A është Shqipëria partnere e Amerikës në mbështetje të Terrorizmit Ndërkombëtar?

nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Mars 31, 2018, 2:01 a.m.

Në 22 Mars 2018, ish kryebashkiaku i Nju Jork-ut dhe këshilltari i Presidentit Trump, Rudy Giuliani ishte në Tiranë. Ai erdhi në kryeqytetin e Shqipërisë me ftesën e drejtueses së Organizatës Muxhahedin-e Khalk (MEK), Mariam Raxhavi me rastin e festimit të festës iraniane të Novruzit me organizatën xhihadiste iraniane, e cila është strehuar nga Shqipëria që prej vitit 2013. Gjatë këtij takimi, i cili u organizua në mënyrë të fshehtë nga muxhahedinët, Giuliani ka treguar mbështetjen e tij për 3.000 radikalët iranianë që jetojnë në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, Giuliani i ka inkurajuar muxhahedinët që të vazhdojnë luftën e tyre kundër qeverisë së Iranit për ndryshimin e regjimit në Teheran.

Gjatë kësaj ceremonie kanë marrë pjesë gjithashtu edhe tre politikanë shqiptarë. Njëri prej tyre ishte ministri aktual i Diasporës për qeverinë shqiptare, Pandeli Majko. Majko ka shërbyer si Ministër i Brendshëm gjatë periudhës së aktiviteteve të CIA-së në Evropën Lindore, kur Shqipëria u përdor nga CIA për marrjen në pyetje dhe torturimin e njerëzve. Majko nuk ka mohuar kurrë bashkëpunimin e tij me CIA-n apo ekzistencën e burgjeve sekrete në Shqipëri, por përkundrazi ka mbështetur marrjet e paligjshme në pyetje dhe torturimin e njerëzve, madje ka kritikuar ata që kanë folur kundër dhomave të torturimit të CIA-s.

Politikani i dytë pjesëmarrës ishte Fatmir Mediu, një ish Ministër i Mbrojtjes, i cili akuzohet në Shqipëri për trafikim armësh drejt Afganistanit, për shpërthimin e Gërdecitdhe vrasjet që ndodhën nga ky shpërthim. Shpërthimi i Gërdecit, i cili shkaktoi vdekjen e 26 shqiptarëve, plagosjen e qindra të tjerëve dhe dëmtimin e shkatërrimin e më shumë se dy mijë shtëpive ishte pjesë e operacionit të ministrisë së Fatmir Mediut me kontraktorët amerikanë për fallsifikimin e armatimeve të vjetra shqiptare që më pas shiteshin si të reja në Afganistan.

Ndërsa politikanja e tretë pjesëmarrëse ishte Elona Gjebrea, e cila ka shërbyer si zëvendës Ministre e Brendshme për ish ministrin famëkeq të brendshëm të Shqipërisë Saimir Tahiri gjatë viteve 2013-2017 dhe që aktualisht është nën hetim për lidhje të mundshme me bandën mafioze të njohur si Vëllezërit Habilaj.

Giuliani i tha muxhahedinëve se SHBA-të dhe qeveria shqiptare i shohin ata si e ardhmja e vetme për Iranin dhe se gjëja e nevojshme që duhet bërë tani është ndryshimi i regjimit. Ministri i Diasporës në qeverinë e Edi Ramës, Pandeli Majko mbështeti propozimin e Giulianit dhe u tha muxhahedinëve se ëndrra e tij është që të kthehet një ditë me ata në Teheran. Të njëjtën gjë bënë edhe Elona Gjebrea dhe Fatmir Mediu. Ata i mbështetën muxhahedinët në misionin e tyre të dhunshëm për ndryshimin e regjimit në Iran. Rudy Giulani i inkurajoi edhe më tej muxhahedinët duke u bërë atyre me dije se ndryshime të mëdha po vijnë në Uashington. John Bolton, një mbështetës i zjarrtë i tyre do të bëhet Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump dhe ai kërkon ndryshim të regjimit në Iran.

Kërcënimet e Giulianit kundrejt Iranit janë instrumentalizuar gjatë muajve të fundit nëpërmjet survejimeve masive dhe sulmet mbi institucionet iraniane dhe të myslimanëve shiitë në Shqipëri dhe Kosovë. Izraelitët po tregohen gjithashtu gjithnjë e më vigjilentë kundër influencës iraniane në Ballkan. Ata i instruktojnë partnerët e tyre shqiptarë që të vënë në shenjestër Iranin dhe institucionet e tij, pavarësisht faktit se Irani nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem me vendet e Ballkanit. Por me mbërritjen e muxhahedinëve, histeria anti-iraniane dhe anti-shiite ka filluar të bëhet gjithnjë e më publike. Muxhahedinët, të cilët funksionojnë si një ushtri në hije e SHBA-së dhe Izraelit pretendojnë se Irani ka një influencë të madhe në Shqipëri dhe është duke përdorur agjentët e tij për të parandaluar luftën e tyre për ndryshimin e regjimit. Gjatë muajve të fundit, ata kanë ndërmarrë sulme të frikshme kundrejt institucioneve iraniane dhe ambasadës së Iranit në Tiranë. Më 15 mars ata sulmuan një grup intelektualësh shqiptarë të kryesuar nga ish-presidenti i Shqipërsië, Rexhep Mejdani  të cilët morrën pjesë në një konferencë shkencore në Teheran, me pretendimin se ata ishin pjesë e planit të Teheranit për të diskretituar muxhahedinët. Muxhahedinët, të cilët po vuajnë nga numri i madh i antarëve që po braktisin organizatën në Shqipëri, i sulmojnë të deradikalizuarit duke i akuzuar si agjentë të Iranit dhe i kërcënojnë me vrasje. UNHCR-ja, e cila supozohet se duhet të mbështesë të gjithë refugjatët e luftës, mban anën e muxhahedinëve dhe refuzon që t’i mbështesë dezertorët e organizatës ekonomikisht duke u kërkuar refuzuesëve të xhihadit që nëse ata duan ndihma financiare – ata duhet që më parë ti ribashkangjiten organizatës xhihadiste. Muxhahedinët sulmojnë edhe mediat shqiptare të cilat i akuzojnë si të blera nga Irani. Kjo gjë ndodh në momentet kur në Shqipëri ndonjë media merr guximin që të parashtrojë pretendimet e dezertorëve, të cilët tregojnë si janë abuzuar, skllavërizuar dhe radikalizuar nga MEK-u.

