Madhështia e Kur'anit

nga Sejjid Hasan Nasrallah | Publikuar në Jan. 24, 2019, 1:46 a.m.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e Shenjtë: Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)...(Sure “Bekare”, ajeti 185).

Ky ajet dëshmon se Muaji i Ramazanit është muaji i Kur’anit dhe i lutjes. Në këtë muaj ka zbritur Kur’ani. Sigurisht, mënyra se si ka zbritur është një kërkim i gjatë dhe i gjerë, por nuk do të hyjmë në diskutimin e tij. Por, në një nga ajetet kur’anore dëshmohet se Kur’ani ka zbritur në këtë muaj si: “…udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)…” Gjithashtu, vërtetohet se Kur’ani ka zbritur në Natën e Kadrit: “Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit.”( Sure “Kadr”, ajeti 1).

Përderisa ky është muaji i Kur’anit, atëherë duhet të zbatojmë të drejtat ndaj tij, të njohim të drejtat e tij dhe, në të njëjtën kohë, të pranojmë se Kur’anit po i bëhet padrejtësi nga ana jonë. Të pranojmë se ky Kur’an do të ankohet te Zoti ynë në Ditën e Kiametit, sepse ne e kemi lënë, e kemi braktisur dhe i kemi kthyer shpinën.

Kur’ani duhet të jetë shoqëruesi ynë në çdo hap të jetës. Ajetet e tij jo vetëm që duhet t’i lexojmë, t’i kuptojmë, por edhe duhet t’i zbatojmë. Sigurisht që ky Kur’an është libri i përjetshëm i Allahut. Kur’ani është vërtetues i librave të tjerë qiellorë dhe i broshurave të profetëve. Ky libër i shenjtë është udhëzues, dritë e qartë, sqarues i gjithçkaje, dallues dhe ndarës mes të vërtetës dhe të pavërtetës. Kur’ani është shërues dhe pranverë e zemrave, si dhe udhëzim në rrugë të drejtë.

Marrëdhënia e njeriut me këtë Libër është si marrëdhënia e të sëmurit me mjekun, që ilaçin e ka në shtëpi. Ai e braktis mjekun dhe ilaçin, duke këmbëngulur në paditurinë, pavetëdijen dhe në gjendjen e tij të keqe prej sëmundjes. Kjo sëmundje është sëmundja e mendjes, e shpirtit dhe e egos nxitëse për keq. Kur’ani është ilaçi i të gjitha sëmundjeve tona. Çdo gjë të keqe që mund ta mendojmë dhe që ka nevojë për përgjigje, Kur’ani e sqaron, sepse Allahu ka sjellë sqarues për gjithçka. Ai është Libri i të gjitha kohërave. Në Ditën e Kiametit, së bashku me Profetin dhe pasardhësit e tij (Paqja qoftë mbi ta!), do të jenë te burimi i Keutherit.

Kur lexojmë Ku’anin, qëllimi ynë nuk duhet të jetë vetëm mbarimi i sures dhe fundi i librit. Nuk duhet të mendojmë se në këtë muaj e lexuam të gjithë Kur’anin, një herë apo disa herë. Ju e dini se çfarë shpërblimi përmendet në hadithe për atë që e lexon Kur’anin në këtë muaj, prandaj le ta shfrytëzojmë këtë kohë.

Leximi i një ajeti prej ajeteve të tij, i një sureje prej sureve apo leximi i të gjithë Kur’anit në këtë muaj, ndryshon nga leximi në muajt e tjerë. Le të jetë kjo përparësia jonë. Por, leximi duhet të jetë i shoqëruar me logjikim, përsiatje, i qetë, këshillues, dobiprurës dhe zbatues - ashtu siç e dëshmon vetë Kur’ani dhe më i madhi i profetëve, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Përparësia e të gjitha aktiviteteve tona kulturore duhet të jetë përqendrimi te Kur’ani, me qëllim që, nëpërmjet tubimeve, leksioneve, fjalimeve, sesioneve, seminareve, të njihemi me të dhe ta njohim me të tjerët. Të njihemi me shkencën e texhuidit, tefsirit dhe të njohurive të tij të pafundme. Të dëgjojmë Kur’anin e lexuesve të nderuar. Allahu e do leximin me zë të bukur. Duhet të përqendrohemi me gjithë qenien tonë. Gjatë dëgjimit zemra dhe mendja jonë duhet të jetë e pranishme, me qëllim që zemra të qetësohet, shpirti të lulëzohet dhe mendja të kthjellohet.

