Lufta e III Botërore dhe çmenduria jonë NATO-iste

nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Tet. 18, 2016, 12:53 p.m.

1.

Në datën 12 tetor 2016 në emisionin Top Shou të Top Channelit, drejtuesi i këtij emisioni organizoi debatin “Lufta e III-të Botërore- Sa afër jemi?” Të ftuar isha unë (Olsi Jazexhi), Enri Hide, Alfred Cako, Kastriot Myftaraj, Arian Curri, Edit Harxhi dhe Genc Kojdheli. Siç pritej, në emision u diskutua mbi konfliktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët e saj janë duke zhvilluar me Rusinë. Siç më ka ndodhur edhe në emisione të tjera televizive, kur bëhet fjalë për të analizuar politikat amerikane në Shqipëri dhe botë, diskutuesit shqiptarë bëhen tejet irracionalë dhe servilë. Disa nga frika prej ambasadës amerikane në Tiranë, e disa nga servilizim natyror që i shoqëron shqiptarët, të gjithë rreshtohen syverbuar përkrah amerikanëve dhe nuk pranojnë që të diskutojnë si shkencëtarë dhe analistë, por vihen në pozitat e fanatikut.

 

Si rrjedhojë emisioni i Top Shou-t ku ne do të duhej të analizonim rrezikun e madh që i kanoset botës nga përplasja e dy superfuqive nukleare ShBA-Rusi në shumë raste u kthye në një emision akuzash, ku dy mësues të Universitetit Evropian të Tiranës, Enri Hide dhe Arian Curri, në vend që të viheshin në pozitat e politologut dhe analizonin me gjakftohtësi arsyet dhe historikun e përplasjeve Amerikë – Rusi, vendosën të luajnë rolin e inkuizitorëve McArthuristë dhe të gjenin “njerëzit e Rusisë” dhe “anti-amerikanët” në studio.

Persona sikur unë, apo Alfred Çako që u munduam të analizojmë skenarët e ardhshëm të përplasjes së madhe ushtarake amerikane-ruse që kërcënojnë botën, u akuzuan si konspiracionistë dhe anti-amerikanë.

2.

Në emisionin e datës 12 tetor, prej afro 2 orësh unë pata mundësi të flas vetëm pak minuta dhe nuk munda të shpjegoj si duhet tmerrin nuklear që po i afrohet botës. Disa nga folësit shprehnin kënaqësinë që Shqipëria është në NATO, DNA tonë NATO-site dhe budallëqe të këtilla më brirë pa u marrë me problemin që prezenca e Shqipërisë në NATO i sjell të ardhmes së shqiptarëve në rast të një lufte botërore.

Lumturimi i shqiptarëve sot që Shqipërinë e kanë pjesë të NATO-s i ngjan shumë lumturimit që pushtetarët shqiptarë kishin gjatë Luftës II Botërore kur Shqipëria kuislinge e Mustafa Krujës dhe Mehdi Frashërit u rreshtua në krah të boshtit nazist. Si atëherë, kur shqiptarët krijuan Divizionin SS Skënderbej dhe morën pjesë në luftimet pro Gjermanisë naziste dhe Italisë fashiste, edhe sot shqiptarët janë bërë pjesë e strukturave të NATO-s dhe luftojnë për këtë organizatë militariste që nga Azia e deri në Evropë. Dhe si atëherë, edhe sot shqiptarët mendojnë se aleanca e tyre është e pamposhtme.

3.

Konflikti që po zhvillohet në ditët tona ndërmjet Rusisë dhe NATO-s me në krye ShBA-të të japin përshtypjen, (sikur gjatë Luftës II Botërore kur gjithë bota besonte se Gjermania naziste ishte e pamposhtshme), se amerikanët mund ti mundin rusët dhe aleatët e tyre kollaj. Sukseset e amerikanëve pas rënies së Bashkimit Sovjetik me ekspansionin e NATO-s drejt Evropës Lindore, pushtimi amerikan i Afganistanit, Irakut, dhe shkatërrimi i Somalisë, Jugosllavisë, Sudanit, Libisë dhe Jemenit dhe më në fund shkatërrimi dhe mbushja e Sirisë me terroristë e ndarja e Ukrainës, i kanë dhënë një yrysh të paparë hegjemonisë amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Evropë. Vendosja e hegjemonisë totale amerikane mbi Evropë nëpërmjet pushtetit të butë ekonomik, kulturor, dhe ushtarak i ngjajnë pak a shumë ekspansionit të Gjermanisë naziste i cili nisi me aneksimin e Austrisë, ndarjen e Çekosllovakisë, Lituanisë, pushtimin italian të Shqipërisë dhe Etiopisë, dhe që përfunduan me pushtimin e Polonisë. Sikur Gjermania në fundvitet 30, edhe sot fuqia e Amerikës mbi Evropën duket absolute. Dhe ky absolutizëm në dukje është shkak i cili i ka eksituar shqiptarët të besojnë që mbështetja në Amerikën dhe NATO-n janë garancia absolute për sigurinë dhe prosperitetin e kombit shqiptar.

Megjithatë, e vërteta nuk është kaq e thjeshtë. Edhe pse Rusia për nga niveli i të ardhurave ekonomike, pushteti i butë, progresi teknologjik etj nuk mund të përballet dot me aleancën e NATO-s, ushtarakisht ajo është vendi më i fuqishëm apo ndoshta i dyti pas ShBA-ve në planetin tonë.

4.

Konflikti i sotëm ruso-amerikan mbi kontrollin e Lindjes së Mesme dhe Ukrainës, ku rusët po vënë nën kontroll Sirinë dhe pjesët ruse të Ukrainës, ndërsa amerikanët kanë nën kontrollon Irakun, monarkitë vehabite të Gjirit Persik dhe pjesët katolike dhe uniate të Ukrainës i ngjan pak a shumë situatës së botës gjatë paktit Molotov–Ribbentrop të vitit 1939 kur Bashkimi Sovjetik ra dakort me Gjermaninë që të ndanin mes tyre Poloninë, Lituaninë, Latvinë, Estoninë, Finlandën dhe Rumaninë. Bisedimet e ministrave të jashtëm amerikanë dhe ruse, Kerry – Lavrov për ndarjen e Sirisë dhe ndarjen e Ukrainës, dhe lojrat e Rusisë dhe Amerikës për të marrë nën kontroll Turqinë janë një déjà vu sikur ajo e ndodhive para Luftës II Botërore.

Ekspansioni i NATO-s në kufijtë e Rusisë dhe mos dëgjimi nga ana e amerikanëve e ankesave të Rusisë për të tërhequr armët e tyre nga kufijtë rusë dhe për ruajtjen e shtet kombeve në botën arabe dhe ligjit ndërkombëtar, e kanë kthyer Rusinë në të njëjtat pozita që ajo kishte në kohën e Jozef Stalinit. Në këto kohë Gjermania naziste përparonte pa ndalim drejt kufijve rus dhe nuk respektonte ligjin ndërkombëtar por pushtonte vendet sovrane me dhunën e armëve.

5.

Bota ku ne jetojmë sot i ngjan në shumë pika botës në prag të Luftës II Botërore. Amerikanët dhe aleanca e tyre e NATO-s i ngjan aleancës naziste të boshtit Romë-Berlin-Tokio, ndërsa Rusia me aleatët e saj i ngjan situatës së Bashkimit Sovjetik përpara sulmit nazist. Sikur në fundvitet 1930’ edhe sot aleanca perëndimore duket e pamposhtme dhe si historian që jam, mendoj që Lufta e Madhe është vetëm pak kohë larg.

6.

Por si duhet të pozicionohen shqiptarët në këtë Luftë Botërore që po vjen? Kush do të jetë fituesi i saj?

Lufta e Tretë Botërore, nëse rusët dhe amerikanët nuk ulin gjakrat dhe bien në ujdi do të jetë lufta më shkatërrimtare që njerëzimi ka bërë ndonjëherë. Dy superfuqitë nukleare të botës do të përdorin armë të shkatërrimit në masë, nëpërmjet të cilave Evropa dhe pjesë të mëdha të Rusisë dhe Amerikës do të zhduken. Profecitë kuranore dhe biblike tregojnë që para fundit të kohës popujt e verdhë (insan ul asfar) apo evropianët, do të bëjnë një luftë aq të tmerrshme dhe përdorin armë aq të përbindshme sa që edhe zogjtë do të digjen në qiell. Profecitë e profetit Muhamed parashikojnë një luftë të tmerrshme nukleare e cila pas kësaj do e kthej njerëzimin në epokën e gurit.

