Besimi si Çlirim Shpirtëror

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Gus. 21, 2017, 1:45 a.m.

Njeriu, për nga natyra është krijesë që karakterizohet nga veti dhe tipare të ndryshme, falë të cilave arrin të ketë një vend të posaçëm në ekzistencë. Natyrisht, kur flitet për njeriun në një mënyrë të përgjithshme, kemi parasysh atë që meriton të quhet ‘njeri’ në një kuptim të veçantë të kësaj fjale. Më shumë se të tjerët, meritojnë të quhen kështu të Dërguarit e Zotit dhe mendimtarët e mëdhenj dhe personalitetet e figurat e shquara e fisnike të historisë njerëzore, për faktin se ata, pikërisht, kanë mundur të aktualizojnë tek vetja  e tyre një pjesë të mirë të aftësive dhe përmasave të shumta, që ka, në potencë, çdo qenie njerëzore. Rruga për të zhvilluar e kultivuar tiparet, talentet dhe dhuntitë që i kemi në vete si mundësi të natyrshme, kalon përmes çlirimit shpirtëror.

Në rruzullin tokësor kanë jetuar me miliarda njerëz, megjithatë janë të paktë, për fat të keq, ata që ia kanë dalë të arrijnë nivele hyjnore, duke bërë realitet gjithë potencialet në rrënjë e në thelb të qenies së tyre. S’ka dyshim që shkaku i kësaj ‘paaftësie’ qëndron në mosarritjen e ‘çlirimit shpirtëror’ prej tyre. Thelbi i qenies njerëzore është shpirti i saj, e kjo do të thotë se ajo mund të bëhet e denjë për të mbajtur emrin madhështor ‘njeri’ vetëm përmes shpirtit dhe virtytit.

 Krijesat njerëzore, që i shpërfillin dhe nuk i zhvillojnë dhuntitë dhe virtytet, nuk meritojnë të quhen ‘njerëz’, aq më tepër kur e dhunojnë shpirtin e tyre njerëzor dhe ndërgjegjen e tyre hyjnore, duke u bërë skllevër të epsheve dhe dëshirave të tyre të ulëta.

Por ne këtu do t’i kushtojmë vëmendje aspektit pozitiv të qënieve njerëzore, duke u përqendruar tek efektet dhe pasojat e çlirimit shpirtëror të tyre. Sipas shkollave të ndryshme etike e gnostike, sidomos të atyre me orientim fetar e spiritual, njeriu është i përbërë nga fizikja, mendorja dhe shpirtërorja.

Janë pikërisht këto përmasat që formojnë dhe karakterizojnë njeriun. Çdo përmasë i jep atij një veçori të caktuar, që ka kërkesat e veta. Njeriu si trup kërkon të përmbushë nevojat e veta trupore për ushqim, kënaqësi epshore, gjumë, etj. Edhe aspekti mendor e intelektual i tij ka kërkesat e tij në lidhje me sigurinë, dashurinë, moralin, etikën individuale dhe kolektive, njohjen nëpërmjet arsyetimit e meditimit, etj.

Kurse si qenie shpirtërore, njeriu priret drejt bashkimit me origjinën hyjnore, përvetësimit të vetive që e stolisin shpirtin, dhe largimit nga veset e ligësitë që e poshtërojnë shpirtin dhe e pengojnë qenien humane të bashkohet me origjinën e saj - Zotin. Kur njeriu arrin që t’ia plotësojë shpirtit kërkesat dhe nevojat, bëhet një krijesë magjepsëse dhe e mrekullueshme, përndryshe, në rast se i shpërfill nevojat dhe aftësitë e tij mendore e shpirtërore në emër të përmasës fizike, materiale e trupore të tij, ai mund të shndërrohet në një krijesë të humbur e të mjeruar. Në kontekstin tonë, çlirimi shpirtëror nënkupton ngritjen e njeriut përtej botës materiale, duke pasur për pikësynim lartësitë dhe horizontet hyjnore.

Çlirim shpirtëror do të thotë që njeriu të mos të largohet në asnjë çast nga udha shpirtërore, e cila e lidh me Krijuesin e tij, dhe që ai të mos shndërrohet në skllav të epsheve e kënaqësive trupore, inferiore, por t’i ketë ato nën kontroll.

Njeriu i çliruar nga varësia prej epshit është i çliruar shpirtërisht. Por, si mund të arrihet një gjë e tillë? Për të arritur qëllimet e tij, njeriu ka nevojë për mjete, udhërrëfyes dhe shembuj e modele. Njeriu ka mjetin që i duhet edhe për çlirimin shpirtëror, e ky është intelekti ose mendja, e mbështetur nga ndërgjegja hyjnore. Ai ka gjithashtu udhërrëfyesin e tij, që është feja, në përgjithësi, veçanërisht feja islame, falë përparësive të saj si feja e fundit dhe përfundimtare, që i është shpallur njerëzimit.

Kurse shembuj e modele për të janë profetët, veçanërisht Profeti i fundit i Zotit, ai i Islamit. Përmes jetësimit të udhëzimeve Kur’anore, njeriu arrin të realizojë çlirimin e tij shpirtëror.

Në këtë mënyrë, besimi funksionon si çlirimtar i shpirtit, e kjo do të thotë se njeriu e arrin çlirimin e tij shpirtëror përmes robërimit ndaj Zotit. Kur’ani fisnik thotë në lidhje me pasojat e çlirimit shpirtëror:

Me të vërtetë, ai që e spastron atë (shpirtin) do jetë i lumtur e, me të vërtetë, ai që e devijon atë (shpirtin) do të humbë!” (Kurani 91: 9,10).

Lumturia më e madhe për njeriun është pikërisht arritja e këtij objektivi të ekzistencës së tij, sepse përmes tij ai hap të gjitha portat e suksesit në këtë jetë dhe portat e parajsës në botën e amshuar, pas saj. 

Valbona Ismaili