Dëgjimi ynë të jetë dëgjim i persiatëve, i arsyetuesve dhe i zbatuesve. Në të njëjtën kohë, të jetë për ata që kënaqen me fjalët e të dashurit dhe që qetësohen kur melodia e bukur e leximit të ajeteve të Kur’anit prek të dëgjuarit e tyre. Këtu po përmend thënien e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), pa e shtjelluar, por duke i ftuar të gjithë që të meditojnë në këtë thënie dhe të nxjerrin mësime prej saj. Profeti ka thënë: “Nëse ju mbulojnë përçarjet si nata e errët, atëherë kthehuni te Kur’ani, sepse ai është shërues i gjithçkaje dhe vërtetues. Kushdo që e vendos atë para, e udhëheq për në Xhenet. Kush e vendos atë pas tij, e drejton drejt Zjarrit. Ai është tregues i rrugës më të mirë. Ai është Libri ndarës. Është sqarues dhe gjithëpërfshirës. Është fjalë e prerë dhe jo shaka.”

Në çdo kohë ne jemi të sprovuar me përçarje dhe mosmarrëveshje, me anë të të cilave humbet e drejta dhe njerëzit hyjnë në dyshime.

Kur’ani ka dy anë, të jashtmen dhe të brendshmen. E jashtmja e tij është urtësi dhe e brendshmja e tij dituri. E jashtmja e tij është e pastër dhe e brendshmja është e thellë. Ai ka yje dhe mbi yjet e tij ndodhen yje. Mrekullitë e tij as nuk përkufizohen dhe as nuk numërohen. Në të ndodhen fenerët e udhëzimit dhe kulmi i urtësisë.” (Neuadir Er Rauendij: 21, 22).

Po përmendim një thënie tjetër të Profetit: “Mendimi është jetë për zemrën vigjilente, ashtu siç ecën i ndriçuari me dritën në errësirë.”, që do të thotë se kushdo që mbart një ndriçues në errësirë, që ecën me dritën e Kur’anit, është dritë, me të cilën përshkohen errësirat e jetës. Nuk mjafton që atë vetëm ta lexojmë apo të meditojmë, po duhet ta zbatojnë atë. Gjithashtu, nuk mjafton ta zbatojmë pa e lexuar, që do të thotë se mund të ketë njerëz që mendojnë se janë adhurues, asketë, sakrifikues dhe nuk kanë nevojë ta lexojnë Kur’anin me rregullat e tij përkatëse. Jo. Të gjithë ne kemi nevojë për të dyja çështjet, leximin dhe zbatimin.

Kur’ani dhe ajetet që i dëgjojmë nga zërat e mrekullueshëm të lexuesve të nderuar, kanë një pozitë të lartë tek Allahu i Madhëruar. Mjafton të përmendim përshkrimet që i bën Allahu, Zoti i profetëve, Krijuesi i Gjithësisë, këtij Libri të shenjtë e të përjetshëm. Le të përmendim disa prej tyre: “Betohem në çastin e perëndimit të yjeve, - e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit - se ky është vërtet një Kur’an i nderuar, në Librin e ruajtur. Atë (Kur’anin) e prekin vetëm të pastërtit. Ai është Shpallje prej Zotit të botëve.”( Sure “El-Uakia”, ajetet 75-80).

Dhe: “Përkundrazi, ai është një Kur’an i lavdishëm, në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh).( Sure “El-Buruxh”, ajetet 21-22).

Dhe: “Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kur’anin e Madhërishëm.” (Sure “El-Hixhr”, ajeti 87).

Dhe: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (Sure “Isra”, ajeti 9).

Këto janë disa prej cilësive të Kur’anit Fisnik, me të cilat Allahu përshkruan Librin e Tij.

Allahu i Madhëruar ka premtuar se këtë Kur’an, ajetet e të cilit i dëgjuam këtë natë, që në momentin e zbritjes në zemrën e Profetit Muhamed ibn Abdullah (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) do ta ruajë dhe do ta mbrojë. Prandaj, Kur’ani, që nga germa e parë e deri te germa e fundit e tij, është i ruajtur nga Allahu Mbrojtës dhe i Gjithëditur. Në këtë Kur’an kurrë nuk kanë arritur dhe kurrë nuk do të arrijnë duart falsifikuese.

