Xhamia e Jazixhi (Qatib) Sinanit

  • None
nga Faik Miftari | Publikuar në Qershor 27, 2016, mesnatë

Për vitin e saktë të ndërtimit nuk kemi njohuri, pasi që nuk ekziston mbishkrimi i saj origjinal, ndërsa mbishkrimi i tanishëm daton nga viti 1893/94 kur është bërë renovimi i xhamisë. Por përafërsisht e dimë se kjo xhami është shumë e vjetër dhe daton që nga fundi i shekullit XV-të, pasi që pas mahallës së xhuma xhamisë(Atëk), mahallës së Jakub beut(Çarshisë) dhe mahallës së Ajas beut, mahalla e Jazixhi Sinanit ishtë mahalla e katërt myslimane e themeluar pas rrënjës së Prizrenit nën sundimin osman gjer në fund të shek. XV-të. Nga burimet e  reja të hulumtuara është gjet se ajo quhej xhamia e Jazixhi (shkruesit) Sinanit, gjersa tek neve është njohur si xhamia e Qatib Sinanit, apo në popull është e njohur edhe si xhamia e Levishës.

Gjatë regjistrimit të përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit në vitin 1571 për mesxhidin e Jazixhi Sinanit është lënë vakëf(fondacion) një mulli[i], nga e cila nënkuptojmë se në vitin 1571 xhamia e Jazixhi Sinanit ishte ekzistuese, por tamam se në cilin vit është ndërtuar me saktësi për momentin nuk kemi të dhëna. Për xhaminë e Jazixhi Sinanit ka shkruar edhe myftiu prizrenas Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij të shkruar  Menakib gjatë shek. XIX-të, në të cilin thuhet:”Poashtu edhe një person që i thoshin qatip Sinan ka ngritur një xhami në lindje të qytetit tonë. Kjo është shkatërruar e rinovuar më se njëherë, rinovuesin e ka krijuar vërtetë ndihma e Zotit ton”[ii].

Për ndërtuesin e xhamisë nuk kemi fare njohuri se kush ka qenë ai, por për këtë kemi një rivajet(gojëdhënë) sipas së cilës Jazixhi(Qatip) Sinani kishte qenë shkruesi personal i sulltanit, dhe pas një beteje të fituar sulltani kishte dhënë urdhër të ndërtohet kjo xhami në Prizren, ndërsa e ka emërtuar me emrin e qatibit të tij Sinanit[iii].

Gjer në fund të shekullit XV është ndërtuar edhe një objekt me rëndësi të trashëgimisë materiale kulturore osmane-islame, të arkitekturës orientale, hamami i parë (banjoja publike) në Prizren, i cili ishte i domosdoshëm në atë kohë për funksionimin e jetës normale në Prizren. Hamamin e parë dhe më të vjetër në Prizren e ka ndërtuar Ahmet bej Evrenoszade, i cili ishte nip i Gazi Evrenos beut të shquar dhe supozohet se ka qenë vëllau apo kushëriri i afërt i Jakub beut Evrenoszade pasi që ka kanë jetuar dhe vepruar në të njëjtën kohë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XV-të.

Ahmet be Evrenoszade ishte akinxhi(kalorës) i shquar, i cili ka marrë pjesë në shumë beteja, sikurse edhe të asaj të vitit 1478 të rrethimit të Shkodrës. Ahmet beu ka qenë një vakëflënës i madh, përveç që ndërtoi hamamin prej dy pjesëve, pjesës mashkullore dhe pjesës femërore, në Prizren, ka lënë vakëfe të shumta, dhe atë 80 dyqane dhe mullirin me 10 gurë. Vakëfet të shumta ka lënë edhe në vendin e quajtur  Jenixhe Vardar( sot Gianitsa në Greqi) në të cilin edhe ka ndërruar jetë në vitin 1506 dhe aty është varrosur. Hamami ishte aktiv gjatë gjithë shekullit XVI ashtu që gjatë mesit të shek. XVI-të ka realizuar të ardhura vjetore prej 10.000 akça, ndërsa edhe 7.200 akça të ardhura ka pas prej 99 dyqaneve dhe 1.500 akça të ardhura vjetore nga mulliri i tij[iv].

Për hamamin e Ahmet beut ka shkruar edhe Raif Vërmica i cili cek se Ahmet beu ishte i brezit të dytë(nip) të pasardhësëve të Evrenos beut, dhe se atë e ka ndërtuar Ahmet beu në vitin 1498 që i përgjigjet burimeve të cekura më parë, do të thotë në fund të shekullit XV-të. Gjatë kohës ishte lënë në mëshirën e kohës dhe kishte përjetuar shkatërrime të shumta, ashtu që gjatë viteve 1972-1975 janë kryer riparimet e shumta nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit dhe është shndërruar në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit. Në të njëjtën kohë është riparuar edhe Sahat kulla e cila është ndërtuar gjatë shek. XIX të periudhës osmane[v].

[i] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571. године, Београд: Историјски институт, 2010, fq.555

[ii] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.86

[iii] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.53-54 

 [iv] Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. У Живот на рекама југоисточне Европе: историјски аспекти планирања насеља и комуникација. Уредник Љубодраг П. Ристић. Београд: Балканолошки институт САНУ,  Историјски институт, (у штампи) 

[v] Vırmiça,Raif:’’Kosova’da Osmanlı Mimari Eserleri I’’, Ankara, 1999, fq. 119