Në Bejrut bota dëshmoi që e do Palestinën!

nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Mars 18, 2018, 11:55 p.m.

1.

Në datat 11-12-13 dhe 14 mars, në Bejrut kryeqytetin e Libanit aktivistë të shoqërive civile të Lindjes së Mesme, Azisë, Afrikës, Amerikës dhe Evropës u mblodhën në Konventën e Katërt Botërore të Solidaritetit me Palestinën. Konventa në fjalë është një organizatë e cila përmban OJQ që mbështesin çështjen palestineze dhe të drejtën e kthimit të palestinezëve nga e gjithë bota.

Eventi në fjalë u organizua në hotelin Golden Tulip Jiyeh Marina në dalje të Bejrutit, buzë Detit Mesdhe. Pjesëmarrësit në konventë vinin nga rreth 45 vende te botës. Pjesëmarrësit kryesorë ishin nga Palestina, Libani, Jordania, Siria, Jemeni, Malajzia, Indonezia, Tunizia, Maroku, Egjipti, Skocia, Britania e Madhe, Belgjika, Italia, Spanja, Norvegjia, Suedia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Australia, Venezuela, Kili, Senegali, Nigeria, Turqia, Afrika e Jugut, India, Pakistani, Filipinet, Irani dhe Meksika. Veprimtarët e organizatave të shoqërisë civile ishin gazetarë, analistë, klerikë, revolucionar, profesor universitar, sindikalistë të klasës punëtorë por edhe futbollistë të cilët protestojnë dhe sensibilizojnë komunitetet e tyre mbi gjëmën palestineze.

Titulli i Konventës së këtij viti ishte: Jeruzalemi, kryeqyteti i përjetshëm i Palestinës.

Disa nga pjesëmarrësit më simpatik të këtij eventi ishin rabinët çifutë-amerikan Dovid Feldman dhe Izrael Dovid Ueiss të cilët në fjalimet e tyre ndërsa denoncuan pushtimin izraelit ndaj tokave palestineze, i treguan pjesëmarrësve vuajtjet që hebrejtë ortodoksë heqin në shtetin e Izraelit, i cili i rekruton me dhunë në ushtri dhe nuk respekton ligjet e tyre fetare. Rabinët deklaruan që çifutët nuk kanë problem me muslimanët, të krishterët dhe besimtarët e feve të tjera, por Izraeli zionist i cili nuk ka lidhje me hebraizmin është shkaktari i vuajtjeve të palestinezëve dhe hebrenjve në tokën e shenjtë.

Muzikanti britanik Gilad Atzmon, i cili ka braktisur Izraelin dhe shtetësinë e tij izraelite ishte një tjetër personazh interesant i kësaj konvente. Ai denoncoi Izraelin dhe vuri në pah faktin që sot shumë izraelitë humanistë sikur ai nuk e durojnë dot më jetesën në regjimin aparteidal të Izraelit dhe për këtë e kanë braktisur Izraelin dhe shtetësinë izraelite. Ata thjeshtë nuk duan të jenë bashkëfajtor në aparteidin që Izraeli ushtron kundër palestinezëve. Por Giladi shprehu kënaqësinë e tij për ardhjen e Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për Giladin, Trumpi është fytyra e vërtetë e Amerikës dhe politikat e tij kanë treguar qartë më në fund natyrën ekstremiste të Amerikës.

Xhimbo Simmons, përfaqësues i kombit indiano-amerikan Choctav Nation dhe i Këshillit Drejtues të Lëvizjës Indiane-Amerikane shprehu solidaritetin e indianëve të Amerikës ndaj palestinezëve, ndërsa i kërkoi falje atyre për politikat e Trumpit, duke deklaruar që indianët e Amerikës qëndrojnë me Palestinën dhe palestinezët nuk duhet të humbin shpresën kurrë.

Në Konventën e Solidaritetit me Palestinën prezantuan edhe nga shumë gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, marksistë, studiues, përfaqësues unionesh nga Austrialia, Belgjika, Venezuela, Britania e Madhe dhe Amerika. Në konventë ishin edhe Cindy dhe Craig Corrie, prindërit e aktivistes amerikane Rachel Corrie e cila u shtyp me buldozer nga ushtria izraelite dhe Emily Hurndall, mamaja e aktivistit britanik Tom Hurndall i cili u vra nga ushtria izraelite. Prindërit e dy aktivistëve të vrarë theksuan faktin që fëmitë e tyre vdiqën për një çështje të drejtë dhe çështja e Palestinës është një çështje që shqetëson të gjithë komunitetin ndërkombëtar.

