Ç’është Falënderimi?

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Shta. 16, 2017, 7:21 p.m.

Nga ana leksikore, nocioni “falënderim” nënkupton imazhin e begatisë në mendje dhe manifestimin e tij përmes komunikimit dhe veprimit.[1] Të njëjtin nënkuptim ka ky nocion edhe sipas haditheve islame, të cilat e lidhin “falënderimin” me shprehjen e tij nëpërmjet zemrës, gjuhës dhe veprës. Në lidhje me këtë, në një hadith thuhet. “Çdo kush që e njeh begatinë e Zotit me zemër, e ka falënderuar Zotin”. Gjithashtu në një hadith tjetër thuhet: Falënderimi i begatisë do të thotë të qëndrosh larg veprave haram e të ndaluara, kurse falënderim i plotë është të thuash: “Falënderimi i takon Al-llahut, Zotit të botëve” .

Llojet e falënderimit

Falënderimi karshi Zotit mund të realizohet në tri mënyra: Me anë të zemrës, gjuhës dhe veprës.

1. Falënderimi me anë të zemrës: Zemra “falënderuese” kujton gjithnjë begatitë dhe dhuntitë e shumta të Zotit dhe ndihet e “vogël” e nevojtare në raport me madhështinë dhe kujdesin e Tij. Duke medituar për veprat e mëdha dhe krijesat e ndryshme të Zotit, si dhe me vullnetin për t’u ofruar ndihmë robërve të Tij, ajo shfaq mahnitjen dhe habinë e vet dhe, në këtë mënyrë, bëhet më e përulur dhe më e nënshtruar.

2. Falënderimi me anë të gjuhës: Falënderimi me anë të gjuhës realizohet kur falënderuesi e lavdëron Zotin e vet duke e përmendur dhe duke i bërë atij tespih, si dhe duke e falënderuar në masën e kapacitetit të mendjes dhe mundësisë që ai ka.

3. Falënderimi me anë të veprave:  Faza e tretë është falënderimi me anë të veprave. Në këtë fazë falënderuesi duhet të përpiqet që të mos i shfrytëzojë begatitë e Zotit në rrugën e mosbindjes së Tij,  përkundrazi të kërkojë ndihmë për t’iu bindur dhe për ta adhuruar Zotin.

Stimulimi për të “Falënderuar

Kur’ani i Madhëruar i urdhëron dhe nxit njerëzit që të falënderojnë Allahun dhe shpreh admirim për njerëzit falënderues, për disa prej të cilëve do të flitet në vazhdim.

Në Kur’an thuhet: “O ju që besoni! Hani ushqimet e lejuara që ju kemi dhënë e, nëse jeni adhuronjës të Allahut, falënderojeni Atë”. [2]

Gjithashtu, Zoti thotë në Kur’an: “Kush dëshiron mirësitë e kësaj bote, ne do t’i japim atij prej saj, e kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër, ne do t’i japim atij prej saj. Ne do t’i shpërblejmë mirënjohësit”. [3]

Kurse Imam Aliu ka thënë në lidhje me këtë çështje: “Ji falënderues ndaj lehtësimit, rehatisë dhe përparimit të robit dhe ji i durueshëm ndaj pengesës dhe vështirësive të robit. [4]

Shembujt e falënderuesve: Midis falënderuesve, vetëm një numër i vogël prej robërve të sinqertë e të pastër të Zotit ia kanë dalë që të fitojnë shquarje duke qenë më superiorë ndaj të dashurve të tjerë të Zotit, të cilët nuk janë tregur shpërfillës ndaj falënderimit të Tij gjatë tërë jetës së tyre. Këtu do të përmednim disa prej tyre:

1- I Dërguari i Zotit dhe Ehli Bejti (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Për sa u përket virtyteve njerëzore ndaj njerëzve të tjerë, i Dërguari i Zotit ishte më i miri. Ai ishte gjithashtu një njeri shumë falënderues edhe në aspektin e falënderimit.

