Keqpërdorimi Perëndimor i Konceptit të të Drejtave të Njeriut
Teksti i prezantimit tim në konferencën e organizuar nga Universiteti Baqir al-Ulum në Teheran - Kom dhe Isfahan më 28-30 prill 2025:
Mbërritja e Christopher Colombus në Amerikë është një pikë kthese në historinë e njerëzimit, sepse historia e krijuar në epokën moderne i detyrohet shumë këtij fillimi. Pushtimi që filloi me këtë zbulim çoi në një ndryshim në perceptimin e njerëzimit dhe qytetërimit, së pari në Evropë dhe më pas, me imponimin evropian, në një pjesë të konsiderueshme të botës. Ndërsa evropianët përparonin hap pas hapi në këtë kontinent të sapozbuluar, ata masakruan popujt vendas të kontinentit dhe më në fund Presidenti amerikan Woodrow Wilson mohoi ekzistencën e këtyre njerëzve duke thënë: "Zoti ua dha këtë vend njerëzve paqësorë dhe që respektojnë të drejtat e njeriut dhe e la atë të pabanuar/të pastër në mënyrë që evropianët të mund të sillnin qytetërim në të". Këta kolonë të rinj që masakruan popullsinë vendase nuk e konsideruan veten si fajtorë, por si “njerëz që e qytetëruan kontinentin”. Në këtë mënyrë, Amerika e krijuar nga Evropa u shfaq, sipas vetë përshkrimeve të saj, si një aktor “që respekton të drejtat e njeriut” dhe që ka “fuqinë për të qytetëruar”. Sot, kur themi Perëndimi, nënkuptojmë shoqëritë që, duke e përfunduar rrugën e të bërit njeri, e shohin si të drejtë përdorimin e çdo mjeti për të ‘njerëzuar’ shoqëritë e tjera. Në këtë mendësi, “njeriu” përfaqëson evropianin, ndërsa ata që duhen qytetëruar janë të tjerët. Të zotërosh natyrën, t’u japësh vlerë lirive individuale, të vësh në pah lirinë e mendimit dhe të shprehjes, të ndërtosh dhe të mbrosh sisteme të bazuara në pluralizëm politik, paraqiten si tiparet kryesore të këtij njeriu dhe shoqërie. Duke u mbështetur në këto vlera, Perëndimi pretendon se e gjithë bota do ta ndjekë atë dhe se këto vlera do të mbizotërojnë në të gjithë botën. Edhe gjeografia e Lindjes, ku lindi qytetërimi i parë i shkruar, përfshihet në këtë pretendim të dominimit nga ana e Evropës.
Edhe pse sot përballë Perëndimit ende nuk ekziston një Lindje e bashkuar, nuk mund të mohohet ekzistenca e shoqërive që kanë potencialin për të vepruar së bashku rreth pikave të përbashkëta që i ka sjellë historia. Gjeografia e Iranit, ku u formësua qytetërimi islam, si dhe pellgu kulturor që shtrihet nga India në Kinë dhe që mban së bashku shumë besime fetare dhe kombe, ofron shpresë për ndërtimin e një bote me shumë identitete, por pa konflikte, përballë përpjekjeve të Perëndimit për uniformizim. Natyrisht, kjo shpresë do të ketë kuptim vetëm nëse mbështetet me përpjekje konkrete.
Shekujt 20 dhe 21 janë periudha në të cilat u vu në provë mendimi perëndimor dhe pretendimet që rrjedhin prej tij, ndërkohë që njerëzimit iu shkaktuan plagë të mëdha. Barbarizmat që u panë gjatë dhe para Luftës së Parë Botërore, ku fajtorët kryesorë ishin vetë evropianët, teknologjia që pati një shpërthim gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe që përfundoi me zhdukjen brenda sekondash të qindra mijëra njerëzve në Hiroshimë dhe Nagasaki, regjimi sionist pushtues dhe gjenocidist i shpallur në Palestinë pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe luftërat civile që u ndezën apo u nxitën nga vendet perëndimore në mbarë botën — të gjitha këto tregojnë se pretendimet e Perëndimit për demokraci, liri mendimi dhe shprehjeje, respekt për zgjedhjet e lira të popujve etj., ndryshojnë sipas kohës dhe vendit. Gjatë njëqind viteve të fundit, Perëndimi ka vrarë më shumë njerëz sesa gjatë tre shekujve të mëparshëm, dhe këtë e ka bërë duke maskuar pushtimet, imponimet dhe skllavërimin me koncepte si “të drejtat e njeriut”, “bota e lirë” dhe “ekonomia e tregut të lirë”. Kjo është fytyra e Perëndimit të cilën ne e kemi përjetuar në trojet tona.