Avokati Zijad Patel nga Afrika e Jugut tregoi sesi shoqëria civile afrikano-jugore duke u bazuar në eksperiencën e luftës së saj kundër aparteidit dhe luftën e Nelson Mandelës ndaj racizmin të bardhë, kishte adaptuar taktika të njëjta ligjore kundër aparteidit izraelit. Ai tregoi sesi në Afrikën e jugut, aktivistët e shoqërisë civile bojkotojnë produktet izraelite dhe sesi shoqëria civile botërore duhet të hedhi në gjyq kompanitë izraelite për produket që ato prodhojnë në tokat e pushtuara palestineze.

Konventa u përshëndet edhe nga Khushal Gandhi, nipi i Mahatma Gandhit atit të lëvizjes për pavarësi të Indisë. Khushali i kujtoi pjesëmarrësve betejën e Gandhit për pavarësi nga britanikët në Indi dhe solidarizimin e tij me Palestinën. Khushali përmendi fjalën e Gandhit i cili edhe pse kishte simpati për çifutët deklaronte që:

“Simpatia ime nuk më bën dot të vërber përpara drejtësisë.”

Khushali i kujtoi pjesëmarrësve luftën paqësore të Gandhit kundër kolonializmit britanik dhe i sugjeroi palestinezëve që të bëjnë të njëjtën gjë. Ai i apeloi palestinezëve që të mos e mbajnë kokën ulur, por në të njëjtën kohë të kuptojnë që Palestina nuk do çlirohet me luftë por me aksion qytetar – ashtu sikur edhe Gandhi e çliroi Indinë nga imperializmi britanik. Khushali i apeloi palestinezëve që të mblidhen me miliona apo qindra dhe mijë nga e gjithë bota dhe të marshojnë drejt kufijve të Izraelit dhe me lule në duar të thyejnë barrikadat dhe tanket izraelite duke kërkuar që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Pjesëmarrës të tjerë apeluan që Izraeli të kthehet në shtet demokratik, t’i japi palestinezëve të Gazës dhe Bregut Perëndimor të drejta demokratike dhe të drejtën për të votuar në Izrael. Ata ishin të mendimit që regjimi racist i Izraelit do të shkatërrohej nëse Izraeli do kthehet në vend demokratik dhe do i trajtoj palestinezët si qytetarë të tij. Të tjerë nga Venezuela dhe Amerika Latine përmendën solidarizimin që udhëheqës që nga Hugo Chavez e deri te Che Guevarra kanë patur me Palestinën.

Në event shumë palestinezë të rinj, pleq e plaka treguan tragjeditë e tyre, mënyrën si ishin deportuar nga Palestina, të afërmit që u ishin vrarë dhe shpresën e tyre për t’u kthyer një ditë në fshatin e atdheun e tyre. Një folës tregonte sesi ëndërrontë që një ditë të kthehej në fshatin e tij në Palestinë, dhe aty të ndërtontë një shtëpi, të kishte disa pemë, pula dhe kafshë dhe të jetonte në paqe sikur të parët e tij.

Eventi u përshëndet edhe nga myftiu i Jeruzalemit, Sheh Muhamed el Huseini i cili rrëfeu vuajtjet e palestinezëve në Kudsin e Shenjtë dhe rëndësinë e Kudsit për Islamin, muslimanët dhe të krishterët e të gjithë botës.

Në fund eventi u përshëndet me video konferencë nga ish-kryeministri palestinez Ismail Hanija dhe ish-kryeministri i Malajzisë, Mahatir Muhamed. Mahatiri i përkujtoi muslimanët që të jenë vigjëlentë dhe kuptojnë që Palestina nuk çlirohet vetëm me sllogane. Ai i bëri thirrje pjesëmarrësve për mobilizim global për çështjen e Palestinës dhe u apeloi që të kuptojnë që Palestinën sot nuk e duan vetëm muslimanët, por edhe të krishterët dhe i gjithë komuniteti humanist global. Ai përmendi faktin që Bashkimi Evropian qëndron në krah të Palestinës kundër politikave të Trumpit dhe Izraelit dhe u kujtoi muslimanëve që armiku i armikut tuaj, është miku juaj.

2.