Ky është mendimi i përbashkët i të gjithë myslimanëve. Të gjithë ata thonë se Kur’ani që ndodhet sot në duart tona, me germat dhe fjalët e tij, është po i njëjti Kur’an që Allahu ia zbriti Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në të vërtetë, kjo ruajtje dhe mbrojte është një prej anëve të mrekullisë së Kur’anit të Shenjtë nga shmangia. Në Kur’an lexojmë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.( Sure “El-Hixhr”, ajeti 9).

Ky është vendim, premtim dhe vullneti i Allahut. Duhet të theksojmë se përgjatë më shumë se një mijë e katërqind viteve janë shfaqur shumë kundërshtarë dhe armiq të Kur’anit dhe të mesazhit të Allahut. Ata janë përpjekur gjithmonë ta devijojnë dhe ta falsifikojnë këtë Kur’an, si dhe besimin e drejtë të Islamit që solli Profeti Muhamed. Vërtet, ata zotërojnë mundësi, fuqi, para, pushtet për falsifikimin e tij, por kurrë nuk e kanë bërë dhe kurrë nuk do ta bëjnë. Gjithashtu, as filozofët, mendimtarët, pushtetarët egoistët e kërkuesit e përçarjes kurrë nuk e kanë bërë dhe nuk do ta bëjnë shtrembërimin apo falsifikimin e Kur’anit. Pra, gjatë një mijë e katërqind viteve, askush nuk ka mundur të ndryshojë apo të falsifikojë një germë prej germave të Librit të Allahut, Kuranit Fisnik.

Ky libër është mrekulli e vazhdueshme dhe e përjetshme. Ai është libër i sfidave deri në Ditën e Kiametit. Kur’ani nuk ishte sfidues vetëm për kurejshët dhe arabët e kohës që zbriti, por ai ështësfidues për të gjithë njerëzit në çdo kohë dhe në çdo vend. Ai nuk është mrekulli vetëm për nga retorika dhe letërsia e lartë, por është mrekulli edhe për nga përmbajtja e tij. Këtë të vërtetë e dëshmon dhe e përforcon Allahu: Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin.”( Sure “Isra”, ajeti 88.)

Sikur njerëzit dhe xhindet të bashkohen, jo vetëm në një kohë, por në çdo kohë, edhe sikur të grumbullojnë mendjet, dijet, aftësitë mendore, kulturore dhe përvojat për të sjellë një Kur’an të tillë si ky që gjendet sot në mesin e myslimanëve, kurrë nuk do ta bëjnë. Kur’ani i sfidoi ata, duke u thënë që të sjellin dhjetë sure e më pas i sfidoi që të sjellin një sure të vetme. Ky sfidim ka qenë, është dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete.

Allahu i Madhëruar e ka shtjelluar Kur’anin dhe e ka bërë të lehtë leximin dhe kuptimin e tij. Këtu qëndron një anë tjetër e mrekullisë: Allahu i sfidon të gjithë njerëzit me Kur’anin e lehtë, ku thotë: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kur’anin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!”( Sure “El-Kamer”, ajeti 17).

Dhe: “Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kur’an në gjuhën arabe, për njerëzit me dije.”( Sure “El-Fusilet”, ajeti 3).

Allahu i Madhëruar, me gjuhën arabe dhe të kurejshëve, u flet të gjithë njerëzve. Nëpërmjet gjuhës arabe, ai e ka tubuar këtë përmbajtje madhështore, ka grumbulluar të gjitha këto thesare të çmueshme. Ka përmbledhur të gjitha sekretet e mahnitshme, të zbuluara e të pazbuluara. Të gjitha këto janë si uji i kthjellët e i pastër, ku çdo njeri mund të marrë nga ai aq sa ka mundësi, aftësi dhe botëkuptim. Pas këtij lehtësimi, Allahu na fton që ta dëgjojmë me vëmendje leximin e Kur’anit dhe të përqendrohemi. Ai thotë: “Kur të lexohet Kur’ani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.”(Sure “El-A’raf”, ajeti 204).

