Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami
Allahu i Madhëruar thotë: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami.” (Sure Ali Imran, ajeti 19)
Nga ana gjuhesore fjala islam ka dy kuptime:
Kuptimi i parë: Dorëzim dhe përulje.
Kuptimi i dytë: Adhurim i sinqertë i Allahut.
Për kuptimin e parë, në Kur’an, lexojmë:
“A mos kërkojnë ata diçka tjetër përveç fesë së Allahut, ndërkohë që Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në Qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir dhe tek Ai do të kthehen të gjithë?!” (“Ali Imran”, ajeti 83)
Dhe: “Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.” (Sure Safat, ajeti 103)
Për kuptimin e dytë, në Kur’an lexojmë:
“Kush i dorëzohet Allahut, me tërë qenien e tij, duke qenë punëmirë, ai është kapur për vegën më të fortë. Tek Allahu do të kthehet çdo gjë.” (“Lukman”, 22)
Dhe: “Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!” - ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të Gjithësisë!” (Bekare, 131)
ISLAMI, FE E TË GJITHË PROFETËVE
Islami, feja e profetit Nuh
Ai i thoshte popullit të tij: “Por, nëse ktheni shpinën, (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që i nështrohen (Atij).” (“Junus”, 72)
Islami, feja e profetit Ibrahim
Kur’ani thotë: “Ibrahimi nuk ka qenë as hebre, as i krishterë, por ka qenë besimtar i vërtetë (monoteist) i përulur ndaj Allahut dhe nuk ka qenë nga politeistët.” (Ali Imran, 67)
Islami, feja e pasardhësve të Ibrahimit: Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!” - ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të Gjithësisë!” Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe, veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” (“Bekare”, 131-132)
Islami, feja e profetit Ja’kub
Në Kur’an thuhet: “A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: ‘Çfarë do të adhuroni pas meje?’ - Ata u përgjigjën: ‘Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!’” (“Bekare”, 133)
Islami, feja e profetit Musa
Kur’ani thotë: “Musai tha: ‘O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!’” (Junus, 84)
Islami, feja e profetit Jusuf
Ai lutej duke thënë: “Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në Botën Tjetër)!” (“Jusuf”, 101)
Islami, feja e profetit Lut
“Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet, ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane.” (“Dharijat”, 35-36)
Islami, feja e profetit Isa
Në Kur’an thuhet: “Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: ‘Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?’ Nxënësit (e tij) u përgjigjën: ‘Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij).’’’ (‘’Ali Imran’’, 52)
Islami, feja e profetit Sulejman
Në Kur’an lexojmë: ‘’’Sulejmani tha: ‘Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut.’” (“Neml”, 42)
Islami, feja që e përqafoi mbretëresha Sebe
“Ajo tha: ‘O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut - Zotit të botëve!” (“Neml”, 44)
Islami, feja në të cilën hynë magjistarët e Faraonit, kur Allahu ua udhëzoi zemrat dhe ata i bënë sexhde Atij duke thënë: “O Zoti ynë, na jep durim të madh dhe na bëj të vdesim myslimanë!” (“A’raf”, 126)
Islami është feja e besimtarëve prej xhindeve
Kur’ani thotë: “Ka prej nesh që janë myslimanë, por ka edhe të atillë që janë jobesimtarë. Kush ka përqafuar Islamin, ka zgjedhur rrugën e drejtë.” (“Xhin”, 14)
Islami është feja e zgjedhur nga Allahu për njerëzit
“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (“Maide”, 3)
Islami është feja ku jobesimtarët në Ditën e Kiametit do të dëshironin të kishin qenë prej ndjekësve të tij.
Në Kur’an thuhet: “Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshironin që të ishin myslimanë.” (“Hixhr”, 2)
Në Ditën e Kiametit nuk ka siguri nga frika e tmerri e as nuk hyhet në Xhenet, vetëm se duke qenë mysliman. Kur’ani thotë: “(Allahu do t’u thotë): ‘O robtë e Mi, për ju sot nuk ka frikë dhe as që do të pikëlloheni. Ju që keni besuar shpalljet Tona dhe keni qenë myslimanë, hyni në Xhenet të gëzuar, ju dhe bashkëshortet tuaja, ku do t’ju shërbehet me pjata dhe gota prej ari. Aty do të ketë çfarë t’ju dojë shpirti dhe gjithçka që ta kënaq syrin dhe atje do të qëndroni përgjithmonë. Ja, ky është Xheneti që ju është dhënë në trashëgim për atë që keni bërë. Aty do të keni fruta të shumëllojshme, prej të cilave do të hani.” (Sure “Zuhruf”, ajetet 68-73)
Në terminologji, Islami ka kuptimin e zbatimit të urdhave të Allahut.
Më pas, Islami u bë fe e njohur e cila iu shpall profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), vulës së profetëve. Pas tij nuk vjen profet. Pas Kur'anit nuk zbret libër qiellor.
Emri mysliman u bë i njohur për ata që e pasojnë profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe fenë islame. Në Kur’an lexojmë ajete nga Kur’ani që dëshmojnë se feja e pranuar tek Allahu është Islami:
“Atë që do Allahu ta udhëzojë ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin…” (“En’am”, 125)
“O ju që keni besuar! Jini të devotshëm ndaj Allahut ashtu siç i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (“Ali Imran”, 102)
“Thuaj: ‘Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari mysliman.” (“En’am”, 162-163)
Islami është feja e vetme që e pranon Allahu. Kur’ani thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në Botën Tjetër do të jetë i humbur.” (“Ali Imran”, 85)
Po i mbyll mbyll këto pak rreshta me lutjen e profetit Jusuf (Paqja qoftë mbi të!): O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si mysliman dhe më shoqëro me punëmirët (në Botën Tjetër)!”
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur'anit!