Imam Bakiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Një ditë, njëra prej grave të të Dërguarit iu drejta atij duke i thënë: “Zoti i Madhëruar  e ka përfshirë të kaluarën dhe të ardhmen tënde nën mëshirën e Tij. Përse, atëherë, je kaq shumë i zhytur në adhurim?” I Dërguari iu përgjigj: “Vallë, a nuk duhet të jem falënderonjës? [5]

Ehli Bejti (Allahu qoftë i kënaqur me ta), ashtu si dhe i Dërguari s.a.v.s, ka qenë falënderonjës ndaj Zotit në çdo çast të ekzistencës së vet, aq sa vetë Zoti i Madhëruar është shprehur pranues për falënderimin e tyre, duke thënë: “Ky është, me të vërtetë, shpërblimi i juaj.Mundi i i juaj është për mirënjohje”.[6]

Hz. Nuhi a.s:  Zoti i Madhëruar e ka vlerësuar hz, Nuhin a.s. me cilësinë “shekur”, që do të thotë “njeri shumë falënderonjës”. Ai thotë: “Vërtet, ai ishte rob shumë falënderonjës”. [7]

2- Hz. Ibrahim a.s: Hz. Ibrahim a.s. konsiderohet gjithashtu si njeri shembullor për nga falënderimi. Në luftën kundër idhujtarisë dhe politeizmit, ai qëndroi  si një “shkëmb” i vetëm kundrejt të gjitëve dhe, me thyerjen e idhujve, themeloi sistemin e monoteizmit. Ai nuk u frikësua aspak nga zjarri i Nemrudit dhe u bëri ballë të gjithë torturave dhe dhimbjeve vetëm për të përforcuar themelet e fesë së Zotit. Kur’ani i Madhëruar e vlerëson hz: Ibrahimin në këtë mënyrë: “Vërtet, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur përpara All- llahut, me besim të drejtë e nuk ka qenë ndër ihdhujtarët, (por ishte) falënderues ndaj të mirave të Tij. Ai (All-llau) e zgjodhi atë (për pejgamber) dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë”. [8]

Shpërfillja e Begative dhe Mirësive të Zotit

Shpërfillja e mirësive të Zotit konsiderohet si mosmirënjohje ndaj Krijuesit dhe refuzim i mirësive të Tij. Edhe pse nuk ka nevojë për falënderimin dhe adhurimin e njeriut, Zoti i Madhëruar ia ka bërë atj të domosdoshëm falënderimin, ndaj mirësive të Tij, në bazë të urtësisë dhe përcaktimit të Vet. Edhe në vetë Kur’anin Famëlartë, pasi përgëzohen falënderuesit, anashkalohen në mënyrë të veçantë shpërfillësit e mirësive të Tij. Në një ajet Kur’anor thuhet: “Kush është falënderonjës, e bën për të mirën e vet, dhe kush tregohet mosmirënjohës, ta dijë se Zoti është i Vetëmjaftueshmi dhe i Denji për lavdërim”. [9]

Edhe pse Zoti nuk ka nevojë për falënderimin e përdoruesve të mirësive të Tij dhe nuk përgjigjet duke privuar prej tyre mohonjësit e Tij si burim i mirësive, vetë akti i shpërfilljes së begative shkakton disa pasoja negative, që po i përmendim sa më poshtë:

1- Ultësia

Njeriu që i mohon mirësitë e Zotit, pohon me këtë veprim ultësinë e vet dhe tregon se është mosmirënjohës. Arsyeja e kësaj qëndron në faktin që edhe mendja e kulluar, edhe ndërgjegja e njeriut thonë se pranuesi i mirësisë duhet të jetë falënderues, rrjedhimisht mospërfillja e gjykimit të mendjes dhe ndërgjegjes është një akt që kryhet vetëm nga persona që i kanë humbur vlerat njerëzore, që mund të krahasohen vetëm me kafshët për nga ultësia, dhe që janë madje më të ulët se edhe vetë kafshët. Në lidhje me këtë, imam Zejnul Abidini thotë: Nëse Zoti u jep njerëzve mirësi të shumta, që vijnë njëra pas tjetrës e janë të shumta në numër, por i privon ata nga rruga e njohjes së falënderimit dhe lavdërimit të Tij, kjo do të krijonte kushte që ata ta shpërfillnin lavdërimin e Tij, ndërkohë që shfrytëzojnë mirësitë e Tij. Pra, ata do të kenë mirësi të shumta e të bollshme nga Zoti, po nuk do ta falëndeorjnë Atë. Si rrjedhojë, njerëzit që do të tjetërsohen nga njerëzorja, do të barazohen me kafshët dhe do të bëhen siç thuhet në Kur’an: “Ata janë si kafsha, madje kanë përzgjedhur një rrugë më të ulët se sa kafshët”. [10]

