës së Allahut, me qëllim që njerëzit të njihen sa më shumë me të dhe ta dinë se rruga e vetme e shpëtimit në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër është zbatimi i kësaj fjale, i Kur’anit të shenjtë.

Metoda e thirrjes së Profetit sipas Kur’anit

Qëllimi kryesor i misionit të Profetit ishte që në mendjet dhe zemrat e njerëzve të mbizotëronte feja e Allahut, çdo gjë që të vepronin, ta bënin për Allahun, të mos adhurohej tjetër, përveç Allahut; veprat dhe lëvizjet e njerëzve të bazoheshin te logjika e shëndoshë dhe jo te emocioni dhe instikti. Sa bukur na e paraqet Kur’ani metodën e thirrjes në rrugën e Allahut të Madhëruar! Sa nevojë kanë njerëzit e sotëm të njihen me këtë lloj metode dhe ta zbatojnë në jetën e tyre të përditshme! Jam i bindur se po të zbatohet kjo metodë kur’anore në jetën e përditshme, në shoqëritë njerëzore nuk do të ketë konflikte e as mosmarrëveshje, as luftra e as gjakderdhje, as mashtrime e as padrejtësi. Vallë, sa lart do të ishte Islami nëse myslimanët do të zbatonin Fjalën e Allahut, Kur’anin e shenjtë? Më poshtë do përmendim disa ajete nga Kur’ani që na mësojnë se si të bashkëpunojmë me të tjerët.

Allahu i Madhëruar thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij dhe di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë.” (Sure “Nahl”, ajeti 125)

Nëse ata të quajnë gënjeshtar, thuaju: ‘Unë kam (shpërblim për) punën time, kurse ju keni (shpërblim për) punën tuaj. Ju s’jeni përgjegjës për atë që bëj unë dhe as unë s’jam përgjegjës për atë që bëni ju.’” (Sure “Junus”, ajeti 41)

Nëse ata grinden me ty, thuaju: ‘Allahu e di më së miri atë që bëni ju.’” (Sure “Haxh”, ajeti 68)

Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: ‘Ne besojmë në atë që na është zbritur neve dhe në atë që ju është zbritur juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është një - dhe ne Atij i nënshtrohemi si myslimanë.’” (Sure “Ankebut”, ajeti 46)

E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: ‘Unë, me të vërtetë, jam mysliman.’ Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Sure “Fusilet”, ajetet 33-34)

Prandaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës, ashtu siç je urdhëruar; mos i ndiq epshet e tyre dhe thuaj: ‘Unë besoj çdo libër që e ka shpallur Allahu dhe jam urdhëruar që të gjykoj drejt midis jush; Allahu është Zoti ynë dhe Zoti i juaj. Veprat tona janë për ne, e veprat tuaja janë për ju. Midis nesh dhe jush nuk ka kurrëfarë mosmarrëveshjeje. Allahu do të na tubojë të gjithëve dhe tek Ai do të kthehemi të gjithë.’” (Sure “Shura”, ajeti 15)

Thuaju: ‘Kush ju furnizon juve prej qiejve dhe prej Tokës?’ - Thuaju: ‘Allahu!’ Ne nuk mund të jemi që të dyja palët në rrugën e drejtë, ose ju, ose ne jemi në humbje të qartë!” (Sure “Sebe”, ajeti 24)

Kjo është metoda islame e thirrjes, e cila nuk bazohet te dhuna e te presioni, por bazohet te logjika dhe te ndjenjat e njeriut. Ajo bazohet te fjala e butë dhe te dialogu i qetë e argumentues, me qëllim që edhe njerëzit e tjerë të jetojnë të qetë shpirtërisht e logjikisht. Sa e mrekullueshme është thënia e Kur’anit, që tregon se si të flasim me pasuesit e feve të tjera! Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: ‘O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!’ Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: ‘Dëshmoni se Ne i jemi nënshtruar Allahut!’” (Sure “Ali imran”, ajeti 64) A ka mësim më të përkryer se ky mësim kur’anor?