Ai na kërkon ne që të lexojmë aq sa të mundemi nga Kur’ani, edhe nëse jemi të sëmurë apo në udhëtim, apo në çdo situatë tjetër. Na urdhëron që të lexojmë aq sa të mundemi, qofshim në xhami apo në arë, në shtëpi apo në fushëbetejë. Sa herë që të lexojmë, të themi: “dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë…” (Sure “El-Muzemil”, ajeti 4). Kur e lexojmë Kur’anin ngadalë dhe qartë, ne mund të ndikohemi më shumë nga ky lexim. Gjithashtu, Allahu na urdhëron që, me dëgjimin me vëmendje dhe leximin e ngadaltë e të qartë, të mendojmë dhe të logjikojmë. Nuk duhet ta dëgjojmë Kur’anin me veshë, ndërkohë që zemrat dhe mendjet tona janë të punësuara e të zëna me gjëra të tjera. Kur marrim pjesë tubimet kur’anore ne vijmë këtu duke e braktisur dynjanë dhe shumë prej dëshirave të kësaj dynjaje, ku shumica e njerëzve janë dhënë pas tyre. Ne vijmë nga shtëpitë tona për në shtëpinë e Allahut, që të dëgjojmë ajetet e Tij, që t’i dëgjojmë me vëmendje, me arsyetim, me përsiatje. Vijmë që t’i dëgjojmë dhe të përqendrohemi në kuptimin dhe përmbajtjen e tyre. Në të vërtetë, ky është synimi kryesor, pra, dëgjimi me vëmendje. Qëllimi i fundit është kuptimi i Kur’anit, që të arrijmë në fazën e kapjes pas Kur’anit dhe të zbatimit të tij. Padyshim, se në kapjen pas Kur’anit ka krenari për këtë jetë dhe për Jetën Tjetër. Ka krenari për fenë tonë. Në të gjendet lumturia dhe shpëtimi ynë.

 

Disa fjali prej fjalimit të Prijësit të besimtarëve, Ali ibn Ebi Talib (Paqja qoftë mbi të!), i njohur si “Fjalimi i të devotshmëve”.

 

 Në këtë fjalim Imami i përshkruan të devotshmit në kohën e natës e të ditës. Ai thotë: “Përsa i përket natës, ata qëndrojnë në këmbë dhe lexojnë pjesë nga Kur’ani, ngadalë e qartë dhe ndiejnë brengë në veten e tyre dhe tek ai kërkojnë ilaçin e sëmundjes së tyre. Kur hasin një ajet që përmban mallëngjim (për Xhenetin), në të përqendrohen lakmitarë dhe mendojnë se ai është para syve të tyre. Kur ndeshen me ajetet që përmbajnë frikë, përqendrohen në to, me gjithë dëgjimin e zemrave të tyre dhe ndiejnë sikur frymënxehja e Xhehenemit ndodhet në brendi të veshëve të tyre.

Me kurriz të përkulur, me ballë në tokë, të mbështetur mbi duart, gjunjët dhe gishtat e këmbëve të tyre, i kërkojnë Allahut të Madhëruar që t’i shpëtojë qafat e tyre.”( “Nehxhul Belaga”, Fjalimi 192. Botim i Daru Et Tearf-Bejrut.)

Me këto fjalë, Prijësi i besimtarëve përshkruan gjendjen e të devotshmëve, kur lexojnë Kur’anin, duke thënë se leximi i tyre nuk është lexim për të përfunduar Kur’anin apo lexim garimi, por është lexim me përjetim të përmbajtjes së ajeteve që lexohen. “Dhe ndiejnë përulje në veten e tyre.” Allahu i Madhëruar e do besimtarin që e lexon Kur’anin me zë të bukur dhe me përulje. “Dhe tek ai kërkojnë ilaçin e sëmundjes së tyre.” Të gjithë kanë sëmundje, qofshin mendore, psikike, shpirtërore apo shoqërore. Lexuesit e Kur’anit e kërkojnë ilaçin e sëmundjeve të tyre te ajetet e Kur’anit, në të cilat Allahu ka zbritur shërim dhe mëshirë. Në leximin e ajeteve të Kur’anit dhe në zemrën e ajeteve të tij ata kërkojnë ilaçin që i duhet. Mënyra e leximit, e këndimit, zëri i bukur, zbatimi i rregullave të posaçme të leximit, që kanë lidhje me texhuidin, të gjitha e ndihmojnë njeriun që të hyjë në botën e vërtetë të ajeteve të Kur’anit.