2. Asgjësimi i mirësive

Shpërfllja e mirësive bëhet shkak për pakësimin dhe asgjësimin e begative, sikundër që falënderimi i shton dhe i shumëfishon begatitë. Imam Xhafer Sadiku ka thënë: Me falënderim nuk do të kesh pakësim apo zhdukje të mirësive, ndërsa me mohim dhe shpërfillje do t’i asgjësosh ato”. [11]

Falënderimi i begatisë e shton begatinë, kurse mohimi i saj ta merr dhe atë që ke.

3. Venitja e mirësive dhe e veprave të mira

Një pasojë tjetër e shpërfilljes së mirësive është zhdukja e sjelljeve njerëzore dhe e solidaritetit shoqëror. Kjo për arsye se mosfalënderimi shkakton efekte negative të zotëruesit e mirësive dhe i frenon ata nga dhurimi dhe shpëndarja e tyre. Edhe me ligjin universal të Zotit ndodh diçka e ngjashme me këtë . Kur robërit e Zotit e mohojnë burimin e mirësive, Ai i pakëson begatitë e Tij ndaj tyre. Tregohet se imam Xhafer Sadiku ka thënë në lidhje me këtë: “Mallkuar qofshin ata, të clët e ndërpesin rrugën e mirësisë dhe të hairit”. E pyetën: Kush është ndërprerësi i rrugës së mirësive?” Ai u përgjigj: “Ai, të cilit i bëjnë një mirësi, por nuk e falënderon mirëbërsin e vet, kështu që ky i fundit nuk e zbaton më aktin e mirëbërësit ndaj një personi tjetër”.

4. Ndërshkimi i menjëhershëm

Një nga pasojat negative të shpërfilljes së mirësive është shpejtimi i mundimeve dhe ndëshkimi i mohuesit të mirësisë. I Dërguari i Zotit ka thënë: “Shpërfillja e mirësive është mëkati me ndëshkimin më të menjëhershëm”.

5. Ndëshkimi  në xhehenem

Pasoja më e rëndë me përfundimtare, që pëson shpërfillësi i mirësive, është ndëshkimi i tij në xhehenem, sepse duke mohuar mirësitë e Zotit e duke u treguar mosmirënjohës ndaj Krijuesit dhe mirëbërsve të Tij, njeriu shmnaget nga rruga e Zotit dhe merr udhën e padrejtësisë, e cila nuk e çon përveçse në xhehenem. Ky është përfundimi që Zoti ka paraparë për njerëzit e tillë në Librin e Tij të shenjtë: “A nuk i sheh ata që mirësinë e Zotit e kanë ndërruar me mohim dhe i kanë çuar njerëzit e tyre në shtëpinë e shkatërrimit? Ata do të digjen në xhehennem”. [12]

 

[1] Mufredate ragib, fq, 265

[2] Sure El – Bekare, ajeti 172

[3] Sure Ali- Imran, ajeti 145

[4] Gorur EL – Hikem, vël, 4, fq, 602

[5] Usle Kafi, vëll, 2, fq, 77

[6] Sure Insan, ajeti 22.

[7] Sure – El – Isra, 3.

[8] Sure El – Nahl, 120 – 121.

[9] Sure El  - Lukman, ajeti 12.

[10] Sahifeje Sexhadije. Lutja e parë.

[11] Usule Kafi, vëll, 2, fq, 77

[12] Sure EL – Ibrahim, ajetet, 28- 29.