Morali i Profetit në thirrje

Profeti Muhamed ka qenë në piedestalin më të lartë të moralit në të gjitha anët dhe dimensionet. Ai ka qenë shumë i sjellshëm me njerëzit, mendjendritur dhe çdo gjë e priste me dashuri e zemërgjerësi. Ai ka qenë zemërbutë me njerëzit, qofshin miq apo armiq. Nuk ka qenë i ashpër, i rreptë, zemërgur e mendjelehtë. Ai ka qenë siç na thotë Allahu në Kur’an: “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” (Sure “Ali imran”, ajeti 159)

“…se ti je me virtyte madhore.” (Sure “Kalem”, ajeti 4)

Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Sure “Teube”, ajeti 128)

Në disa ajete të Kur’anit mësojmë se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) zemërohej shumë kur shihte njerëzit që këmbëngulnin në mosbesim. Çështja arriti deri atje, saqë Allahu, në disa ajete të Kur’anit, thotë: “Mos u pikëllo (o Muhamed) për shkak të tyre dhe mos u ngushto për kurthet e tyre.” (Sure “Neml”, ajeti 70)

“…Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre! Allahu është vërtet i Gjithëditur për atë që bëjnë ata.” (Sure “Fatir”, ajeti 8)

A mos vallë do të vrasësh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kur’an)?” (Sure “Kehf”, ajeti 6)

Kjo është ana shpirtërore e mesazhit, me të cilën, çdo thirrës islam duhet të jetë i pajisur në misionin e thirrjes e të predikimit. Ai duhet t’u dojë njerëzve humanizmin e tyre dhe t’u përbuzë mosbesimin. Zemra e tij duhet të pikojë gjak nga hidhërimi, kur të shohë njerëz jobesimtarë. Ky është sekreti i suksesit të predikuesit. Fjalët e tij duhet të dalin nga mendja e shëndoshë dhe nga zemra e pastër dhe t’i dojë njerëzit, sepse dashuria përmban fuqi për shkatërrimin e shumë pengesave shpirtërore mes thirrësit dhe njerëzve të tjerë. 

Ishte dëshira e Allahut që Profeti të qëndronte me të varfërit besimtarë, sepse ata ishin të pastër e të papërlyer nga egoizmi apo mendjemadhësia. Gjithashtu, të kuptohej se varfëria nuk është mangësi personaliteti te njeriu. Është detyrë e thirrësve që të forcojnë marrëdhëniet me të varfërit e jo t’i largojnë ata e të afrojnë të pasurit. Në një ajet të Kur’anit lexojmë: “Mos i dëbo ata që i luten Zotit të vet në mëngjes e mbrëmje, duke e dëshiruar Fytyrën (mirësinë) e Tij! Ti nuk je aspak përgjegjës për ata e as ata nuk janë përgjegjës për ty. Nëse ti i dëbon ata, atëherë do të jesh keqbërës.” (Sure “En’am”, ajeti 52)

“Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë, zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Sure “Kehf”, ajeti 28)

Allahu e urdhëron të Dërguarin e Tij që të jetë modest, i thjeshtë dhe i buzëqeshur me besimtarët. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaj: ‘Paqja qoftë mbi ju!’ Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues.” (Sure “En’am”, ajeti 54)

Bazuar në këto ajete, sa e ndjekim ne shembullin e profetit Muhamed?

Profeti Muhamed, Kur’ani folës

Për çdo çështje apo fjalë e pyesnin Profetin: ‘A është prej tij apo është shpallje nga Allahu?’, me qëllim që të qartësonin qëndrimet e tyre. Por duhet të dihet se Profeti nuk ka patur dy personalitete në çështjet e përgjithshme e të posaçme. Ai ka patur një personalitet, i cili ishte trup i gjallë me mesazhin. Ai ishte Kur’ani folës në çdo aspekt të jetës së tij, qoftë në vepra, në thënie, në miratime e vendime. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e Zotit, që i vjen atij.”  (Sure “Nexhm”, ajetet 3-4)

Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrëfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” (Sure “Nisa”, ajeti 65) 

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21)

Ai është shembull në gjithçka. Ai ka qenë i pastër e i pamëkat gjatë gjithë jetës së tij, që në vegjëli e deri në fund të jetës së tij. Fjala e tij me veprën kanë qenë një dhe kurrë nuk bienin ndesh me njëra-tjetrën. Ai është shembulli më i përkryer për mbarë njerëzit, sepse ai përfaqëson të gjitha vlerat e larta morale dhe njerëzore. Toka nuk ka parë dhe nuk do të shohë njeri më të dlirë e më të pastër se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Të qënit njeri

Kur’ani i shenjtë dëshmon se profeti Muhamed ka qenë njeri si të gjithë njerëzit e tjerë, njësoj si të dërguarit e tjerë paraardhës. Ndryshimi ishte se ai ka qenë i zgjedhuri i Allahut dhe i Dërguari i Tij për të udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë bazuar në mësimet e Zotit.

