Irani po e zgjeron ekuacionin e tij të parandalimit: Vetëm mbrojtja nuk është më e mjaftueshme
"Teherani duket se ka arritur të konsolidojë praninë dhe ndikimin e tij në arenën libaneze."
Konflikti i fundit në mes tnë mes të Iranit dhe Izraelit rezultoi në braktisjen e strategjisë së tij tradicionale mbrojtëse nga Teherani dhe krijimin e një ekuacioni të ri parandalues bazuar në përdorimin e drejtpërdrejtë dhe parandalues të forcës ushtarake. Sipas Yahya Debbuk, një kolumnist për gazetën Al-Akhbar, ky zhvillim zgjeroi fushën e veprimit për lëvizjet e rezistencës në Liban, duke kufizuar ndjeshëm lirinë e Izraelit për manovrim ushtarak në rajon. Përpjekja e SHBA-së për të balancuar dëshirën e saj për të shmangur një luftë të drejtpërdrejtë rajonale me përpjekjet e saj për të mbrojtur aleatin e saj Izraelin është e dukshme, dhe të dyja palët vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndryshuar ekuacionin e ri në favor të tyre në këtë luftë të hapur për pushtet.
Pavarësisht kohëzgjatjes së shkurtër dhe objektivave të kufizuara, vala e fundit e tensioneve të iniciuara nga Irani ka krijuar një ekuacion të ri në terren dhe në politikë, duke hapur rrugën për marrëveshje që mund të imponohen në mënyrë të njëanshme.
Ky proces, i cili ndryshoi disa nga linjat e konfliktit midis Teheranit dhe Tel Avivit, hodhi gjithashtu një hije mbi marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Tel Avivit. Në të vërtetë, kujdesi i SHBA-së në lidhje me opsionet e drejtpërdrejta ushtarake kundër Iranit u bë shumë më i qartë këtë herë sesa në të kaluarën.
Nga ana tjetër, Teherani duket se ka arritur të konsolidojë praninë dhe ndikimin e tij në Liban. Kjo do ta pengojë Izraelin të izolojë rezistencën libaneze dhe bazën e saj shoqërore, si dhe të imponojë ekuacione në favor të tij.
Këto ngjarje do të ndikojnë në mënyrë të pashmangshme në proceset politike dhe të orientuara drejt negociatave që kanë të bëjnë me Libanin, të cilat SHBA-të, Izraeli dhe qeveria libaneze shpresojnë t'i formësojnë në mënyrë të pavarur nga Irani dhe procesi i tij i pajtimit me amerikanët.
Në këtë kontekst, duhet të theksohen pikat e mëposhtme:
Së pari; vendimi i Iranit për t’iu përgjigjur drejtpërdrejt sulmit ndaj periferisë jugore të Bejrutit (Dahiye) ishte një surprizë e plotë për Izraelin, SHBA-në dhe aleatët e tyre në Liban. Nëse Tel Avivi do ta kishte parashikuar që Teherani do të përfshihej drejtpërdrejt në konflikt, nuk do ta kishte ndërmarrë këtë hap që në fillim. Pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj surprize ishte vendosja e ekuacioneve të frenimit shumë më të forta dhe më të qëndrueshme sesa balanca që Izraeli po përpiqej të krijonte nën parullën “vendbanimet kundrejt Dahiye-s”. Thelbi i ekuacionit të ri është se shënjestrimi i Dahiye-s do të pasohet nga një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë e Iranit ndaj Izraelit me raketa. Edhe pse është ende herët për të parashikuar rezultatet përfundimtare të këtij ekuacioni, ai duket i hapur për t’u zhvilluar më tej, madje për të kapërcyer kufijtë e Dahiye-s dhe për të përfshirë edhe rajone të tjera, në varësi të rrjedhës së konfliktit dhe kushteve në ndryshim.
Së dyti, pavarësisht motivimit të përbashkët të SHBA-së, Izraelit dhe qeverisë libaneze për të kufizuar efektet e këtij transformimi dhe për të frenuar pasojat e tij, faktori iranian do të vazhdojë të shoqërojë çdo përpjekje negociuese të ndërmarrë nga kjo treshe. Pavarësisht nga ajo që thuhet dhe komentohet, rezistenca libaneze, duke u mbështetur në një partner efektiv dhe me ndikim të aftë për të marrë vendime proaktive kundër armiqve të përbashkët, tani ka një hapësirë më të gjerë për manovrim kundër presionit dhe diktateve.