Megjithatë, shohim gjithashtu se Evropa ka ndërmarrë disa projekte të rëndësishme për të ndërtuar dhe ruajtur kohezionin e brendshëm. Parlamenti Evropian, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut janë ndër më të spikaturat. Në këtë aspekt, Evropa përpiqet të realizojë një rend të qëndrueshëm dhe funksional për shoqëritë e saj. Brenda këtij rendi, “të drejtat e njeriut” zënë një vend të rëndësishëm, dhe përmes konventave dhe gjykatave krijohen fusha që mund të monitorohen dhe zbatohen. Struktura konceptuale që Evropa ka ndërtuar në fushën e të drejtave të njeriut është shndërruar në norma juridike, politike dhe kulturore nga vendet që e imitojnë atë — dhe kështu, mangësitë në këndvështrimin evropian përhapen edhe në shoqëritë e tjera.
Sipas nesh, dallimi themelor në mes të këndvështrimit perëndimor për të drejtat e njeriut dhe perceptimit lindor për të drejtat e njeriut, si një hapësirë kulturore, qëndron në kuptimin se njeriu është një qenie e krijuar dhe e përgatitur për një udhëtim të pafund. Në këtë kuptim, krahasuar me shoqëritë laike të Perëndimit, shoqëritë lindore i japin më shumë kuptim abstrakt njeriut dhe e lidhin ekzistencën e tij me dëshirën për përsosmëri njerëzore. Kjo nënkupton hapjen e një hapësire për sundimin hyjnor mbi tokë. Ndërkohë që Perëndimi e çliron njeriun nga sundimi tokësor i Krijuesit dhe e konsideron atë si një qenie që nuk njeh një fuqi më të lartë, shoqëritë lindore ndajnë një besim të përbashkët se rregullat themelore vendosen nga fuqia krijuese. Natyrisht, ky kuptim merr forma dhe nivele të ndryshme edhe në shoqëritë lindore.
Pasojat konkrete të perceptimit perëndimor për të drejtat e njeriut, që e përjashton Krijuesin, i kemi parë fillimisht në përdorimin e bombës atomike nga Amerika, menjëherë pas kësaj në heshtjen përballë dëbimit të rreth 940 mijë arabëve nga tokat e tyre nga sionistët në vitin 1948, në Vietnam, në pushtimin e Irakut dhe Afganistanit, në burgjet famëkeqe si Abu Ghraib dhe Guantanamo, dhe sot në gjenocidin që po ndodh ndaj Gazës. Këto raste tregojnë pa asnjë dyshim se shqetësimi themelor i Perëndimit nuk janë të drejtat e njeriut.
Kritika jonë ndaj Perëndimit nuk do të thotë se ne e shenjtërojmë automatikisht Lindjen. Megjithatë, Lindja, në të cilën bën pjesë edhe qytetërimi islamik, ndonëse ende e prapambetur institucionalisht, ka potencialin për të përfaqësuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut në mënyrë të thellë dhe të patjetërsueshme. Veçanërisht, referenca themelore e Islamit, Kurani, dhe shembulli konkret i zbatimit të tij i gjetur në rrëfimet e bazuara te Ehli Bejti, përbëjnë një themel të fortë në këtë fushë. Institucionalizimi i kuptimit të shoqërive lindore se njerëzit janë krijuar me popuj, gjuhë dhe ngjyra të ndryshme jo për të luftuar, por për t’u njohur me njëri-tjetrin, dhe se çdo njeri është i barabartë në krijim, do të shërbejë si një pengesë përballë diskurseve egoiste dhe hipokrite të Perëndimit dhe do të çojë drejt fundit të një mbrojtjeje të të drejtave të njeriut që lejon masakra kolektive ndaj njerëzve.
Burimi : Media e Lire