Dobia e Vetëedukimit

nga Valbona İsmaili | Publikuar në Jan. 14, 2018, 2:15 a.m.

Vetëm pasi ta kemi edukuar veten në frymën e fesë, mund të mendojmë dhe për edukimin e transformimin e të tjerëve. Për vetë faktin që njeriut i duhet shumë kohë e punë për të edukuar e formuar vetveten, atij s’i del koha të merret me punët e të tjerëve e me çfarë bën filani e fisteku ... nga ana tjetër, ai s’ka më kohë të merret me thashetheme e të përgojojë të tjerët.

Njeriu konsideorhet i vetërealizuar (i edukuar në frymën e fesë e të moralit islam) vetëm atëherë kur pozicionohet  përfundimisht larg ligësive e veprave të këqija.

Në shumë hadithe të Profetit të Islamit transmetohet kjo porosi: “Ti eduko veten tënde. Marrëdhënien ndërmjet teje dhe njerëzve të tjerë e rregullojmë Ne. Ne do të bëjmë që të jenë të mirë me ty të gjithë”. Prandaj korrigjo raportin tënd me Zotin e Madhërishëm dhe qëndro larg ligësive.

Në këtë mënyrë, ne do të kuptojmë dalëngadalë se ekziston vërtet një Zot, derisa kjo çështje të bëhet e vetkuptueshme për njeriun. Por kjo është një begati e madhe, pa dyshim.

Ai që kërkon të arrijë pikën kulmore e të lartësohet sa më lart, duhet të bëjë përpjekeje të shumta serioze. Në një ajet Kuranor, Zoti i Madhëruar thotë: “E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne do t’i orientojmë rrugës për tek Ne, me siguri...”. (Kur’ani, 29:69).

Njeriu që ka aktualizuar potencialin e vet hyjnor, nuk ndien më nevojë t’i lutet njërit apo tjtrit. Ai nuk ndien as edhe një frikë në përballjen e vështirësive e të ndodhive, meqenëse mbështetet tek Zoti i Madhërishëm.

I lutemi Zotit që të na vëjë në dijeni të ligësive tona, në mënyrë që të mendojmë dhe reflektojmë për eliminimin dhe zhdukjen e tyre.

Ajo që na jep shpresë në këtë udhë është fakti që mëshira e Zotit është gjithëpërfshirëse. Madje edhe nëse kemi kryer vepra të liga për vite me radhë,  Zoti i Madhëruar  prapë do të na e pranojë pendimin e do të na falë në momentin që i kërkojmë faljen.