Së treti; qëndrimi i Izraelit mbeti në nivel praktik plotësisht i kufizuar në një refleks mbrojtës. Që nga momenti i parë, Tel Avivi u përqendrua në zbutjen e ashpërsisë së ekuacionit të imponuar nga sulmi iranian, në vend që të përpiqej ta kthente këtë kërcënim në një mundësi. Kërcënimi tashmë ishte bërë realitet dhe e vetmja gjë që pritej nga Izraeli ishte minimizimi i dëmeve dhe pasojave të tij. Por a arriti ta bënte këtë? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mbart dyshime të thella. Madje, këto dyshime nuk bazohen në analiza të jashtme, por në vetë pohimet e shumë ekspertëve izraelitë, të cilët pranojnë se ekuacioni i ri tashmë ka zënë rrënjë në terren dhe se përmbysja e tij është jashtëzakonisht e vështirë.
Së katërti; ky hap i Iranit konfirmoi edhe një herë dështimin e luftës kundër Iranit që po zhvillohet nga Izraeli dhe SHBA-ja. Ky është një dështim me dy dimensione: nga njëra anë, qëndron realiteti i pamundësisë për të shkatërruar kapacitetin e Iranit, për ta paralizuar atë ose për të penguar qasjen dhe përdorimin e këtij kapaciteti, në kundërshtim me pretendimet; nga ana tjetër, bëhet fjalë për faktin se motivimi i Iranit për të përdorur forcën ushtarake ka arritur në një nivel shumë më të lartë krahasuar me periudhën para luftës.
Së pesti; ndërsa Izraeli po e ndryshon doktrinën dhe strategjinë e tij të sigurisë në mënyrë që, në vend se të frikësojë të tjerët ose të marrë prej tyre zotime, ta imponojë drejtpërdrejt “sigurinë” e vet përmes forcës ushtarake; edhe Irani duket se ka shkuar drejt një ndryshimi të ngjashëm doktrinar. Teherani tani ka prirjen ta shfaqë vullnetin e tij përmes përdorimit dhe kërcënimit me forcë ushtarake, jo vetëm si një mjet mbrojtës, por edhe për t’i diktuar interesat e tij me një qasje parandaluese (paraprake). Rajoni po e përjeton këtë qasje të re jo vetëm në veçanti për Izraelin, por në kuptimin e përgjithshëm, dhe në vitet e ardhshme do ta ndiejë atë edhe më thellë.
Së gjashti; në frontin amerikan, qëndrimi i Uashingtonit luhatej gjithnjë e më shumë mes interesave që përplaseshin. SHBA-ja, nga njëra anë, dëshironte të pengonte që ngjarjet ta tërhiqnin edhe vetë në një konflikt të përgjithshëm, i cili do të binte ndesh me strategjinë e saj për të arritur një marrëveshje me Teheranin. Nga ana tjetër, ajo nuk mund të lejonte që Tel Avivi të dukej në një pozitë të paaftë për t’u kundërpërgjigjur; sepse pasojat e një situate të tillë do të tejkalonin kufijtë e Izraelit dhe do të dëmtonin drejtpërdrejt imazhin dhe pozitën rajonale të vetë SHBA-së. Dhënia e dritës së gjelbër Izraelit buronte plotësisht nga kjo ndjeshmëri; megjithatë, kjo dritë e gjelbër u mbajt brenda kufijve të caktuar që nuk do t’i dëmtonin prirjet amerikane për kompromis dhe nuk do të çonin në një përshkallëzim që do ta detyronte ushtrinë amerikane të ndërhynte drejtpërdrejt.
Së shtati; fakti që kjo valë përshkallëzimi përfundoi me një ekuacion të ri frenimi, i imponuar de facto Izraelit edhe nëse Tel Avivi shmang pranimin e tij, do të jetë përcaktues në të gjitha llogaritjet e ardhshme izraelite. Kjo situatë do t’i frenojë nismat agresive të cilave Tel Avivi mund t’u drejtohej me lehtësi deri dje dhe do ta ngushtojë hapësirën e gjerë të goditjes dhe manovrimit që kishte përpara deri në luftën e fundit.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Izraeli do t’i nënshtrohet lehtësisht ekuacionit të ri ose se Irani i ka arritur objektivat e tij dhe e ka përmbyllur procesin.
Konflikti mbetet ende një proces me fund të hapur dhe të dyja palët do të bëjnë gjithçka që munden për ta vështirësuar arritjen e objektivave të palës tjetër.
Ndërsa Teherani do të përpiqet të forcojë ekuacionin e lindur nga konflikti i fundit dhe ta përdorë atë si në luftën kundër kundërshtarit të tij, ashtu edhe për forcimin e pozitës së aleatëve të tij në Liban; Tel Avivi dhe aleatët e tij do të përqendrohen në dobësimin sa më shumë të jetë e mundur të ndikimeve të këtij ekuacioni të ri, si në terren ashtu edhe në procesin pas armëpushimit gjithëpërfshirës në rajon, si dhe në negociatat që do të zhvillohen me qeverinë libaneze.
Burimi : Al Akhbar