 Kur’ani e urdhëron Profetin që t’u thotë njerëzve:Thuaj: ‘Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm.’ Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Sure “Kehf”, ajeti 110)

Në një ajet tjetër sqarohet edhe më shumë të qënit e tij njeri si të gjithë njerëzit e tjerë. Ajeti thotë: “Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u jape kurrëfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve.” (Sure “Hud”, ajeti 31)

Thuaj: ‘Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet.’ Thuaj: “A barazohet i verbri me atë që sheh? A s’po mendoni?” (Sure “En’am”, ajeti 50)

Nga këto ajete mësojmë se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ka asgjë nga ato që përmendin ajetet, por ai zbaton ato që i është shpalluar nga Allahu i Madhëruar.

Të qënit e profetit rob i Allahut sqarohet në këtë ajet, që thotë: Thuaj: ‘Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.’” (Sure “A’raf”, ajeti 188)

Në një ajet tjetër, përsëri rreth kësaj çështjeje, thuhet: “Thuaju: ‘Unë nuk jam i pari i dërguar dhe nuk e di çfarë do të ndodhë me mua ose me ju. Unë ndjek vetëm atë që më është shpallur dhe kam për detyrë vetëm të jap paralajmërime të qarta.’” (Sure “Ahkaf”, ajeti 9)

Në Kur’an flitet se Allahu i Madhëruar ia shfaq gajbin atij që do prej të dërguarve të Tij, por jo se ata dinë të fshehtën. Këtë e lexojmë në suren “Xhin”, ajetet 26-28, ku thuhet: Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (engjëj), në mënyrë që ta dijë, nëse i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht.”

Allahu është i Plotfuqishëm që t’i japë kujtdo prej robve të Tij, sidomos të dërguarve, çfarëdo fuqie, siç u ka dhënë disa të dërguarve mrekulli të ndryshme. Po ashtu, është i Plotfuqishëm që t’ua zbulojë të fshehtën. Por Kur’ani na thotë se nuk ua ka dhënë atyre këtë gjë. Ata lëviznin njësoj si lëvizin njerëzit. Përjetonin ndjenjën e dobësisë, etjes, urisë, dhimbjes, hidhërimit, gëzimit etj.

Si përballej Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me sfidat?

Profeti Muhamed është përballur me sfidat më të ashpra ndaj të pafeve dhe politeistëve mekas. Ata e akuzonin me lloj-lloj akuzash me qëllim që ta injoronin dhe ua paraqitnin njerëzve si një poet me metodë të re në poezi. Këtë e bënin për ta ulur nga posti i dërguesit të mesazhit. Më pas, e akuzonin se ishte gënjeshtar dhe se ai gënjente, duke pretenduar se ishte i Dërguar. E akuzuan se ishte magjistar dhe mendjelehtë. Së fundi, arritën të thonin se mesazhi i tij ishte: “Dhe ata thonë: ‘Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e në mbrëmje.’” (Sure “Furkan”, ajeti 5)

Ne e dimë mirë që ata thonë: ‘Atë e mëson një njeri! Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kur’ani) është në gjuhën e qartë arabe. ‘” (Sure “Nahl”, ajeti 103)

E Allahu u përgjigjet thënieve të tyre në shumë ajete, si: “…se ky (Kur’an) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit) e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni! Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni! Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!” (Sure Haka”, ajetet 40-43)

Nëse ata thonë: ’Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kur’anin)’, thuaju: ‘Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën.’” (Sure “Junus”, ajeti 38)

Vërtet thonë ata: ‘Ai e ka trilluar atë?!’ Nuk është kështu, por ata nuk besojnë. Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë!’” (Sure “Tur”, ajetet 33-34)

 “Thuaj (o Muhamed): ‘Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj gjykoni për shokun tuaj (Muhamedin) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë.’” (Sure “Sebe”, ajeti 46)

Në këto ajete shihet qartë metoda e përkryer kur’anore në përgjigje të akuzave dhe trillimeve të jobesimtarëve, të cilat ia drejtonin profetit Muhamed. Pa dyshim që kjo metodë nuk është e posaçme vetëm për ata jobesimtarë në kohën e profetit Muhamed, por ajo është për të gjitha kohët dhe për të gjithë jobesimtarët e çdo kohe dhe të çdo vendi.

Allahu na mundësoftë që tëjemi në rrugën e profetit Muhamed në këtë jetë dhe na bashkoftë me atë në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI