Bashkimi i Krimesë me Federatën Ruse është një histori suksesi

nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Prill 27, 2018, 12:44 a.m.

1

Në datat 23 dhe 24 prill 2018 në Jaltë të Krimesë forumi i gazetarëve të botës muslimane, pjesë e grupit strategjik Rusia – Bota Islame kreu takimin e tij të katërt vjetor. Pjesëmarrësit në këtë forum që ishin gazetarë, studiues, analistë, diplomatë, veprimtarë të shoqërisë civile etj u mblodhën në Rezortin Mriyah në brigjet e Detit të Zi ku folësit trajtuan temën e partneritetit të Botës Islame me Rusinë për ndërtimin e një bote më të mirë, të lirë nga ekstremizmi dhe konfliktet.

Pjesëmarrësit e këtij eventi i cili drejtohej nga president i Republikës së Tataristanit R. Minnikhanov erdhën nga shumë vende me popullata shumicë muslimane. Pjesëmarrësit që ishin nga Indonezia, Sudani, Jordania, Egjipti, Irani, Arabia Saudite, Shqipëria, Siria, Libani, Turqia, Emiratet Arabe, Maroku, Katari, Bangladeshi, Algjeria, Uzbekistani, Jemeni, Kuvajti etj treguan mbi eksperiencat e tyre në fushën e partneritetit të qytetërimeve dhe marrëdhëniet e Rusisë me Botën Islame.

Forumi u çel nga ambasadori Veniamin Popov, një diplomat rus dhe sovjetik i cili koordinon forumin strategjik të Rusisë me Botën Islame. Në fjalimin e tij z. Popov foli për rëndësinë që Islami dhe muslimanët kanë për Rusinë, dhe rëndësinë që Rusia i jep marrëdhënieve me botën islame. Ai tregoi disa histori suksesi të marrëdhënies së Rusisë me Botën e Islamit: psh. tregoi që bashkëpunimi i Rusisë me Turqinë dhe Iranin i dha fund terrorizmit të ISIS-it apo Daesh-it në Siri. Në bashkëpunim me OPEK-un dhe Arabinë Saudite, Rusia ka arritur të stabilizoj çmimin e naftës, dhe sot ajo është vendi kryesor që i shet grurë botës islame. Amb. Popov theksoi faktin që Rusia si vendi më i madh i botës që është duke zënë 1/7 e tokës së planetit, që posedon 1/4 e rezervave ujore dhe me numrin e madh të muslimanëve që ka, është një vend me rëndësi për globin. Ai theksoi që Rusia, Kina, India dhe Bota Islame janë qyetëtërimet kryesore të botës, dhe këto vende kanë kapacitete që të rezistojnë hegjemoninë e Perëndimit dhe ndërtojnë një botë me vlera dhe morale qytetërimore.

Drejtuesi i Forumit vuri në pah faktin që Perëndimi sot duke mbështetur destabilizimin e Sirisë e ka çuar Lindjen e Mesme në kaos dhe kërcënon fillimin e Luftës së Tretë Botërore. Konkluzioni i amb. Popov ishte që Bota e Islamit sëbashku me Rusinë, Kinën dhe Indinë duhet të balancojnë rendin e sotëm global dhe ndërtojnë një botë ku qytetërimet të ndërtojnë partneritete me njera tjetrën duke kundërshtuar luftën, shkatërrimin dhe terrorizmin.

Rimma Ratnikova, zëvendës-kryetarja e Këshillit Shtetëror të Tatarstanit rrëfeu eksperiencën e qeverisë së Republikës së Tatarstanit dhe rëndësisë që ajo i vë luftës kundër islamofobisë, mësimit dhe zhvillimit të Islamit tradicional dhe kundërshtimit të ekstremizmit.

Të ftuar special të këtij takimi ishin delegatët tatarë nga Krimea. Krimea e cila ka qenë për më shumë se 3 shekuj e sunduar nga Khanati i tatarëve dhe osmanët dhe pas traktatit të Kuçuk Kajnarxhasë nisi të bëhet pjesë e Perandorisë Ruse ka një domethënie të madhe historike për marrëdhëniet e Rusisë me Botën e Islamit. Ri-bashkimi i Krimesë me Rusinë në vitin 2014 ishte një event me rëndësi për botën ruse dhe islame. Ky bashkim i cili fillimisht nxiti disa përçarje dhe huti në komunitetin e tatarëve, tanimë dukej se mirëpritej nga shumica e tatarëve. Tatarët që ishin prezentë në forum treguan aprovimin e tyre për bashkimin e Krimese me Federatën Ruse.

Tatari i parë që përshëndeti forumin ishte Unver Sel, kryetari i Fondacionit të Zhvillimit të Krimesë dhe kryetar i Federatës së tatarëve të Krimesë në Turqi. Ai tregoi qendrimin e tatarëve të Turqisë në lidhje me bashkimin e Krimesë me Rusinë.

Por përfaqësuesi më i rëndësishëm tatar i eventit ishte Ruslan Balbeku, deputet i Dumës Ruse dhe përfaqësues i tatarëve të Krimesë. Ruslani tregoi mbi konfliktin që ndodhi brenda komunitetit tatar pas bashkimit me Rusinë dhe sesi Sorosi dhe Perëndimi mbështetën një organizatë të quajtur Mexhlisi Tatar i cili udhëhiqet në Ukrainë nga Refat Chubarovi dhe Mustafa Xhemil dhe kundërshtojnë bashkimin e Krimesë me Rusinë. Por Ruslani dhe shumica e tatarëve që e votojnë atë ishin pro bashkimit. Ruslani tregoi përfitimet që tatarët e Krimesë po gëzojnë pas bashkimit me Rusinë. Sipas tij, Rusia po investon në modernizimin dhe rilindjen e Islamit në vend. Ai përmendi faktin që qeveria federale po ndërton një xhami të madhe në Krime, e cila i ishte refuzuar më parë komunitetit musliman nga qeveria ukrainase. Ai përmendi që sivjet parlamenti i Krimesë do të përkujtojë përvjetorin e deportimit të tatarëve nga Stalini për në Siberi, dhe vuri në pah sesi përpara bashkimit, Krimea dërgonte vetëm 150 haxhinj në Mekë ndërsa tani pas bashkimit me Rusinë komuniteti musliman dërgon mbi 600 haxhinj në Mekë.

Ekipi i gazetarëve dhe analistëve pa me sytë e tij sesi Federata Ruse po riparonte shumë monumente të Islamit në Krime sikur xhaminë e Han Uzbekut, Saray Bahchenë apo sarajet e hanëve të Krimesë etj. Ruslani i tregoi pjesëmarrësve sesi tatarëve të cilët autoritetet ukrainase ua refuzonin t’u njihnin Barjamin si festë zyrtare, tani kishin arritur ti bënin të dy Bajramet festa publike të Republikës së Krimesë. Një nga arsyet kryesore pse Ruslani dhe tatarët sikur ai mbështesnin bashkimin e tyre me Rusinë ishte edhe faktori moral. Sipas tyre qeveria e Kievit ka nisur të sulmoj vlerat e familjes, fenë dhe traditat fetare të krishtera dhe muslimane duke organizuar në Kiev parada të pederastëve dhe promovuar LGBT-izmin. Ruslani tha që ne preferojmë të rrimë me Rusinë ku mbrohen vlerat e familjes dhe fesë, dhe jo me Kievin.

Një gazetar jordanez i cili e vizitonte Rusinë prej vitesh vuri në pah se nga vizitat që kishte bërë në zonat muslimane në Kinë dhe Rusi, kishte arritur në konkluzion se Rusia i trajtonte muslimanët e saj shumë herë më mirë sesa Kina dhe shumë vende të tjera të botës.

 

2.

Organizimi i forumit në Krime i mundësoi gazetarëve dhe analistëve të shikonin progresin ekonomik të cilin Krimea po gëzon tani pas bashkimit me Federatën Ruse. Krimeja dukej si një kantier i madh. Që nga aeroporti i Simferopolit, në qytetet dhe qytezat e vendit dhe deri në rezortet e mrekullueshme pranë Detit të Zi, në Krime punohej pa pushim. Një gazetar i cili kishte ardhur në Krime nëpërmjet aeroportit në 2014 e krahasonte aeroportin në kohën e qeverisjes ukrainase me një aeroport të Somalisë. Por tani Krimea ishte pajisur me një aeroport të ri dhe supermodern të cilin do e kishte zili edhe vetë Shqipëria. Në të gjithë vendin po ndërtoheshin autostrada dhe ura gjigande, dhe kur udhëtoje nëpër Krime shikoje kamionë gjigandë që transportonin materiale ndërtimi.

Në ditën e fundit të qëndrimit ne vizituam qytezën tatare të Bahçe Sarajit, ku sarajet e hanëve të Krimesë po restauroheshin nga Federata Ruse. Stafi i muzeumeve të hanëve dhe sarajit të madh ishin të gjithë muslimanë, ku kuratorja ishte një muslimane me shami e cila fliste shkëlqyeshëm anglisht, rusisht dhe turqisht ndërsa u shpjegonte turistëve të huaj të kaluarën islamike të Krimesë. Qyteti i Bahçe Sarajit ishte një qytezë islamike-tatare e cila tregonte mrekullinë e artit islam të hanëve të Krimesë dhe bashkëpunimin e tyre me sulltanët osmanë. Tatarët që jetonin në këtë qytezë kishin prezervuar kulturën e tyre turke-osmane dhe restorantet e tyre që qëndronin në këmbë të një kodre shkëmbore të krijonin përshtypjen sikur je në Prizren, Berat apo në Prevallë.