Vizita ime në Liban ishte një nga vizitat më ekzotike që kam kryer ndonjëherë në vendet arabe. Edhe pse Libani është gjeografikisht sa gjysma e Shqipërisë, rreth 10.000 km2, popullsia e tij aktuale është dyfishi i Shqipërisë rreth 6.000.000 banorë dhe ka një densitet prej 596 banorë për km2 pra rreth 6 herë më shumë banorë për km2 sesa Shqipëria. Por ndryshe nga vendet e tjera arabe të cilat janë shkretëtinore Libani është një vend shumë i ngjashëm me Shqipërinë. Është vend i bleruar me pemë dhe shumë malor. Vendi përshkruhet nga male të cilat zbresin në formë kodrash kur i afrohesh Detit Mesdhe. Ndryshe nga arabët e tjerë që janë të errët, libanezët janë të bardhë. Fytyrat e tyre i ngjajnë shumë shqiptarëve apo italianëve dhe grekëve, dhe kur dikush viziton qytete sikur Tiri, Sidoni apo Bejruti sheh akoma monumente osmane, fenikase e romake në vend. Shumë njerëz në Liban tregojnë që kanë origjinë osmane dhe sikur edhe historia na tregon, Libani përgjatë kohës së Perandorisë Osmane është drejtuar nga jeniçerë shqiptarë dhe boshnjak e deri te guvernatorë sikur Vaso Pasha. Kur Napoleon Bonaparti pushtoi Libanin dhe Palestinën, shumica e jeniçerëve që ruanin qytetet portuale osmane në Levant ishin shqiptarë.

Libani i ngjan Shqipërisë shumë edhe nga pikëpamja e demografisë fetare. Vendi është multifetar. Aty ekzistojnë komunitete të krishterësh katolik, orthodhoks, protestant etj. Muslimanët që përbëjnë shumicën (54%) ndahen në synitë dhe shiitë, ndërsa ka edhe komunitete bahaish, mormonësh, çifutësh dhe hindushë. Në Liban jetojnë edhe shumë palestinezë, rreth 400.000 vetë dhe 700.000 refugjatë sirian.

Historia e Libanit i ngjan shumë shqiptares. Libani ashtu sikur edhe Shqipëria është një ish-provincë osmane. Ashtu sikur Shqipërinë të cilën e pushtuan katolikët austro-hungarezë dhe më pas italianët, Libanin e pushtuan francezët të cilët e mbajtën si provincë të tyre nga viti 1920 deri në 1946. Dhe ashtu sikur në Shqipëri ku Italia fashiste dhe monarkia austro-hungareze punuan që të sjellin në pushtet pakicën katolike, edhe në Liban ndodhi e njëjta gjë.

Pas krijimit të Libanit si shtet arab, ai u përball me luftëra me Izraelin dhe pushtimin izraelit në 1982. Ky pushtim i cili zgjati deri në 1985 dhe shkaktoi maskra të mëdha nga ana e Izraelit, i ndërgjegjësoi libanezët dhe palestinezët që të  përballen me rrezikun izraelit.

Pas periudhave të luftërave civile të cilat u nxitën nga pushtimi izraelit, sot Libani gëzon një periudhë paqeje. Por përkundër nesh në Shqipëri ku vendi ndahet në zona bandash socialiste, LSI-iste dhe PD-iste, dhe pushtetin në qeverinë Rama e kanë të krishterët, në Liban vendi ndahet në zona ku sektet fetare sundojnë në mënyrë më të drejtë. Shumica e grupeve fetare në vend mbështesin rezistencën kundër Izraelit për çlirimin e tokave që Izraeli mban të pushtuara dhe në mbështetje të Palestinës. Edhe pse vendi është i ndarë ndërmjet zonave të influencës franceze, arabo-saudite dhe iraniane, në përgjithësi të gjithë libanezet janë simpatizantë të Palestinës.

3.

Libani i ngjan shumë Shqipërisë të fundviteve 90. Aty iknin dritat orë e sahat. Njerëzit mbajnë gjeneratorë për dritat, mbushnin ujë me puse të cilin e vënë në depozita mbi taracat e shtëpive. Ushtarët e policët dukeshin si kapterrat e policisë së Lali Erit dhe Edi Ramës. Dhe sapo dilje nga aeroporti shihje postera këngëtarësh tip Sinani e Mandi i Nishtullës që të thonin Merhaba!

Tamam sikur në Shqipërinë e viteve 90 kur vendi ndahej në zonat e Gramoz Ruçit, Taulant Ballës e Nehat Kullës edhe Libani kështu ndahet. Kudo nëpër vend sheh postera të fortësh, apo më saktë politikanësh të cilët me posterat e tyre ndajnë zonat e inluencës dhe pushtetit. Por në këtë zallamahi pushtetesh ti sheh edhe postera të Hizbullahut. Fotot e hoxhallarëve shiitë me mjekra dhe me çallma të bëjnë të mendosh se je në Martanesh apo Skrapar ku sundonin njëherë e një kohë çetat e Baba Faja Martaneshit, apo në kryegjyshatën e Baba Mondit. Shiitët militantë janë grupi kryesor që sundon Libanin dhe drejton rezistencën kundër Izraelit. Irani i cili e ndërtoi Hizbullahin në 1985 e ka kthyer komunitetin malësor shiit të Libanit në grupin kryesor të rezistencës ndaj Izraelit.

4.