Të përballur me tmerrin e një lufte të re botërore, shqiptarët apo më saktë udhëheqësia shqiptare do të bënte mirë që të mos e bënte Shqipërinë pjesë të aleancave ushtarake. Edhe pse Rusia në dukje duket si një shtet i dobët dhe në tërheqje, ajo posedon potenciale ushtarake me të cilat mund të zhdukë të gjithë Evropën. Hitleri, Bonaparti dhe të gjithë udhëheqësit e tjerë të perëndimit e kanë injoruar historinë historikisht por në fund janë mundur nga ariu rus. Në rast të nisjes së Luftës III Botërore, Shqipëria si aleate e NATO-s që është do të vuaj shumë nga një luftë e Amerikës me Rusinë. Ajo do të goditet nga raketat ruse, fakt që do të sjellë zhdukjen e qindra mijëra njerëzish.

Sikur Shqipëria të ishte vend demokratik dhe sovran, ku ambasadori amerikan të mos kishte pushtet suprem, Shqipëria do të duhej që të mos bëhej pjesë e konfliktit të madh Amerikë – Rusi dhe e NATO-s, por të dilte nga NATO ashtu sikur doli nga Traktati i Varshavës në kohën e Enver Hoxhës në 1968. Por meqë Shqipëria sot ka humbur pavarësinë e saj dhe është nën hyqmin e Amerikës njësoj sikur Shqipëria e Mehdi Frashërit në kohën e Gjermanisë naziste, një gjë e këtillë duket e pamundur. E vetmja armë që kanë në dorë qytetarët e ndershëm dhe paqedashës shqiptarë është që të sensibilizojnë publikun për rrezikun e Luftës Botërore dhe tmerrin nuklear që mund të godasë vendin tonë në rast të një lufte të këtillë. Besimtarët në anën tjetër duhet të luten për paqe dhe të gjithë së bashku ti kërkojnë njerëzve me pushtet që qëndrojnë mbi ta, që ti thonë fund militarizmit dhe luftës.

Por meqë njerëzit paqësor përgjatë të gjithë historisë së njerëzimit, zakonisht janë mundur nga njerëzit luftënxitës, unë kam frikë që Shqipëria do të bëhet pjesë e luftës së madhe globale që mund të nisë nga momenti në moment.

E nëse lufta nis, shqiptarët duhe të mendojnë sesi do të mbijetojnë nga tmerri i luftës atomike. Shqipëria për fat të keq sot nuk i gëzon më bunkerët e kohës së komunizmit dhe rezervat ushqimore që duhen në raste lufte. Ajo është totalisht e papërgatitur për një luftë kaq të tmerrshme, fakt që do shkaktoj vdekjen e qindra mijëra njerëzish. Nëse lufta nis, ne duhet të dimë që shumë prej nesh nuk do të mbijetojnë dot të gjallë dhe këto ditë paqeje dhe prosperiteti që gëzojmë do të na zhduken përfundimisht.

Që të ruajmë paqen ne duhet të lutemi dhe kërkojmë me insistim fund luftërave dhe aleancave ushtarake. Duhet ti kërkojmë qeveritarëve tanë që të mos shpenzojnë para për armatime dhe luftë, por për bukë dhe bamirësi. Por për fat të keq ata nuk janë të lirë që të na dëgjojnë dhe kuptojnë. Kurani 36: 9 thotë që ata: ”Kanë pendë dhe sytë i kanë të mbuluar, prandaj edhe nuk shohin.”

Përballë një situate të këtillë ne nuk na mbetet shumë por ti lutemi Allahut, krijuesit të planetit tonë të bukur që të na ruaj nga çmenduria e madhe nukleare që i kërcënohet njerëzimit, të na ruaj nga sundimtarët tanë njerëz që mendtë ua ka kapluar Shejtani me dëshirat për luftë dhe dhunë të pafund!

Amin!



Burimi : Gazeta İmpakt