Mubaheleja në fjalët e imamit dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu e mëshiroftë)

Publikuar në Qershor 11, 2026, 6:59 a.m.

Mubahaleja – shfaqje e qetësisë dhe fuqisë

A ekziston ndonjë lidhje ndërmjet Festës së Kurban Bajramit dhe Festës së Gadirit?
Në të vërtetë, periudha që shtrihet nga Kurban Bajrami deri te Gadir Humi, e më pas deri në Ditën e Mubahales, përbën një varg të pandërprerë që lidhet me çështjen e imamatit.
Në këtë shkrim po paraqesim disa nga fjalët e Imam Khameneit (Allahu e mëshiroftë) rreth këtyre ngjarjeve dhe domethënieve të tyre.

Sprovat janë shkak për imamatin

Allahu i Madhëruar thotë në Ku’ran: “Dhe kur Zoti i Ibrahimit e sprovoi atë me disa urdhra dhe ai i përmbushi ato plotësisht, Ai tha: ‘Unë do të të bëj imam për njerëzit.’” (Sure “El-Bekare”, ajeti 124)
Përse Allahu e emëroi Ibrahimin (Paqja qoftë mbi të!) imam? Sepse, ai doli me sukses nga sprovat e vështira.

Dita e Kurban Bajramit mund të konsiderohet fillimi i kësaj rruge, e cila vazhdon deri në Ditën e Gadijrit, ditën e imamatit të imam Ali ibn Ebi Talibit (Paqja qoftë mbi të!). Ky emërim erdhi pas sprovave të mëdha dhe të vështira.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) e kaloi tërë jetën e tij të bekuar në prova, nga të cilat doli gjithmonë krenar dhe i nderuar. Që nga mosha njëmbëdhjetë apo trembëdhjetë vjeçare, kur besimi i tij në profetësinë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) ishte i palëkundur, e deri te nata kur fjeti në shtratin e Profetit, duke qenë një i ri i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij për të.
Pastaj erdhën sprovat e mëdha në betejat e Bedrit, Uhudit, Hunejnit, Khajberit dhe në të gjitha ngjarjet e tjera madhore.

Ky post i lartë ishte rezultat i atyre sprovave. Për këtë arsye, zemrat e besimtarëve kanë ndier gjithmonë se ekziston një lidhje e veçantë ndërmjet Kurban Bajramit dhe Gadijrit. Disa madje i kanë quajtur këto ditë “Dhjetëditëshi i Imamatit”, dhe ky është një emërtim i përshtatshëm. (Nga një fjalim i tij (Allahu e e mëshiroftë) i mbajtur më 25.11.2009.

Dita e Mubahales – Dita e së Vërtetës

Dhjetëditëshi i fundit i muajit Dhul-Hixhxhe, madje e gjithë gjysma e dytë e këtij muaji, përbën një periudhë shumë të rëndësishme në historinë e Islamit dhe në ngjarjet e tij madhore.
Dita e njëzet e katërt e Dhul-Hixhxhes, sipas mendimit më të njohur, është Dita e Mubahales. Po ashtu, kjo është dita e zbritjes së Ajetit të Vilajetit në lidhje me Prijësin e besimtarëve, imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!), kur ai dhuroi unazën e tij gjatë rukusë: “Miku, mbrojtësi dhe kujdestari juaj është vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe ata që besojnë, të cilët e falin namazin dhe japin zekatin duke qenë në ruku.” (Sure “El-Maide”, ajeti 55)

Sipas njërit prej mendimeve, edhe zbritja e sures “Hal Eta” (El-Insan) lidhet me Ditën e Mubahales.
Këto janë ditë shumë të rëndësishme. Në gjysmën e dytë të Dhul-Hixhxhes gjendet edhe Dita e Gadijrit, e cila është festa më e madhe dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Islamit.

Mubahaleja, kujtimi i së cilës duhet të mbahet gjallë, është në të vërtetë një shfaqje e qetësisë shpirtërore, e fuqisë së besimit dhe e mbështetjes së palëkundur në të drejtën dhe të vërtetën. Pikërisht këtë kemi nevojë gjithmonë ta posedojmë.

Edhe sot kemi nevojë për këtë forcë të besimit dhe këtë mbështetje në të vërtetën, sepse ne ecim në rrugën e së drejtës. Prandaj duhet të mbështetemi në këtë forcë përballë armiqësisë së kundërshtarëve dhe arrogancës së të fuqishmëve.

Nga ana tjetër, sureja “Hal Eta” është një shfaqje e bereqetit të një vepre të sinqertë. Për shkak të altruizmit dhe sakrificës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), Allahu i Madhëruar zbriti një sure të tërë në lavdërimin e tyre.

Kjo ngjarje, përveçse është një episod historik shumë i rëndësishëm, i dashur dhe burim krenarie, na jep edhe një mësim të madh: Sakrifica dhe përparësia që i jepet tjetrit mbi veten, kur shoqërohen me sinqeritet për hir të Allahut, sjellin shpërblim si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. (Nga një fjalim i tij (Allahu e mëshirotë) i mbajtur më 06.09.2018.)

Mubahaleja – dëshmi e Teuhidit (Njëshmërisë së Allahut)

Në një transmetim thuhet: “Asgjë nuk është shpallur dhe theksuar aq shumë sa vilajeti (udhëheqja hyjnore).” (“El-Kafi”, i Shejkh El-Kulejni, vëll. 2, f. 18.)

Pozita e vilajetit qëndron mbi të gjitha dispozitat e tjera hyjnore, sepse ajo është garantuesja dhe ruajtësja e tyre. Ngjarja e madhe e Gadijr Khumit është dëshmia më e qartë për këtë të vërtetë.

Po ashtu, në dhjetëditëshin e tretë të muajit Dhul-Hixhxhe ndodhen ngjarje të rëndësishme, ndër të cilat,  ndoshta më e rëndësishmja, është ngjarja e Mubahales.

Edhe këtu çështja kryesore është teuhidi, pra njësimi i Allahut. Debati ndërmjet Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të krishterëve të asaj kohe, të krishterëve të Nexhranit, përfundoi me Mubahele.
Diskutimi kishte të bënte me realitetin dhe pozitën e Profetit Isa (Paqja qoftë mbi të). Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pohonte se Isa ishte rob i Allahut dhe një prej profetëve të Tij, ndërsa ata mbronin një besim tjetër. Pas diskutimeve, të dy palët ranë dakord për Mubahalen.

Por kur erdhi momenti i Mubahales dhe ata panë vendosmërinë e Profetit dhe praninë e njerëzve më të afërt e më të pastër të familjes së tij, u detyruan të tërhiqeshin dhe të hiqnin dorë nga Mubahaleja, ashtu siç e tregon historia.

Lus Allahun që kjo ditë të jetë e bekuar për ju, që dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhxhes t’i keni kaluar me bereqet dhe mirësi, dhe që edhe dy dhjetëditëshat e tjerë të këtij muaji t’i kaloni në atë që e kënaq Allahun e Madhëruar. (Nga një fjalim i tij (Allahu e mëshiroftë) i mbajtur më 03.08.2020.)