Pas mbarimit të konventës, ditën e fundit organizatorët na çuan në një muzeum në fshatin Mleeta ku ekspozoheshin armatimet e rezistencës libaneze dhe Izraelit gjatë luftës së vitit 2006. Rezistenca e cila përfaqësohej nga Hizbullahi kishte kapur tanke, drone dhe armatime të rënda izraelite. Ndërsa armët e Hizbullahit ishin disa raketa të lëvizshme iraniane, kallashnikovë, katjushka dhe armë që dukeshin si të Luftës së Dytë Botërore. Përveç kësaj Hizbullahi kishte edhe tunele në malet e pafund të Libanit. Më këto armë primitive dhe me relievin e ashpër malor, Hizbullahi kishte mundur një nga ushtritë më të fuqishme të botës, kishte kapur shumë ushtarë izraelitë rob dhe kishte shkatërruar 150 tanke merkava. Muzeumi i Mleetës të tregonte sesi teknologjia konvencionale iraniane dhe malësorët libanez kishin arritur të mundnin ushtrinë high-tech të Izraelit.

Po ku ishte Hizbullahi vallë? Kur i pyesje libanezët ku është Hizbullahi, ata të thonin kudo dhe askund. Hizbullahi nuk ishte një ushtri e organizuar, ai ishte si një fantazëm. Mesa duket anëtarët e tij ishin vullnetarë civilë. Një fakt që të habiste ishte që në trupat e Hizbullahit nuk merrnin pjesë vetëm shiitët myslimanë por edhe shumë të krishterë të cilët kishin formacionet e tyre ushtarake. Libanezët ndjeheshin krenarë me Hizbullahin, milicinë e vetme në historinë moderne arabe e cila përndryshe nga ushtritë e medha arabe që ishin thyer të gjitha – kjo e fundit kishte mundur dhe turpëruar Izraelin!

5.

Fitoret e Hizbullahit ndaj Izraelit duket sikur i kishin motivuar palestinezët e Libanit por edhe të krishterët dhe synitët që të shikonin te rezistenca e Hizbullahut një shpresë motivuese për çlirimin e Palestinës. Kuptohet që për ne në Shqipërinë e kontrolluar nga NATO dhe Amerika, Hizbullahi është organizatë terroriste. Por për shumë libanezë, palestinezë dhe sirianë ata shiheshin si luftëtarë të lirisë sikur partizanët me Baba Faja Martaneshin në kohën e tij. Për libanezët dhe palestinezët, terroristë janë Amerika dhe Izraeli të cilët kanë ardhur nga mbrapa diellit dhe kanë pushtuar tokat e tyre dhe i vrasin përditë.

Gjatë vizitës sonë në Mleeta avionët izraelitë bënin zhurmë mbi qiellin e Libanit. Ne të huajt që u çuditëm nga kjo zhurmë – i pyetëm libanezët çfarë po ndodh? Ata thanë pa pikën e kokëçarjes: janë avionët izraelitë që shkelin përditë dhe në kundërshtim me ligjet e OKB-së hapësirën ajrore të Libanit.

6.

Pak kilometra përtej Mleetës shtrihej Siria. Aty ku avionët izraelitë, amerikanë, rusë, turq dhe sirianë hedhin bomba përditë dhe luftojnë për zona të influencës. Me libanezët që unë bisedova, ata thonin që lufta në Siri bëhej për shkak të Palestinës. Amerikanët dhe izraelitët donin të shkatërronin Sirinë në mënyrë që më pas të shkatërronin Libanin, qendrën e fundit të rezistencës arabe pro-Palestinës.

Në fund të vizitës sonë të ditës së fundit të konventës, organizatorët na dërguan të vizitojmë qytetin kufitar të Maroun e-Rass. Që aty shiheshin kolonitë izraelite të Kiryat Shmonës. Të ndërtuara na tokat e vjedhura palestineze, kolonitë izraelite ishin ndërtuar në mënyrë tejet moderne. Kur shihje rregullin, pastërinë dhe prosperitetin e tyre dhe rrëmujën e fshatrave libaneze të krijohej ideja sikur po shikoje Zvicrën versus Bathores. Izraelitët janë teknologjikisht superior mbi arabët. Prandaj edhe kanë fituar përgjatë shekullit të XX.

Por edhe pse emigrantët rusë dhe polakë izraelitë të Palestines janë teknologjikisht superior mbi arabët – fakt që të bënte ti kishe zili – duke cituar Mahatma Gandhin duhet të them që:

“Simpatia ime nuk më bën dot të vërber përpara drejtësisë.”

Palestina i përket palestinezëve dhe izraelitët kanë bërë krim të madh me vjedhjen e Palestinës. Krim të cilin Zoti nuk do t’ua fali kurrë! Këtë gjë na e tha rabini Izrael Dovid Ueiss në Konventën e Palestinës.



Burimi : Gazeta İmpakt