Qeveria shqiptare qëndron e heshtur përballë sulmeve që MEK-u ndërmerr kundër intelektualëve shqiptarë, mediave dhe të larguarëve prej organizatës. Kjo heshtje vazhdon pavarësisht një raporti të fundëm policor i cili tregon se ekzistojnë dyshime se muxhahedinët mund të vrasin disa prej të larguarve që kanë braktisur organizatën. Qeveria shqiptare dhe gjykatat e saj të cilat tregohen shumë të zellshme kur puna vjen për arrestimin e selefistëve shqiptarë si terroristë – nëse ata bëjnë thirrje për ndryshim regjim në Siri apo nëse lavdërojnë ISIS-in, deri më tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim kundër muxhahedinëve iranianë, apo politikanëve shqiptarë dhe amerikanë të cilët mbështesin xhihadin e MEK-ut dhe bëjnë thirrje për ndryshimin e regjimit në Iran, pavarësisht faktit se veprimtari të këtilla konsiderohen si vepra penale në Kodin Penal të Shqipërisë dhe dënohen nga katër deri në dhjetë vite burg. Qeveria shqiptare dhe gjykatat e saj nuk kanë ndërmarrë asnjë masë kundër muxhahedinëve që kanë kërcënuar se do të vrasin dezertorët e organizatës që gjenden në Shqipëri.

Qeveria shqiptare e cila urdhërohet nga pushtetarë amerikanë sikur John Bolton, John McCain and Rudy Giuliani që të mbështesi muxhahedinët ka filluar së fundmi që të sulmojë edhe insitucionet fetare shiite dhe sufiste të vendosura në Shqipëri. Më 22 mars 2018, policia e anti-terrorit prishi ceremoninë që po zhvillohej në Tiranë me rastin e festës së Sulltan Novruzit nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjëve. Cermonia e sektit liberal të myslimanëve sufi u ndërpre në kohën kur policia e antiterrorit ndaloi dy gazetarë të moshuar iranianë dhe një shtetas irakeno-gjerman të cilët po festonin festën e Novruzit në Teqenë e Madhe të Bektashinjëve. Këta persona ishin ftuar në mënyrë zyrtare në këtë ceremoni nga Baba Mondit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve. Por njësitë e anti-terrorit që mesa duket kishin marrë urdhëra nga muxhahedinët iranianë për “influencën dhe konspiracinë” e Iranit, ndaluan dhe morrën në pyetje sikur të ishin terroristë për shtatë orë dy gazetarët e moshuar iranianë, të cilët kishin ardhur për të raportuar cermoninë e organizuar nga bektashinjtë. Edhe pse më pas këta gazetarë u lanë të lirë, një gjë e këtillë habiti Komunitetin Bektashian dhe OJQ-të iraniane që veprojnë në Shqipëri.

Sulmet e përsëritura të muxhahedinëve kundër komuniteteve lokale muslimane, akademikëve dhe intelektualëve, gazetarëve dhe medias janë një risi për publikun shqiptar. Deri më tani ata i kanë parë muxhahedinët si disa mbeturina terroriste që SHBA-ja donte të hidhte në Shqipëri pasi ata u përzunë nga Iraku. Megjithatë, sulmet më të fundit mediatike dhe policore të nxitura nga ata, po i bëjnë të qartë publikut shqiptar se muxhahedinët nuk përbëjnë rrezik vetëm për Iranin, por edhe për Shqipërinë. Nga ana tjetër, kërkesat e senatorëve amerikanë sikur Rudy Giuliani, John Bolton dhe John McCain që muxhahedinët e vendosur në Shqipëri të shkojnë dhe bëjnë xhihad në Iran i shqetëson shumë shqiptarë. Shumë ngrenë pyetjen: Nëse SHBA-ja kërkon t’i përdorë muxhahedinët për të luftuar kundër Iranit, pse SHBA-të nuk i strehojnë ata në vendin e tyre por na i kanë bërë peshqesh ne në Shqipëri? Populli shqiptar nuk ka dhe nuk ka patur kurrë ndonjë problem me Iranin. Përse atëherë qeveria amerikane i bën presion Shqipërisë dhe e përdor atë si fushëbetejë për një luftë të ardhshme terroriste kundër një vendi tjetër në Lindjen e Mesme? A nuk u mjaftua administrata amerikane me lojën që ajo bëri me sauditët duke radikalizuar të rinjtë myslimanë në Ballkan dhe dërguan ata në Siri, por tani po kërkon të krijojë një “xhihad” të ri, “xhihad” për të cilin myslimanët e Ballkanit do të paguajnë çmim përsëri.

Zoti Rudy Giuliani! Zoti John Bolton! Merrini muxhahedinët tuaj në SHBA dhe bëni çfarë të doni me ata në vendin tuaj! Ne nuk duam të luftojmë një luftë tjetër për ju në Lindjen e Mesme. Na lini të qetë, ju lutem!



Burimi : Global Research