Kur hasin në një ajet që përmban mallëngjim (për Xhenetin) dhe përshkruan atë me gjithçka që përmban prej gjërave, që sytë nuk i kanë parë dhe as veshët nuk kanë dëgjuar, përqendrohen në të lakmitarë, duke lakmuar që këto mirësi të jenë pjesë e tyre dhe mendojnë se ai është para syve të tyre. Ata mendojnë se vërtet po e shohin me sytë e tyre Xhenetin dhe çfarë gjendet në të.

Kur ndeshen me ajetet që përmbajnë frikë nga zjarri, uji i valuar e i qelbur, lëkurat e pjekura, dënimi në Ditën e Gjykimit etj., përqendrohen në to, me gjithë dëgjimin e zemrave të tyre, ashtu siç menduan te ajetet e Xhenetit, se ai ndodhej para syve të tyre. Këtu u duket sikur dëgjojnë zhurmën e zjarrit përvëlues dhe të flakëve të tij që dalin nga Xhehenemi i zemëruar, i cili i kërkon Allahut edhe më shumë lëndë djegëse prej njerëzve dhe gurëve. Kjo është gjendja e të devotshmëve kur hasin ajetet e Xhenetit dhe të Xhehenemit. Më poshtë, Prijësi i besimtarëve na sqaron gjendjen e tyre, kur lexojnë ndonjë ajet që përmend Xhehenemin. Ai na thotë se ata: “Me kurriz të përkulur, të shtrirë me ballë në tokë, të mbështetur mbi duart e tyre, mbi gjunjët e tyre dhe mbi gishtat e këmbëve të tyre i kërkojnë Allahut të Madhëruar që t’i shpëtojë qafat e tyre.”

Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Duhet t’i dëgjojmë me vëmendje ajetet e Kur’anit. T’i dëgjojmë ato me zemrat tona. Të përqendrohemi në to, me gjithë qenien tonë dhe të harrojmë se çfarë ndodhet rreth nesh. Të largojmë çdo imagjinatë boshe, e cila na zë mendjet dhe të përfitojmë sa më shumë nga kjo kohë e mrekullueshme, që na mundësohet në këto mbrëmje të këtij Muaji të begatë.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në hytben e pritjes së Muajit të Ramazanit, thotë: “Kushdo që lexon në të një ajet, është njësoj ikur ta ketë lexuar të gjithë Kur’anin në muajt e tjerë.”(“Mefatijhul Xhinan”, f. 235, Hytbja e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në pritje të Muajit të Ramazanit). Ai që lexon një ajet në këtë muaj të begatë është njësoj si ai që e lexon të gjithë Kur’anin në muajt e tjerë. A ka kohë më madhështore se kjo? Pa dyshim që ky shpërblim i pret lexuesit, logjikuesit, persiatësit dhe të përqendruarit me zemër dhe mendje, në përmbajtjen e ajeteve të Kur’anit. Ka mundësi që ky shpërblim dhe kjo atmosferë e posaçme që sjell leximi i një ajeti të vetëm në këtë muaj të veçantë, lidhet me qenien e njeriut të zgjerueshëm, pasi agjëruesit kanë më shumë aftësi dhe mundësi të ndikohen me përmbajtjen e fjalëve, fjalive dhe ajeteve të Kur’anit.

Përveç leximit të ajeteve të Kur’anit, duhet edhe zbatimi i tij. Kapja pas tij është baza e shpëtimit tonë, e krenarisë, e arritjeve dhe e triumfeve tona.

Në fund dua të përmend dhe të përforcoj se, përveç leximit të ajeteve të Kur’anit, duhet edhe zbatimi i tij. Kapja pas tij, sepse ai, ashtu siç e thashë edhe më lart, është baza e shpëtimit tonë, e krenarisë, e arritjeve dhe e triumfeve tona.

E lus Allahun e Madhëruar, që të mbarësojë të gjithë myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret në mbarë rruzullin tokësor, që të zbatojmë të drejtat e këtij Libri Hyjnor! E lus Allahun, që të jemi gjithmonë me Kur’anin! Kurrë të mos e braktisim, që dhe ai të mos na braktisë asnjëherë!

Allahu na bëftë prej shpëtuesve nga zjarri i Xhehenemit!