 

3.

Tatarët kishin edhe myftininë e tyre, medresenë, xhamitë etj ku komuniteti i tyre ndërsa i tregonte besnikërinë federatës ruse, ruante dhe kultivonte identitetin e tij islamik.

Sjellja e qeverisë ruse me Krimenë i ngjan sjelljes së saj me Çeçeninë. Rusët të cilët janë një popull shumë fetar – orthodhoks, e kanë kuptuar që me muslimanët e tyre duhet të sillen mirë dhe ndërtojnë një aleancë qytetërimesh përballë anti-fetarizmit sorosist-amerikan. Ashtu sikur në Çeçeni ku pas luftës Federata Ruse e rindërtoi vendit, ndërtoi xhami madhështore dhe medrese dhe i lejoi çeçenët të praktikojnë fenë e tyre të bazuar në sheriat dhe mësimet e Kuranit, rusët po bënin të njëjtën gjë edhe me tatarët.

Ky ishte mësimi që delegatët tatarë dhe rusë i transmetuan gazetarëve nga bota islame. Rusët kërkojnë besnikëri nga muslimanët e tyre, dhe si shkëmbim i motivojnë që të praktikojnë dhe zhvillojnë fenë dhe traditat e tyre islamike për të mirën e shoqërisë dhe njerëzimit.

 

4.

Krimea ishte një vend shumë i bukur për t’u vizituar. Ne përfaqësuesit e Shqipërisë fluturuam aty nga Stambolli nëpërmjet Soçit. Ndryshe nga Moska e cila është e zymtë dhe e ftohtë, Krimea ishte një vend shumë i bukur. Qielli ishte blu, deti i kthjellët, malet shkëmbore që derdheshin drejt detit ndërsa vendi kishte fusha pa fund. Matanë detit në Krime qëndronte Turqia dhe ideja të krijohej sikur je në ndonjë provincë turke. Në Krime jetojnë rreth 2.400.000 banorë. Nga këta tatarët janë rreth 300.000. Kur udhëton nëpër vend shikon kisha orthodhokse dhe xhami dhe njerëzit duken të qetë dhe lumtur me jetën. Ndërsa Simferopoli i ngjan një qyteti tipik sovjetik, sikur Shkupi apo Podgorica, qytezat tatare të krijonin idenë sikur je diku në Kosovë apo Turqi.

Edhe pse bashkimi i Krimesë me Federatën Ruse u kundërshtua nga Ukraina dhe shumë vende perëndimore, populli në Krime dukej i lumtur që ishte bashkuar me superfuqinë Rusinë dhe kishte lënë shtetin e dështuar të Ukrainës. Infrastruktura që Krimea kishte trashëguar nga Ukraina të jepte idenë sikur ishe në Shqipërinë e viteve 1998. Megjithatë, investimet masive ruse në vend po e kthenin Krimenë në një republikë shumë atraktive. Bregdeti i Krimesë me rezortet e tij supermoderne të jepte idenë se je në Bodrum, Antalia apo Himarë. Natyra e bukur, qielli blu dhe pa re dhe njerëzit paqësorë të jepnin përshtypjen se Krimea ka një të ardhme të shkëlqyeshme. Pjesë e kësaj të ardhme ishin edhe muslimanët tatarë të Krimesë të cilët ishin shumë entuziastë për të ardhmen. Për ata, bashkimi me Rusinë ishte një histori suksesi.

Me natyrën e saj fantastike, investimet masive, multikulturalizmin dhe bashkëjetesën fantastike fetare, Krimea ka shanse të kthehet në një Las Vegas apo Greqi të Federatës Ruse. Me rezortet dhe infrastrukturën e re turistët e Federatës Ruse nuk do kenë më nevojë të shkojnë në Turqi, Greqi apo Spanjë. Krimea i kishte të gjitha mundësitë për t’u kthyer në zemrën turistike të Rusisë. Banorët e saj e kuptonin shumë mirë këtë fakt. Ndarja nga Ukraina dhe bashkimi me Rusinë e kishte transformuar Krimenë, ashtu sikur Spanja ndryshoi pasi ju bashkua Bashkimit Evropian, në një mrekulli turistike.



Burimi : Gazeta İmpakt